Akademizmi kapitalist dhe totalitarizmi akademik

Iniciativa e një reforme të mundshme të arsimit të lartë ka nxitur të gjithë ata të cilët janë pjesë përbërëse e institucioneve akademike të gjithë ata të cilët dëshirojnë më të mirën për arsimin, të gjithë ata të cilët mendojnë dhe dëshirojnë të veprojnë mbi interesat politike dhe personale. Dhe në ketë kontekst janë mëse normale mendimet dhe opinionet të cilat edhe pse mund të jenë diametralisht të kundërta, duhet të pranohen, të shqyrtohen, të analizohen dhe të administrohen me kujdes. Kjo është një periudhë kur diskutimi për ideimin e një reformimi “të mundshëm” të arsimit të lartë në Shqipëri tenton të shtrihet në çdo institucion akademik, universitar dhe shkencor të vendit. Meditimi im personal mbi nocione të kësaj reforme ka qenë i ngadalshëm dhe konsekuent, por tepër determinant dhe i drejtpërdrejtë, kjo për disa arsye, duke filluar nga dëshira e madhe që edhe të rinjtë shqiptarë të marrin një edukim sa më të ngjashëm me atë të cilin unë kam pasur fatin të kem, por edhe për faktin e disa detyrimeve të trashëguara familjare, si stërnip i një prej atyre që hapën shkollat e para në gjuhen shqipe, gjë që na mundëson sot pas më shumë se një shekulli të komunikojmë dhe të kemi një përqasje me njëri-tjetrin në këtë gjuhë të mrekullueshme. Projekti i propozuar mbi reformimin e arsimit të lartë ka në themelin e vet disa parime bazë të “akademizmit kapitalist”, filozofi kjo e propozuar nga Sheila Slaughter dhe Larry Leslie në vitin 1997. Kjo mënyrë e administrimit të arsimit të lartë u kushtëzua nga realiteti ekonomik të cilin po e përjetojmë në kushtet e globalizmit. Sipas kësaj filozofie, forca kryesore e kërkimit shkencor nuk mund të jetë me “kurioziteti shkencor”, por “forca dhe kërkesa e tregut”. Kjo vjen si rrjedhojë e zvogëlimit të vazhdueshëm të financimeve të arsimit të lartë në vende si SHBA dhe të komunitetit europian. Ky neologjizëm, që konsiston në termin e “akademizmit kapitalist”, filloi të ushqejë një metodologji të re të konstruktimit të sistemit të arsimit të lartë fillimisht në vendet anglosaksone dhe më vonë, për shkak të tendencave globaliste, edhe në Europën kontinentale, paçka se forma e aplikuar në Europë ishte më e moderuar dhe e ndryshme. Gjithsesi, pas afërsisht një dekade, vende si Kanada janë duke hequr dorë nga filozofia e akademizmit kapitalist, i cili e sheh universitetin si një ndërmarrje dhe jo si një e mirë publike (Metcalfe, 2010). Ndërkohë, në vende si Britania e Madhe, akademizmi kapitalist solli një kontroll të plotë të objektivave dhe tipit të kërkimit shkencor në universitetet neoliberale nga tregu dhe biznesi (Monbiot, 2009). Diane Reay, profesoreshë e edukimit në Universitetin e Kembrixhit, do të na sillte disa fakte interesante në shkurt 2014, të cilat tregojnë dominimin apo blerjen e strukturave akademike dhe universitare, si dhe të kontrollit të cilësisë nga ana e biznesit, si p.sh. Këshilli Kërkimor i Mjekësisë (Medical Research Council) dominohet nga një multimiliarder në prodhimin dhe manifakturën e armëve, Këshilli i Mjedisit dhe Natyrës (Natural Environmental Council) është në pronësi të një biznesmeni ndërtimesh, Këshilli i Financimit të Edukimit të Lartë (Higher Education Funding Council) menaxhohet nga një pronar pasurish të paluajtshme, Universiteti i Oksfordit, Rupert Murdoch kryeson linguistikën dhe komunikimin etj., duke humbur kështu vlera më e çmuar e sistemit Humboldtian, liria akademike. Modeli i akademizmit kapitalist do t’i kalonte universitetet nga një e mirë publike, në struktura në varësi të kapitalit, dhe pa dyshim që ky nuk mund të konsiderohet një fenomen pozitiv. Gjithsesi, filozofia e “akademizmit kapitalist” tashmë e propozuar edhe te ne, nuk do