10 probleme për dosjen e vrasjeve te Kryeministria

Postuar në 27 Nëntor, 2011 02:07
Sokol Çobo

Kur duhej të ishte një nga hetimet më shembullore për vënien para përgjegjësisë penale të autorëve, dosja e 21 janarit vazhdon të jetë në vendnumëro, ku një sërë institucionesh kanë “penguar” prokurorinë për zbardhjen e autorëve të vrasjeve para selisë kryeministrore. Grupi i hetimit është quajtur “puçist” nga mazhoranca qeverisëse, pasi tentoi të ndalojë drejtuesit më të lartë të Gardës së Republikës, të cilët u morën në “mbrojtje” nga institucione dhe persona të veshur me pushtet. Ngjarja ku humbën jetën katër persona ndodhi në mes të ditës, në mes të qytetit, për më tepër në prani të një numri të madh kamerash e aparatesh fotografikë, nga Shqipëria dhe e gjithë bota. U filmuan dhe fotografuan persona të veshur me uniformë, teksa qëllonin ndaj turmës së protestuesve, ndërsa dëshmitë e para të të plagosurve flisnin se garda i kishte qëlluar me armë zjarri. U ndërtua dhe rindërtua vendi i ngjarjes, bazuar nga këto filmime, madje u përcaktuan edhe vendet e “vrasësve” që ishin brenda rrethimit të Kryeministrisë. Pa kaluar shumë kohë nga dita e ekzekutimit publik të katër personave, prokuroria urdhëroi ndalimin e një gardisti, që ishte filmuar teksa qëllonte në drejtim të turmës. U vërtetua shkencërisht që Agim Llupo qëlloi mbi Ziver Veizin, megjithëse ky i fundit nuk po kryente asnjë veprim të jashtëligjshëm. Viktima kishte fushëpamje nga selia kryeministrore dhe është qëlluar pothuajse në të njëjtën kohë me Hekuran Dedën. Kaluan disa ditë nga hetimet dhe prokuroria urdhëroi ndalimet e drejtuesve madhorë të Gardës së Republikës, pasi dyshoheshin se kishin gisht në vrasje. Në këtë moment, midis institucioneve që vareshin nga ekzekutivi dhe prokurorisë filloi një “luftë e ftohë”, e cila do të pasohej në rezultatet e hetimit të kësaj ngjarjeje. Kanë kaluar mbi 10 muaj dhe prokuroria ka të njëjtat rezultate pas arrestimit të Llupos. Institucionet nuk zbatojnë detyrat ligjore, madje në rastet kur duhet të protokollojnë prova për këtë ngjarje, vonojnë kthimin e përgjigjes, me të vetmen arsye: sabotimin e hetimeve. Gazeta “Shqip” ka evidentuar 10 problemet madhore të dosjes së 21 janarit, megjithëse ato mund të jenë me qindra.

1. Urdhër-ndalimet

“Krisja” midis prokurorisë nga njëra anë dhe policisë e Gardës nga ana tjetër, filloi vetëm disa orë pas ngjarjes. Një urdhër i Prokurorisë së Tiranës, i firmosur në orët e para të 22 janarit, u protokollua në Policinë e Shtetit dhe bënte fjalë për ndalimin e drejtuesve madhorë të Gardës. Policia e Shtetit dhe Tiranës hezituan të zbatonin vendimin, aq sa prokuroria i dërgoi një urdhër-kujtesë edhe ministrit të atëhershëm të Brendshëm, Lulzim Basha. Pas shumë peripecish, drejtuesit e Gardës pranuan të shoqëroheshin në polici, megjithëse morën aprovimin se nuk do të arrestoheshin.

2. Provat në morg

Faza e dytë e “përplasjeve” prokurori-qeveri erdhi në momentin që hetuesit e çështjes po mblidhnin prova për zbardhjen e vrasjeve të 21 janarit. Hetuesve u është dashur 6 orë që të presin në morg, që të marrin një provë. Midis palëve pati edhe “përplasje”, pasi drejtuesit e Mjekësisë Ligjore pretenduan se prokurorët i futën provat në xhep, ndërsa akuza tha se ka dokumentuar me filmime marrjen e këtyre provave. Megjithatë, rezultatet e Mjekësisë Ligjore ishin disi të pritshme: Plumbat që goditën viktimat e 21 janarit kishin deformime, duke hedhur idenë se janë qëlluar me rikoshet.

3. Armatimi i Gardës

Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës shkoi në Gardën e Republikës, me qëllim që të sekuestrojë armatimin. Kishte dyshime se viktimat ishin qëlluar me këto armë dhe municione. Fillimisht, sipas të dhënave të hetuesve, ata nuk janë lejuar të futen në këtë godinë dhe nuk u dorëzua i gjithë armatimi, me arsyetimin se “po mbronin institucionet shtetërore”. Armatimi u dorëzua pjesë-pjesë.

4. Sekreti hetimor

Një ndër arsyet që ka ndikuar në punën e prokurorisë kanë qenë sulmet e vazhdueshme të mazhorancës qeverisëse ndaj grupit hetimor. U pretendua se prokuroria nxori sekretet hetimore, pasi publikoi urdhër-ndalimet ndaj drejtuesve të Gardës. Madje, edhe Prokurorja e Përgjithshme u cilësua “puçiste” e me pseudonime të tjera.

