Tragjika e dyfishtë e artistit

Të vdekurit, sidomos artistët e vdekur, nuk e kanë kollaj të ikin nga kjo botë. Gjurmët e tyre janë më të forta se ato të vdekatarëve të thjeshtë, të cilët, përjashto trashëgiminë biologjike, nuk ia dolën sa ishin gjallë të prodhonin vepra që do ta transhendonin unin e tyre. Ndoshta janë më me fat, po të kesh parasysh faktin se të vdekurit vazhdojnë të mbeten plotësisht nën pushtetin e të gjallëve, të cilët mund të bëjnë gjithçka me ta. Harresa dhe indiferenca është gjëja më pakët që mund t’u ndodhë. Dhe ndoshta më e dëshirueshmja! Sepse të vdekurit mund të transformohen, të rrafshohen në një ekzistencë kolektive, duke ia zhvatur atë autenticitetin e pangatërrueshëm të individit; ato mund të tjetërsohen dhe të falsifikohen përmes kuptimit dhe interpretimit nga të gjallët që kanë lënë prapa.
As artistin Vangjush Mio vdekja nuk mund ta mbrojë në mënyrë të sigurt nga duart e të gjallëve. Sidomos nga duart e atyre shqiptarëve burokratë, të cilët para të vdekurit jo vetëm që nuk ulin shikimin, por edhe guxojnë ta përvetësojnë e t’ia tjetërsojnë unin e tij transhendental, Veprën!
Shkrimtari Shpëtim Kelmendi thotë diku në një intervistë të tij se “shoqëria shqiptare i don artistët, por i don të vdekun”. Miku im, Shpëtim, as të vdekur s’i dashkemi! Vangjush Mio është ilustrimi më me ngjyra që tregon se çfarë janë në gjendje të bëjnë një grusht aparatçikësh me vdekjen e artistit.
Në fakt, sinjalet për sjelljen denigruese me artistin e vdekur, aparati shtetëror i jep para se artisti të vdesë. Nëpërmjet të ashtuquajturave politika kulturore, ky shtet tregon vlerësimin që ka për artistin dhe për aktin e mirëfilltë të krijimit. Politikat kulturore shtetërore dhe arti si akt i mirëfilltë krijimi i ngjajnë dy bashkudhëtarëve që flasin gjuhë të ndryshme dhe ende nuk kanë mësuar ta kuptojnë njëri-tjetrin. Ka vite e vite që janë ulur në të njëjtin kompartiment të trenit dhe shikojnë në drejtime të ndryshme, të paaftë të komunikojnë qoftë edhe njëherë të vetme me njëri-tjetrin. Njëri nxjerr letrat nga dosja dhe fillon të bëjë hesape lekësh, tjetri nxjerr librin ose fillon të hedhë në letër përshtypje udhëtimi.
Kam përshtypjen se politikat kulturore në Shqipëri e kanë injoruar dhe vazhdojnë ta injorojnë totalisht realitetin krijues. Ndoshta as që e dinë se ekziston nji realitet i tillë. Procesin e krijimit nuk kanë qenë në gjendje ta diferencojnë nga kultura, me të cilën kanë nënkuptuar kryesisht maratonat e këngës popullore, pasarelat e modës, konkurset e bukurisë apo të videoklipeve europiane. Zyrat e bashkive nëpër qytete, që mbulojnë sektorin e kulturës, vënë në lëvizje buxhetin e tyre për kulturën duke organizuar mbrëmje vallëzimi rast e pa rast, a thua se duan t’i bindin qytetarët se kultura mbahet në këmbë vetëm duke i lëvizur këmbët me shpejtësi nën ritmin e muzikës në rrëmujën e holleve të hoteleve.
Po forcohet dita-ditës një aparat shtetëror kulturor që i jep përmasa të përbindshme manisë gjiganteske interpretative dhe një aparat bajat mediatik që është vënë në shërbim të kordave zanore, të gurmazeve apo të këmbëve të Miss-eve apo fotomodeleve. Në këtë realitet krijuesit e mirëfilltë kanë shumë pak ose aspak vend, ata janë spostuar, janë shtyrë mënjanë nga interpretët, përkthyesit, regjisorët, botuesit e të tjerë përfaqësues të kësaj specieje. Gjithkush përfiton prej artistëve krijues, të cilët janë shndërruar në banorë të Botës së Tretë në universin krijues, prej ku industria e kulturës nxjerr lëndën e parë dhe siguron mirëqenien e saj.
Shqipëria po përjeton shndërrimin e artit në kulturë. Ky proces mutativ është kaq subtil saqë shpeshherë është e pamundur të perceptosh kufijtë dallues. Nuk është arti ai që po krijon kulturën, por anasjelltas, kultura po ndikon fuqimisht tek arti, duke i dhënë jetë një arti tejet të veçantë, që do ta quaja një art-kulturë.
Është fakt i pamohueshëm që prej artistëve krijues jetojnë qindra krijesa e profesione, kurse artistit i duhet të jetojë prej asaj pakice që e njeh si të tillë. Dikur politika kulturore e regjimit të kaluar autoritar e kishte detyruar artin të ulej në nivelin trivial të propagandës glorifikuese të ideologjisë komuniste. Sot ai rrezikon të shtypet prej një industrie të vërtetë interpretative, e cila nuk do të ekzistonte pa të, një industri e cila shitet si art apo shkencë, një industri që e shfrytëzon, e imiton apo e eliminon artistin prej veprës së tij. Fakti që arti, i përdorur dikur prej komunistëve për të intensifikuar propagandën e tyre, sot lokalizohet në periferinë e demokracisë labile shqiptare, përbën tragjiken e tij të dyfishtë.
Mapo
Add new comment