të aplikonte të ashtuquajturat parimet mertoniane të shkencës të vendosura në vitin 1942 nga Robert Merton, të njohura si normat CUDOS (communalism, universalism-universale, disinterestedness; pa interes, originality-origjinal and skepticism-skepticizem). Modeli mertonian i shkencës lë pak vend për shkencën e komercializuar në ekonominë neoliberale. Në modelin e akademizmit kapitalist humbet termi student dhe zëvendësohet me klient apo konsumator, i cili vjen në universitet dhe pasi paguan universitetin, “klienti blen dijen”? Universiteti në akademizmin kapitalist duhet t’i shërbejë individit dhe biznesit, ndërkohë që parimet e deritanishme e projektojnë universitetin në shërbim të shoqërisë, komandimi dhe kontrolli i universitetit sipas akademizmit kapitalist është piramidal, ndërkohë që modeli i deritanishëm e shikon si kolegjial, fuqia sipas modelit të akademizmit kapitalist i kalon rektorit dhe menaxherit të universitetit, këshilltarët e këtij universiteti duhet të jenë të jashtëm dhe më tepër nga bota e biznesit, duhet të ketë më shumë personel të pjesshëm, rrogat e punonjësve duhet të jenë sa më të larta, lidhjet me biznesin duhet të jenë sa më të fuqishme, duke arritur deri në krijimin e inkubatorëve të ndërmarrjeve akademike, studentët janë klientë të dijes dhe objektivi i tyre është punësimi dhe tregu, duke i transformuar ata në subjekte për t’u shfrytëzuar nga ky treg, ndërkohë që modeli humboldtian i projekton ata si pjesë përbërëse të shoqërisë civile, mendimit kritik dhe pjesëmarrjes në demokraci. Sigurisht, në një realitet si ky që jetojmë, ku globalizmi dhe neoliberalizmi, si filozofi të djathta shtrëngojnë gjithë planetin nën nofullat e tyre të stërmëdha, vendimet për zgjedhjen e modelit më të mirë apo më të keq janë vendime të vështira dhe me konsekuenca të panegociueshme paraprakisht. Pa dyshim që rruga e akademizmit kapitalist do të na përafronte në rrugën e globalizmit, por do të na sillte një rritje të cilësisë dhe, ç’është më e rëndësishmja, do të na distanconte edhe më shumë nga injoranca? Kam përshtypjen që jo! Edhe ithtarët më të flaktë të akademizmit kapitalist shprehen që aplikimi i këtij modeli ka nevojë për një sistem të kulturuar dhe të kultivuar, i cili do të bente të mundur absorbimin e këtij sistemi në indin lidhor të shoqërisë. Unë mendoj që vendi ynë akoma nuk e disponon një realitet të tillë. Pikërisht ideatorët dhe teoricienët e këtij modeli të propozuar konsiderojnë si faktorë të panegociueshëm për aplikimin me sukses të akademizmit kapitalist trashëgiminë e mjaftueshme akademike, rregulla të forta të sistemit të edukimit, kontroll të lartë të cilësisë, të tria elemente këto të cilat në Shqipëri nuk ekzistojnë aspak ose shumë pak. Mungesa e këtyre tri elementeve do të çonte në eliminimin total të lirisë akademike të fituar dhe në zëvendësimin e demokracisë akademike në forma totalitare të organizimit universitar. Aplikimi i akademizmit kapitalist në vendin dhe kohën e gabuar do të sillte një totalitarizëm absurd. Për paralelizëm, historia na ka treguar që filozofi përparimtare të aplikuara në vendin e gabuar kanë prodhuar “kimerat” sociale, të cilat kanë sjellë vuajtje rrëqethëse për njerëzimin, si p.sh. aplikimi i marksizmit në një vend feudal siç ishte Rusia në fillim të shekullit XX, apo tentativa e introduktimit dhe eksportimit të demokracisë dhe globalizmit në vende si Iraku apo Siria, gjë që edhe neorepublikanët më konservatorë të Universitetit të Harvardit e pranojnë tashmë si një gabim absurd. Gjithsesi, aplikimi i akademizmit kapitalist në një rrethinë të civilizimit botëror, sikurse është fatkeqësisht Shqipëria, mund të mbjellë edhe farën e keqe të totalitarizmit akademik, gjë që do të sillte në mënyrë të pashmangshme