Çfarë (nuk) tha Kisha Katolike?

Postuar në 30 Prill, 2015 07:43
Gjergj Meta

Kisha nuk duhet të merret apo të rreshtohet me partitë, por askush nuk mund ta ndalë atë të thotë të sajën në çështjet politike. Për aq kohë sa fjala politikë do të ketë brenda rrënjën polis, këtë të drejtë nuk mund t’ia heqë askush, duke qenë se Kisha është pjesë e këtij polis­i edhe për aq kohë sa fjala kishë vjen nga ekklesía (greqisht, biblike), nga qahal (hebraisht), që do të thotë popull. Polis është komunitet, është bashkësi, është jeta konkrete e njerëzve, e atyre që çdo ditë ëndërrojnë të krijojnë një familje, i gëzohen lindjes së fëmijëve, gjetjes së një vendi pune, diplomimit pas vitesh studimi, martesës së tyre, dëshirojnë të ndërtojnë një të ardhme, por që po ashtu i hidhërohen një vdekjeje, një dështimi në jetë apo një vuajtje. Në këtë polis jemi të gjithë pjesëmarrës e të gjithë përgjegjës. Kur Kisha Katolike, e pranishme në një vend, me anë të barinjve të saj, që janë pjesa përfaqësuese e Kishës, pra e bashkësisë së atyre njerëzve konkretë, burra, gra, fëmijë, pleq, të varfër e të pasur, të majtë e të djathtë, flet për një çështje, ajo është në të drejtën e vet. E bëra këtë hyrje të domosdoshme për të thënë që, sa herë Kisha bën një deklaratë në prag të zgjedhjeve, apo për çdo çështje tjetër që ka të bëjë me jetën e njerëzve, ajo shprehet mbi një res publica, një gjë që nuk i përket vetëm një partie, apo një pjese njerëzish, por publikut, të gjithëve.
Në letrën e fundit për zgjedhjet lokale, Kisha Katolike në Shqipëri ka thënë disa gjëra, por ndoshta mund të kishte thënë edhe të tjera. Patjetër që një letër e tillë është një sintezë e cila kap problemet më të mprehta, por jo të gjitha ato probleme që shkakton një proces zgjedhjesh, sidomos në Shqipëri.
Një nga problemet që ka prekur letra e ipeshkvijve janë të varfrit dhe kujdesi që duhet kushtuar ndaj tyre. Pjesa më e madhe e mediave, duke komentuar letrën e ipeshkvijve, janë përqendruar në procesin e dekriminalizimit, pasi është ndër problemet e mprehta aktuale, për të cilin janë angazhuar edhe partnerët ndërkombëtarë. Por, sipas mendimit tim, problemi i të varfërve është akoma më i mprehtë dhe më i rëndësishëm se i pari. Po shohim se si eksodi, për të cilin po flitet shumë këto ditët e fundit, është një kambanë e rëndësishme, e cila shpresojmë se do të bëjë të reflektojë në veprimtarinë e qeverisë për ripërtëritjen e shpresës. Duhet thënë gjithashtu se varfëria nuk ndodhi sot, thjesht ajo plasi sot, por ajo është një proces që ka vite që zhvillohet, pasi është pasojë e korrupsionit dhe klientelizmit, që prej vitesh kanë mbërthyer jetën shqiptare. Tani, për shumë arsye që nuk po i rendis këtu, thjesht qelbi i varfërisë po shpërthen.
Por ka fatkeqësisht edhe një të vërtetë tjetër të madhe, që e vështirëson çështjen e varfërisë. Askush prej atyre që sot janë në Parlament apo në qeveri, që janë kandidatë për kryetarë bashkish apo komentues të mediave, nuk e dinë se çfarë është varfëria (me shumë pak përjashtime). Po ta shohësh me kujdes, asnjëri prej tyre nuk ka problem mbijetese ekonomike, madje ndër politikanë dhe njerëz mediash ndahen pasuri të mëdha. Kjo sjell në humbjen e kontaktit me realitetin konkret dhe çdo diskurs mbi varfërinë kthehet në demagogji ose ideologji.
Nuk është kusht i domosdoshëm që duhet të jenë të varfër, por nuk mund të humbin kontaktin me të varfrit nëse duan t’u shërbejnë atyre. Pikërisht fjala shërbim është ajo më e duhura kur flasim për politikë. Polis­it i duhet shërbyer qoftë edhe me kosto personale. Shërbimi është shpirti i politikës. Por askujt nuk mund t’i shërbesh nëse nuk ke dashuri e nuk mund të kesh dashuri nëse nuk e njeh dikë. Nëse nuk mund të kemi dashuri për varfërinë, duhet të kihet dashuri për të varfrit. Realitetit politik ose më mirë partiak shqiptar i mungon pikërisht ky kontakt me realitetin. Pasuria për shumëkënd që merret me politikë është kthyer në një kullë të fildishtë, që e ndan nga masa e gjerë e njerëzve. Shihet qartë se politikëbërja është reduktuar në konferenca shtypi, deklarata zëdhënësish, mesazhe në facebook dhe në twitter. Kontakti me njerëzit konkretë është në masën më të madhe vetëm funksional për ditën e zgjedhjeve dhe vetëm gjatë fushatës. Sa herë kemi asistuar dhe asistojmë në kryetarë bashkish, të cilët, pasi janë zgjedhur, e ke të vështirë t’i kapësh, janë me makina super të shtrenjta e me xhama të zinj, saqë ti nuk e di a janë brenda apo jashtë. Sapo i kërkon ti, ata të ikin dhe e ke të vështirë t’i takosh për t’i qarë një hall, përveçse bëhen edhe arrogantë me nevojtarin.
Letra e ipeshkvijve gjithashtu ndoshta duhet të kishte prekur edhe një problem tjetër të madh: Çështjen e pushimeve nga puna me fitoren e një krahu politik apo të një tjetri. Për 25 vjet ka ndodhur që shteti dhe partia janë identifikuar si zgjatim në formë demokratike i partisë­shtet të komunizmit; Edhe pse në mënyra të ndryshme ka funksionuar i njëjti shpirt si atëherë.
Kjo do të thotë se ekziston edhe një kapje e shtetit nga partia. Pasojat e kësaj kapjeje janë të shumta, por ajo më e menjëhershmja ka të bëjë me administratën publike. Sapo një parti fiton zgjedhjet, pushon menjëherë nga puna paraardhësit. Kjo është një padrejtësi shoqërore e madhe. Shumë prej atyre që bërtasin sa herë humbin zgjedhjet për spastrime në vendin e punës, i kanë bërë me shumicë vetë më parë këto gjëra. I duhet dhënë fund kësaj praktike. Kjo lloj mënyre e të sjellit ka dy dëme të mëdha. E para është buka e gojës së fëmijëve. Duke hequr nga puna njerëzit vetëm pse i përkasin një partie apo një administrate paraardhëse dëmtohet rëndë jeta ekonomike e personave dhe familjeve. Por, po ashtu, dëm ka edhe vazhdimësia e punës dhe projekteve që janë nisur nga specialistë të një administrate paraardhëse. Përfshirja e administratës në fushatë e aq më keq kërcënimi me vendin e punës përbëjnë një kërcënim për stabilitetin e saj dhe sigurisht një dëm në ekonominë e familjes. Dekriminalizmi është i rëndësishëm, por edhe diskriminimi për shkak të përkatësisë partiake është shumë i rrezikshëm. Kështu që, ata të cilët shohin me rrezik hierokracinë (apo kapjen e shtetit nga feja), duhet të shohin po me aq rrezik partitokracinë (kapjen e shtetit nga partia).
"Panorama"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.