Demokracia shqiptare nuk lindi asnjëherë

Shqipëria është një rast tragjik! Ndoshta ka qënë kështu për shekuj me radhë, por në periudhën 20-vjeçare të post-komunizmit kjo është provuar katërcipërisht. Në vitin 1990 shqiptarët ishin populli më entuziast dhe ëndërrimtar që po përmbysnin komunizmin me një shpresë të papërshkueshme se më në fund do të jetonin të lirë e të begatë në vendin e rrënuar prej diktaturave dhe qeverive autoritare. Ata ishin të sigurt se tashmë do të ishin pjesë e vendit të tyre dhe se do të mundnin më në fund të ndërtonin një qeveri nga populli dhe për popullin. Të gjitha këto shpresa ata i varnin tek ajo që e kishin dëgjuar, por nuk e kishin parë e prekur kurrë më parë: Demokracinë. Për shqiptarët Demokracia ishte ajo nuse e bukur dhe e fortë, e dhimbsur dhe krenare, një simbol të të cilës ata tek-tuk e kishin parë shkarazi në ndonjë film apo lexuar në histori: Statuja e Lirisë në New York.
Por shumë shpejt, madje brenda nje viti pas përmbysjes së komunizmit, ëndërrat dhe shpresat e shqiptarëve për një bashkëjetesë harmonike mes tyre dhe mes të gjithave ngjyrave politike do të merrnin një goditje të rëndë. Turmat që shkatërronin dyqane, ndërtesa e zyra të udhëhequra nga huliganë dhe të frymëzuara nga ajo fytyrë që do të personifikonte më pas “demokracinë” shqiptare deri në ditët e sotme, filluan t’u lënë shqiptarëve shijen e hidhur se e ardhmja nuk do të ishte aq e mbarë sa ata kishin shpresuar. Dhe 21 vitet që pasuan e vërtetuan atë paralajmërim të kobshëm.
Po sot Shqipëri, pa më thuaj si je?
Si një grua e përdhunuar dhe e flakur përdhe
Më vjen turp e s'kam fytyrë të të shoh në sy
Sepse s’munda të të mbroja kur u sulën mbi ty
Kjo do të ishte shprehja e dhimbjes së miliona shqiptarëve që sot po vuajnë nga shtypja dhe mjerimi që buroi nga kjo mender “demokracie” shqiptare, por edhe prej turpit, paçka se ndoshta nuk e ndjejnë sot, që nuk ia prenë rrugën këtij çnderimi dhe masakrimi të truallit të të parëve tanë, të cilët mundën ta mbrojnë atë për shekuj me radhë në histori kur kombe të tërë janë zhdukur në beteja të përgjakshme pafund.
Demokracia shqiptare është funksionale, por e brishtë – dëgjohen të thonë në kor zëra nga brenda e nga jashtë, si për t’iu hedhur hi syve shqiptarëve se ja, edhe ndonja 200 vjet dhe çdo gjë do të rregullohet. Por të gjithë e dinë, edhe ata vetë, që kjo është një gjepur e stisur sa për ta hedhur dhe ca kohë. Demokracia shqiptare nuk është as e brishtë e as fëminore, sepse s’ka se si të jetë e tillë kur ajo nuk lindi kurrë. Në vend të saj lindi një krijesë e shpifur, nje kryqëzim i shëmtuar mes demokracisë dhe diktaturës që e mori emrin DEMOKRATURË, e cila u rrit shpejt dhe u shndërrua në një përbindësh mitik që vetëm kërkon gjak dhe flijime në emër të saj. Kjo pjellë e keqe lëshoi këlyshët e saj kudo nëpër vend për të gllabëruar gjithçka që gjenin përpara mbi trupin e Shqipërisë sonë të shtrenjtë, që kurrë me parë, as në trembëdhjetën, nuk ka klithur kaq shumë nga dhimbjet nga copëtimi që po i bëhet mishit të saj. Këto krijesa vampirike, pjella të ligësisë së errët të mosarsyes, lëshohen me komandë për të pirë edhe pikën e fundit të gjakut të popullit të nënshtruar shqiptar.
Ky sistem i quajtur Demokraturë është më i lig e më i rrezikshëm se çdo diktaturë. Gjysmë demokraci e gjysmë diktaturë si një sfinks tmerrshëm i kohëve moderne zbatuesit e këtij sistemi i lejojnë vetes të përfitojnë nga liritë e demokracisë për të grabitur prona e pushtete dhe pastaj t’i mbrojnë ato me mjetet e diktaturës duke përdorur pushtetin ligjzbatues dhe të drejtësisë ashtu siç bëhej dikur.
Dhe njerëzit e thjeshtë mbeten gjithmonë jashtë këtij sistemi, por përdoren vetëm për të mbushur xhepat e përbindëshave të vegjël, pjellë e këtij sistemi monstruoz. Ndërsa kërrusen nën peshën e halleve, taksave, varfërisë, papunësisë e mjerimit, shqiptarët e thjeshtë shohin se pinjollët e këtij sistemi të shëmtuar, kryqëzim i pasioneve të errëta të etjes për gjak dhe babëzisë së shfrenuar për pasuri dhe perversione seksuale, shtojnë luksin me kërrbaçin e padrejtësisë, e s’u mbetet gjë tjetër veç të fryhen nga marazi për këtë fatkeqësi që iu ra mbi kokë. Shumë prej tyre nuk po e durojnë dot këtë mjerim dhe zgjedhin rrugën e tragjike të vetflijimit.