edhe obskurantizmin rrëqethës që e shoqëron. Terreni dhe toka është shumë fertile për t’u mbarsur me një pjellë të tillë. Pikërisht kur mendimet dhe njohuritë filozofike mbi ketë model të propozuar kristalizohen dhe renditen në mendjen time, pak ditë më parë vihem në dijeni të pezullimit të dekanit aktual të Fakultetit të Mjekësisë nga ana e rektorit të emëruar të Universitetit Mjekësor të Tiranës, me pretekstin e një abuzimi dhe dëmi ekonomik, akt ky i cili nuk është gjë tjetër veçse një prolog, që tregon për fertilitetin malinj të këtij ambienti, ku fara e mungesës së lirisë akademike, e totalitarizmit të mendimit, të mungesës së dijes shkencore, ndërthurur me injorancën, inatin dhe mediokritetin, është aq pjellore. Sigurisht, preteksti për dëm ekonomik dhe korrupsion sot është edhe termi më në modë, por përfundimi duhet të vendoset në gjykatë, dhe për sa kohë ky institucion nuk është shprehur, atëherë çdo njeri duhet të konsiderohet i pafajshëm. Sigurisht, nuk dua të merrem me individin, në rastin konkret dekanin e Fakultetit të Mjekësisë, por me fenomenin. Dekani i Fakultetit të Mjekësisë tashmë i pezulluar, jo për faktin e dëmit ekonomik, as për faktin që nuk është mjek, por është pezulluar për të vetmen arsye se nuk u bë anëtar i klubit mafioz që komandon këtë institucion. Sigurisht që dekani Hysa nuk është prof. Jeffrey S. Akman, ekonomist, profesor në administrim mjekësor dhe dekan i George Washington school of medicine, Fakultet i Mjekësisë i themeluar në vitin 1824, apo prof. Flotte, biolog, dekan i Fakultetit të Mjekësisë së Universitetit të Massachusetts, por të qenit jo mjek dhe thjesht profesor i shëndetit publik dhe administrimit spitalor, i jep të drejtën kujtdo të zgjidhet si dekan i fakultetit të mjekësisë si kudo në botë. A mundet që një individ i zgjedhur të pezullohet pa një akt fajësie nga një individ tjetër i emëruar? A mundet që liria dhe autonomia akademike e stafit të Fakultetit të Mjekësisë të zhubravitët në ketë formë? A mundet që një sistem mafioz në duar të pseudointelektualëve nën një metamorfozë regresive darviniane të komandojnë ligje, parime, individë, zgjedhje dhe të hedhin në kosh të plehrave meritokracinë, karriera, emra, reputacione dhe personalitete me kaq lehtësi? A mundet që një universitet fantazmë, një kimere e shëmtuar e pseudointelektualizmit të mos kritikohet nga i gjithë ai Profesorat i nderuar i Fakultetit të Mjekësisë, por edhe më gjerë? A mundet që fashizmi akademik dhe autokracia e mendimit të gjejnë terren, ndërkohë që ne flasim për neoliberalizëm, për progres post-modernist apo akademizëm kapitalist? A mundet që universalizmi i mendimit akademik dhe shkencor të transformohet në një kioskë të izoluar, sikurse është edhe Universiteti i Mjekësisë? Që në dhjetor 2012 u shprehëm që themelimi i Universitetit Mjekësor në këtë terren akademik do të ishte një gabim i rëndë që do të donte kohë të riparohej. Universiteti Mjekësor bunkerizoi edukimin dhe karrierën profesionale. Ka humbur neutraliteti i Senatit të Universitetit, nepotizmi po bën batërdinë dhe për rrjedhojë edukimi mjekësor ka bërë hapa prapa. Kjo strukturë nuk ka baraspeshën e kontrollit dhe neutralitetit të gjykimit, gjë e cila ka prodhuar një servilizëm të hapur dhe mungesë profesionalizmi. Por kurrë nuk e kisha menduar që mund të arrihej deri këtu. Kjo që ka ndodhur nuk është “meritë” vetëm e ambientit dhe rrethanave, nuk është pasojë e një trashëgimie shkencore dhe akademike pothuajse inekzistente që disponojmë, nuk është “meritë” e indiferentizmit pseudointelektual, varfërisë dhe injorancës që po na shkallmon, tendencës ezksitencialiste përballe parimeve, por sigurisht do të jetë “meritë” edhe e administratës qeveritare nëse e lë pa ndëshkuar një vendim