Arka e zbrazur e sukseseve

Postuar në 09 Korrik, 2013 03:08
Alqi Koçiko

 

Është një përshtypje e përgjithshme kjo, se sa i përket sektorit të financave, qeverisja e tetë viteve të fundit është karakterizuar nga një duel i heshtur mes ministrit të Financave, Ridvan Bode, dhe kryeministrit Sali Berisha. I pari, i kujdesshëm me paranë dhe me sensin e specialistit që shpesh mbizotëron ndaj atij të politikanit, ndërsa i dyti entuziast, euforik e padyshim, urdhërues. Nuk e dimë sa rezistencë ka bërë Bode (nëpër mbledhje televizive qeverie ka pasur ca imitacione përplasjesh), por publiku e ka të qartë tashmë se në të gjitha rastet, duelin e ka fituar Berisha. Kështu ndodhi dhe me “përplasjen” e fundit. Rritja e pagave dhe pensioneve me 1-6%, me një efekt financiar prej 15 milionë dollarësh dhe e përllogaritur që nga 1 korriku, në fillim u fol se do të anullohej, pastaj Berisha konfirmoi në facebook se do të çohej deri në fund. Sigurisht që qytetarët mezi e presin një rritje, sado të vogël. Por ndërkaq përplasja është zhvendosur: Midis Berishës që është kryeministër në detyrë deri në formimin e qeverisë së re, dhe ish opozitës së majtë, tashmë mazhorancë dërrmuese.

Meraku është i kuptueshëm: E majta dyshon se këta dy-tre muaj tranzitorë, e djathta do bëjë shkundjen e fundit të financave të shtetit para se të ikë; dhe qeveria e re do të gjendet përballë një situate shumë delikate. Është një gjendje ekonomike të cilës i është mbivendosur entuziazmi dhe negociatat e së majtës, plus kritikat dhe procesi i trashëgimit të drejtimit tek PD-ja; e që gjithsesi, nuk ka ngurruar të nxjerrë krye që gjatë fushatës. Por duhej të vinte përcaktimi i fituesit, që guvernatori i Bankës Qëndrore t’ja bënte të qartë vendit se situata është dramatike; se kontaktet me FMN-në janë shpeshtuar dhe se (siç paralajmëroi Mimi Kodheli në një intervistë për Klan), funksioni këshillimor i Fondit, do të kthehet edhe një herë në statusin udhërrëfyes, siç ka qenë.  

Çka ndodhur gjatë kësaj periudhe? Që para dy muajve, anëtarja e këshillit mbikqyrës të Bankës Qëndrore, Ermelinda Meksi, deklaroi se qeveria po merr borxh edhe për të paguar pagat. Paçka se në fushatë kryeministri rendiste sukseset monumentale të mandatit. U shitën për një copë bukë hidrocentrale fitimprurëse, vetëm se nevojiteshin para kesh. Pak para zgjedhjeve, përmes një ankandi për bono thesari qeveria mori edhe rreth 12 milionë euro të tjera borxh nga publiku shqiptar; por ç’është më dramatike, mësohet se qeveria i ka kërkuar që para zgjedhjeve një borxh 200 milionë euro FMN-së, çka është mbajtur sekret. Po aq sekret sa një kontratë e ministrit Bode (po, e duelistit të Berishës për paratë e shtetit) pesë ditë para zgjedhjeve me një firmë private, për rimobilizim zyrash në shumën një milion dollarë!

E majta fillimisht ka ngritur zërin, por jo deri në alarm, mesa duket ende nën efektin dehës të fitores. Po jepen shpejt e shpejt leje e liçensa peshkimi nëpër laguna e ligatina; AMA e Endira Bushatit po paketon me ngut procedurat për liçensimin e rrjeteve numërime kombëtare dhe shumë bëma të tjera, që ndoshta nuk e shohin dot dritën e shtypit. Jo më kot, disa portale online bënë fjalë për shumëfishimin e transfertave financiare nga Shqipëria jashtë vendit një ditë pas zgjedhjeve, duke përmendur edhe emra ministrash. Pa harruar pastaj, raportin e Global Financial Integrity të dhjetorit 2012, që llogariste 1.3 miliardë dollarë të nxjerra nga Shqipëria në pesë vitet e fundit.

Opozita e djeshme, deri vonë ka deklaruar se do rishikojë shumë konçesione, leje e privatizime të dyshimta. Pas fitores, mbizotëroi toni i paqtë dhe zemërgjerë i fituesit që di të shikojë përtej cic-miceve të ditës. Por shumë shpejt në Tiranë do të vijë një ekip nga FMN-ja për diskutuar termat e marrëveshjes së re. Që tani shumica e majtë deklaron se do rishikojë buxhetin gjashtëmujor deri në fund të vitit dhe do skanojë tërësisht gjendjen financiare. Sepse euforia, qoftë dhe e përmbajtur e triumfit që ka dëshmuar e majta, po mbaron dhe në sipërfaqe do dalin problemet. Gjatë kësaj kohe, disa eksponentë (Beqja, Gjiknuri etj) e kanë ngritur zërin për rrjepjen finale të arkës së shtetit; vërtet, Rama ka kërkuar që aktiviteti i dy muajve të fundit të qeverisë Berisha, të konsultohet edhe me qeveritarët e nesërm, por ndërkohë tullat po hiqen e po nduken nga çdo anë e grehinës. Dhe le të mos harrojmë të fundit: Është shumë herët që shqiptarët të gëzohen për TAP-in; efektet e këtij projekti do të vijnë shumë më vonë, ndërsa ngërçi financiar vjen që nesër. Më saktë, është shtruar këmbëkryq.

 

*Revista Klan

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.