Pavarësisht kësaj, në ekranet e televizioneve shfaqen fytyrat e ministrave që shkëlqejnë nga dhjami i makutërisë, të cilat flasin për mrekullira planetare në histori që edhe Evropa e Amerika nuk i paskan njohur kurrë, dhe që nga ato ekrane iu qeshin njerëzve të thjeshtë e halleplotë mu në fytyrë duke iu thënë të ulin kokën, sepse nëse e mbajnë lart, ajo kokë do t’iu pritet. Gazetat dhe televizionet e sistemit mbushen me tituj me gërma të mëdha se “qeveria dha kaq lekë për pensionistët, kaq për mësuesit e kaq lekë për bizneset”, a thua se qeveria jonë po i nxjerr këto lekë nga xhepi i vet për t’ua dhënë shqiptarëve si bamirësi. Për ata që zhgarravisin nëpër këto palo gazeta qeveria nuk është institucion, por nje tortë që ndahet mes pjestarëve të saj si në sistemet gadafiane e mubarakiane. Dhe pastaj analistë të sistemit, të pispillosur dhe stolisur si ato prostitutat 100 euro/ora, turren të shpjegojnë se si ky sistem i shëmtuar na qenka e bukura e dheut, të cilën ne duhet ta duam dhe adhurojmë të gjithë.
Bisha e tërbuar kërkon të gllabërojë gjithçka që ka mbetur, vret e pret për këtë, ia këput kokën kujtdo që e kundërshton nuk nginjet kurrë edhe pse nuk ka më asgjë për të gllabëruar. Kur i kundërvihesh ajo bëhet edhe më e tërbuar, të vret pa mëshirë dhe pabesisht si në 21 Janar, të vret natën që është koha e saj e gjahut si në rastin e deputetit e kryekomunarit, të vret edhe në mes të qytetit në atentate mafioze, apo me banda që u jep gjak nga gjaku i saj i helmatisur. Por vrasja më e preferuar e këtij përbindëshi është pasi ta ka bërë gjyqin vetë, me tufën e lakejve me toga të zeza si zombies të ardhur prej errësirës së përjetshme, që edhe vetë inkuizicioni do t’i kishte frikë.
Demokratura shqiptare është e fortë dhe e pathyeshme, e egër dhe e pamëshirshme, sepse ajo shfrytëzon hapësirat e demokracisë për të zbatuar diktaturën. Në botën jashtë Shqipërisë ajo vesh mantelin e përulësisë deri në servilizëm, ndërsa brenda kufijve të vendit ajo është me fytyrën e saj të vërtetë, të egër dhe gjakatare. Jashtë, edhe pse të gjithë e njohin atë dhe krimet e saj ndaj këtij populli, e trajtojnë butësisht sepse siç duket edhe ata fitojnë ndonjë copë nga gjaku dhe mishi i viktimave të saj dhe këtij trualli të përdhunuar deri në palcë
Shqipëria mund të jetë gjithçka, por vetëm demokraci nuk është, dhe për këtë nuk ma mbush dot mendjen asnjë individ, nga jashtë apo nga brenda, sepse po e ndiej çdo ditë në lëkurën time kthetrat e kësaj demokrature të shëmtuar që mundohen të na e servirin si demokraci të kulluar. Mundësia që më eshtë dhënë të kaloj gjysmën e jetës në vendet më demokratike të botës, përfshi Shtetet e Bashkuara, më ka bërë ta njoh e ndiej mirë demokracinë e vërtetë, që ndoshta është e prerë, por e bukur, mahnitëse dhe e drejtë. Ndaj unë dhe miliona shqiptarë të tjerë jemi të rraskapitur duke dëgjuar përfaqësuesit apo të dërguarit e huaj, ata që duhet të ndihmonin në lindjen e demokracisë së vërtetë në Shqipëri, tek flasin e shkruajnë për arritjet mbresëlënësë të kësaj demokrature gjakderdhëse. Nëse nuk kanë asgjë për të thënë për ne, të paktën të mos dalin nga dhjetë herë në ditë nëpër televizione se na i sollën zorrët tek gryka. Është e qartë tashmë se përbindëshi deri tani me një kokë po kthehet në një kuçedër me shumë koka për të helmatisur edhe më shumë shqiptarët e rrënuar, nëpërmjet asaj që një gazetar i respublica.al e ka emërtuar në mënyrën më të goditur si Ambasador-ocraci. Dhe një ambasador e pranoi hapur se ata e paskin ushqyer për 20 vjet këtë përbindësh të tmerrshëm.
Shqipëria është një demokraci diktatoriale neandertale, sepse zinxhiri e evolucionit të pjestarëve të saj, e ka kapërcyer hallkën e homo sapiens-it. Se si do të na vejë halli në këtë çorbë të flliqët, askush nuk e ka idenë. Zoti pastë mëshirë për ne!
Comments
Nuk e di pse je kaq pesimist
<p>Nuk e di pse je kaq pesimist kur shpresa eshte ne horizont,bile shume afer.Nuk te mbush me frymezim ty Edi Rama.Nuk je i bindur ti se me te marre drejtimin e vendit shoku Edi Shqiperia do t'i kete njeheresh te mirat e Zvicres,Danimarkes dhe Seyshelleve dhe lum ne qe jemi ketu.Mezi po pres.Jap shprese dhe per ty.</p>
Add new comment