të tillë për të pezulluar një dekan të zgjedhur. Ky puç institucional do të krijojë një precedent të tmerrshëm për të ardhmen e institucioneve akademike në vend, të cilat pas kësaj ngjarjeje të shëmtuar, tipike fashiste, aspak kurajoze dhe komike njëkohësisht duke zgjedhur edhe periudhën kur studentët dhe pedagogët janë me pushime, do të kthehet në një fenomen reprezaljesh “ad continuum” për të gjitha vitet që do të vijnë, kur çfarëdolloj ligji apo reforme të aprovohet apo ligjërohet, nuk do të merret në konsideratë, por përkundrazi, çdo organ akademik do t’i nënshtrohet purifikimit të klubeve mafioze të vendit. Ky akt banal, tipik pretorian i zbukuruar me sëpatat e liktorit, tregon se çfarë mund të ndodhë në këto institucione me aplikimin e tendencave të akademizmit kapitalist të pakontrolluar dhe të aplikuar në një terren me individë aspak të përgatitur mendërisht për një reformë të tillë. Jam i sigurt që përfundimi do të jetë shqyerja e derës së dekanit pas pezullimit të tij. Për më tepër kur ky universitet, tashmë, pas një farse emërimesh ka rënë në duart e oligarkisë mafioze, e cila tenton të obliterojë çdo krah të politikës shqiptare duke e kompromentuar atë si dhe njëkohësisht duke ndarë interesat financiare midis anëtarëve të piraterisë akademike, të mbushur me shkëmbime favoresh, interesash, pozicionesh hierarkike, falsifikimesh dhe plagjiaturave shkencore, titujve të pamerituar, si dhe duke shkatërruar çdo iniciativë progresi dhe dinjiteti individual. Është fyese për akademizmin shqiptar sado në fazë elementare dhe i parritur qoftë ai, të përbaltet dhe të suportojë këto xhaketa të cilat notojnë në lëtyrën e mediokritetit, për më tepër kur bëhen edhe protagonistë të “reformimit institucional dhe të arsimit të lartë”. Përtej fenomeneve paralajmëruese të aplikimit të totalitarizmit akademik në mjekësi nëpërmjet aktit të pezullimit të dekanit të zgjedhur, ku në të vërtetë nuk është pezulluar individi, është pezulluar institucioni i votimit, është pezulluar i gjithë stafi akademik i këtij institucioni. E trishtueshme dhe e mjerueshme njëkohësisht, akte të cilat nën aprovimin e institucioneve, sigurisht nuk mund të sjellin asnjë konkluzion pozitiv ndaj reformës së akademizmit kapitalist që po projektohet. Gjithsesi, Universiteti mjekësor i Tiranës, një absurditet i sistemit arsimor që erdhi si një produkt i një kulture indigjene lokale dhe aspak e studiuar, tashmë, edhe pse shumë i ri, ka dhënë shenjat e dekompozimit, dhe që pa dyshim kërkon zgjidhje radikale, të forta dhe të drejta në të mirë të brezave të mjekëve që duhet të formojmë. Si ka mundësi që institucionet qeveritare nuk i ha meraku që Universiteti mjekësor, edhe pas një viti e gjysmë nga krijimi, akoma nuk ka bërë zgjedhjet për rektorin, Senatin, Këshillin e Administrimit, dekanët e fakulteteve të reja? Si ka mundësi që janë emëruar dy rektorë dhe asnjë prej tyre nuk ka gjetur kohën për të vendosur 200 pedagogë në procesin zgjedhor? Rezulton që në vend që të organizojnë zgjedhjet për të vendosur legjitimitetin institucional, programojnë emërime, zëvendësime, eliminime. Ndërkohë që Fakulteti i Mjekësisë, si i vetmi në vendin tonë, duhet të qëndrojë larg episodeve të tilla dhe duhet të reflektojë shkencën, kërkimin, arritjet, harmoninë, mësimdhënien, iluminizmin, progresin dhe prosperitetin. Ndërkohë ndiej vetëm keqardhje për veten dhe për të gjithë ata të cilët mendojnë që akademizmi kapitalist, si forma më globaliste e arsimit të lartë, të ketë edhe shansin më të vogël për t’u aplikuar me sukses në një realitet kaq regresiv dhe në kushtet e përçudnimit të shpirtit të molepsur të “intelektualit”.
Shef i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, QSUT
Comments
Me pelqeu shume shkrimi i

