Është simbolika, budalla!

Një nga naivitetet e gazetarisë së përditshme shqiptare është edhe rendja me nxitim pas besimit se njeriu, përfshi edhe qytetarin shqiptar pra, është ajo animal rationale (kafsha racionale) në kërkim të politikës konkrete që flet me gjuhën e argumenteve dhe të shifrave. Problem është se imazhi i njeriut si kafsha racionale që ëndërronte dikur iluminizmi dhe, tek i cili besonte deri para pak kohësh edhe ekonomia, është iluzor dhe i paplotë. Si rrjedhim edhe bota që njeriu ka krijuar, para se të jetë racionale, konkrete, fizike, ekonomike është një botë simbolike. Një realitet i tejngopur simbolesh, ku gjuha, mitet, arti, feja, shkenca dhe politika janë vetëm disa prej atyre fijeve të shumta simbolike me të cilat njeriu përballë para një tezgjahu të madh sa vetë bota, end eksperiencat e koklavitura njerëzore. Në këtë univers simbolik as politika nuk mund të jetë një laborator faktesh sterile e kokëforta, por më së shumti një skenë teatrale emocionesh, fantazish, frikërash, makthesh, shpresash, iluzionesh e ëndrrash. Në këtë skenë vepron edhe politikani.
Në këtë kontekst duket paksa absurd nguti gazetaresk për t’i kërkuar qeverisë që në javët e para akte dhe aksione konkrete, të cilat, edhe kur ndodhin, zhvlerësohen si “thjesht simbolike”. Për njeriun si animal symbolicum, aktet simbolike kanë efekte maksimale brenda një kohe dhe kostoje minimale. Përveç kësaj, seç i vjen era hipokrizi këtij nxitimi gazetaresk për të zhvlerësuar si simbolike veprimet e një qeverie, sepse dihet botërisht që pikërisht për këta gazetarë politika simbolike është ushqimi kryesor, me të cilin ato, edhe pse nuk paguhen (siç deklaroi kryetari i Unionit të Gazetarëve) ushqehen dhe ushqejnë çdo ditë publikun. Ushqimi, të cilin pikërisht media e nxit dhe, shpesh, e prodhon për interesa të veta. Për ekranet televizive dhe faqet e gazetave, politika e mirëfilltë, ajo konkrete, që u sjell qytetarëve përmirësime të prekshme në shumë fusha të jetës, është e mërzitshme dhe monotone. Politika simbolike është ajo që prek zemrat e njerëzve dhe jo argumentet racionale e as shifrat e rritjes ekonomike apo mijëra kilometrat rrugë të asfaltuara. E cili gazetar nuk do vraponte me qejf pas kryetarit të Bashkisë Basha, rrezatues mbi një biçikletë, edhe pse e di se ky është thjesht një akt simbolik që nuk ka fare lidhje me politikën konkrete, e cila do të duhej ta përmirësonte transportin me biçikleta të qytetarëve? Cili gazetar nuk do ta shoqëronte ministrin Veliaj teksa transporton personalisht një fëmijë në spital me makinën e tij, edhe pse e di se ky është një akt simbolik për të fituar ca zemra prindërish dhe nuk ka aspak lidhje me politikat konkrete të reformës në sistemin shëndetësor.
E vetmja gjë që mund të bëjnë gazetarët është të kujdesen për sensin e masës, duke bërë që politika simbolike të mos jetë arma e vetme e politikanëve për të ardhur e për të ndenjur në pushtet. Shkurt, t’i shtojë paksa racionalitet koktejit simbolik të natyrës njerëzore.
/MAPO/
Comments
Fatkeqesisht njeriu nuk eshte
<p>Fatkeqesisht njeriu nuk eshte gjithmone kafshe racionale dhe ky eshte problem qe Frojdi vdiq pa e zgjidhur as minimalisht,veçse e nxorri ne siperfaqe si problem.Sepse gazetaret shkruajne pa u paguar,si ekonomistet qe bejne bilancet e kompanive private pa marre rrogen,si punetoret e naftes dhe te rafinerive qe kerkojne rrogat prej nje viti,etj,keto jane probleme(e drama)qe kane te bejne me sistemin kapitalist spekulativ klientelist e jo me ata qe shpresojne te punojne.Kam simpati per personin dhe dua te ruaj seriozitetin e debatit,por autori po perpiqet te vere ne diskutim vete diskutimin,dmth se gjesti i Veliajt ishte apo jo gjest simbolik.Te tere nuk mund te biem ne nje mendje,se ndryshe do perqafonim shabllonet e dogmat,se bota eshte e bukur ngaqe e shumellojshme e çdokush e sheh me shqisat e tij.Mua m'u duk ca propogande sjellja e Erjonit,madje,te isha ne vendin e tij do beja me shume pune nga zyra,se nuk do harxhoja as benzine,as CO2 ne trafik,se mjafton nje sms apo thirrje celulari,qe kompanite t'i japin falas,psh isha para nje muaji dhe AMC jepte 1200 minuta me 5000 leke te vjetra,kurse nga ministria ne spital dhe anasjelltas do 10 mije leke benzine.Pastaj,pse gazetaret shkojne pas lajmeve me te panevojshme,kjo nuk eshte per faj te tyre po per faj te publikut,pasi sipas sondazheve jane lexuesit ata qe preferojne lajmet e panevojshme dhe ato roze e domosdo gazetari i shkrete duhet te pershtatet per interes te medias dhe sponsoreve,nese shpreson te punoje.Pse publiku nuk lexon Markezin apo Hemingwej-in,por gelltit me uri"Palomen",thashethemet e star-ve dhe bukurite boshe te fotomodeleve,ky eshte nje trend boteror,i njejte me revolucionin e lavatriçeve, qe i mesuan grate te harrojne se rrobat lahen edhe me dore.Psh,vini nje foto te Kim Kardashian dhe nje fjalim te Obames per fillimin e Luftes se IV-t boterore,do vini re se me shume lexues do ndjekin lajmin per Kimin qe del ashtu rastesisht e kolme sesa nje lajm mbi luften eventuale.Duke mos qene i ketaj fushe natyrisht qe dijet i kam te limituara,por ketu eshte Cukali apo te tjere gazetare,qe edhe pse kane punuar e shpesh besoj se nuk jane shperblyer per honoraret,doemos do bejne nje pune dhe kjo pune u ra per pjese.Ndersa,qe te mos humb fillin,Veliaj beri shume mire qe morri djalin e vogel rom,neser do beje shume mire te ushqeje nje lypsar rruge,(e shtypi do ta ndjeke se ky eshte lajm ne vetvete)por kam frike se Veliaj ka nje axhende pune mjaft te ngarkuar,qe sikur ne krye te kater vjeteve te arrije 60% te objektivave,per mua eshte goxha arritje,ndaj mendoj qe nuk ka pse te merret ai me kete show,kur ne detyren qe ka gezon privilegjin ti zgjidhe me celular shpejt e shume me shpejt.</p>
Add new comment