5. Vonesat e ekspertimeve

Laboratori kriminalistik në Ministrinë e Brendshme kreu ekspertimet e armatimeve të Gardës së Republikës. Këto veprime u vonuan në maksimum, aq sa rezultatet u shpallën rreth muajit mars të këtij viti, kur kishin kaluar mbi dy muaj nga ngjarja. Rastet u përsëritën sërish muajt pasardhës, aq sa të gjitha ekspertimet përfunduan rreth fundit të majit.

6. Prova nga Turqia

Një nga provat që mund të zbardhte një nga vrasjet e 21 janarit ishte ardhja e plumbit që u gjet në trupin e Aleks Nikës. Prokuroria dërgoi në shtetin turk një letër-porosi ku kërkonte që kjo provë t’u servirej. Pas shumë peripecish, plumbi ka ardhur në Shqipëri katër muaj e gjysmë pas ngjarjeve. Zarfi kaloi nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Përgjithshme për të përfunduar më pas në Prokurorinë e Tiranës. Për më tepër, predha kishte mjaft deformime.

7. Vendimet e gjykatave

Pas “thyerjes” së akullit mes akuzës dhe Gardës dhe dorëzimit vullnetar të disa gardistëve që përbënin të ashtuquajturin “grupi i zjarrit”, prokuroria dërgoi në gjykatë disa kërkesa për masë sigurimi arrest me burg. Kishte dyshime se këta persona kishin qëlluar ndaj demonstruesve, pasi në gardhin metalik të Kryeministrisë ishin gjetur gjurmë nga plumbat në një lartësi të ulët. Vendimet e gjykatave ishin në favor të këtyre personave. Tashmë, krahas Agim Llupos, asnjë nga këta persona nuk është në burg.

8. Kamerat e Kryeministrisë

Prokuroria tentoi disa herë që të marrë në dorëzim serverin që kishte pamjet e demonstratës së 21 janarit. Me një shkresë zyrtare, grupi hetimor iu drejtua Këshillit të Ministrave, ndërsa fillimisht mori përgjigjen: Nuk ka një server të tillë. Pas ndërhyrjeve të hetuesve amerikanë, serveri u dërgua në prokurori.

9. Letërporosia për në SHBA

Prokuroria ka dërguar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës një sërë provash për 21 janarin, që nga plumbat e gjetura në trupat e viktimave, gëzhojat e armatimin e disa gardistëve, për të cilët dyshon se kanë qëlluar ndaj demonstruesve. Megjithatë, “rruga” që kanë kryer këto prova për të shkuar në SHBA ka qenë e gjatë. Këto prova janë nisur në mes të muajit korrik nga Prokuroria e Tiranës dhe pasi u protokolluan në Prokurorinë e Përgjithshme janë dërguar në Ministrinë e Drejtësisë. Grupi hetimor ka marrë aprovimin se në mes të muajit shtator, këto prova kishin shkuar në destinacion.

10. Dëshmitarët & eksperimenti

Prokuroria e ka pasur të vështirë që të sigurojë dëshmi nga punonjësit e Gardës së Republikës. Disa herë është tentuar që të merren në pyetje drejtuesit, të cilët i janë përgjigjur shkurt e prerë, duke mos dhënë asnjë detaj nga vrasjet. Dëshmitë kanë qenë: zbatuam detyrën. Një tjetër problem për akuzën ka qenë moskryerja e eksperimentit, pasi institucionet nuk kanë pasur bashkëpunimin e nevojshëm.

Shqip

Comments

Submitted by loni (not verified) on

<p>Per mua do te ishte me e drejte qe te drejtohet gishti tek krimineli shpellar Sali Berisha dhe hajduti Lulezim Basha, sepse dihet tashme boterisht kush ishin vrasesit e ketyre 4 te mjereve qe kerkonin pune e drejtesi. Nuk mund te presim asnje gje nga kjo prokurori e mbytur dhe e lidhur nga krimineli sali berisha, ky taleban i ndyre qe po mban peng vendin duke e izoluar dhe ndare akoma edhe me shume nga Europa.</p><p>Ne kete shtet letre ku nuk funksionan asnje gje, as prokuroia, as drejtesia, as ushtria, as policia, as edhe nje segment i vetem superstrukture apo infrastrukture, ne kete shtet ku krimineli taleban sali berisha punon vetem per vjedhe dhe krime dhe per asnje gje tjeter, (bukur ka shkruar z. Mustafa Nano para ca ditesh...&quot;nuk kane me ndroje, bejne c&#39;te duam&quot;...) duhet nje permbysje radikale per t&#39;i dhene gjithkujt vendin qe meriton...plehrat me plehrat dhe njerezit e ndershem me te te ndershmit, te zotet dhe te aftet, te diturit dhe te perkushtuarit te marrin fatet e vendit ne dore dhe ta drejtojne perseri kah Europa.</p><p>Uroj me gjithe zemer qe haku i 4 mjeraneve te vrare pas shpine nga talebani sali berisha dhe idioti lulezim basha t&#39;i zere sa me pare te gjithe qente e zinxhirit vrases berisha, basha, imami, komandant garde, gardist, e prokurore qe tallen me popullin.</p><p>Uroj qe shqiptaret te mos e lene me talebanin kriminel sali berisha te tallet me Shqiperine.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.