Me pelqeu shume shkrimi i autorit sidomos pjesa e pare teorike ku autori flet per arsimin dhe sistemet. Ndaj afersisht te njejtat opnione dhe ndjenja rreth implementimit ne sistemin tone arsimor akademizmin kapitalist i cili per vete natyren nuk lejon zhvillimin e shkencave qe per momentin nuk jane fitimprurese por qe jane fondamentale ne kuptimin dhe perceptimin e realitetit natyror. Jo vetem ne arsim por ne cdo fushe te jetes sone ka nje tendence qe te implementojme skema qe gatshme qe na kursejne kokecarjen dhe debatet por qe sic e dime na sjellin drejt prapambetjes dhe ku me mire do kish qene te berit asgje sesa tani ta zhbejme dicka per ta ribere nga e para.

Sistemi shqiptar ka disa tipare interesante qe kushtezojne negativisht punen e individit te drejte pra per pasoje vete personalisht nuk kam besimin me te vogel qe dekani i fakultetit te mjekesise te kete qene person i ndershem i ardhur me nder ne krye te fakultetit si pasoje e zgjedhjeve te lira te studenteve. Nese i pyet studentet ne konfidencialitet te tregojne ca histori shume interesante korrupsioni jo vetem per dekanin por mbase edhe per shume kolege te nderuar te autorit te ketij artikulli. Nuk ja vlen te mbrosh nje funderrine te tille.

Qe te moskeqkuptohemi deshiroj te lexoj serish shkrime te tilla teorike nga Z. Prifti te ndara here tjeter ne paragrafe dhe me koncize :)

Shef i Kardiokirurgjise dhe

Shef i Kardiokirurgjise dhe per pak kohe...ky eshte problemi jot Edvin.

Sa do te doja te besoja gjithe idealizmat e tua dhe vokacionin tend te brendeshem per te ndihmuar brezat e rinj. Por duke te njohur mire nuk mundem. Nqs klika e vjeter mafioze eshte nje dhembje e madhe per mjeket shqipetare, mafiozet e rinj si puna jote jane humbja e shprese per nje te ardhme me te mire...

Pranoje faktin qe do te te shkarkojne me padrejtesi ashtu sic pranove qe te vune shef me padrejtesi...sepse ti je koke e kembe i padrejte

bravo prof. prifti. fjalet e

bravo prof. prifti. fjalet e anonimit duhet te jene te ndonje nga koleget te cilet i mesuat. Dr. prifti me kaoperuar vellain me shume sukses, dhe arriti qe te ktheje besimin pasi me pare njereit nuk pranonin te operoheshin nga emra ne qsut nga vdekjet e shumta. urime dhe suksese

Shkrim shume i bukur.

Shkrim shume i bukur. Koncepti i "Akademizmit kapitalist" te rrenqeth trupin kur mendon se si ky lloj koncepti ka arritur te fshije nga dheu mendimin kritik edhe nga universitete shume te medhaja e prestigjoze ne Amerike. Po nejse.

Ju lutem na sillni sa me shume shkrime te tilla. Kam vetem nje sugjerim, gjuha plot me fjale te huaja gje qe e ben te lodhshem leximin e artikullit

Add new comment