Standardet për demokracinë

Sllovenia, një vend midis traditës ballkanike dhe asaj austrohunagreze aplikoi këtë javë referendumin popullor për të vendosur mbi të drejtat e homoseksualëve. Mazhoranca parlamentare miratoi një Kod familjar liberal, në emër të standardeve të demokracisë, por po në emër të këtyre standardeve partitë politike me bazë kristiane, grupet qytetare dhe institucionet fetare reaguan duke përdorur të vetmin mjet kushtetues: referendumin.
Rezultati zyrtar ishte një refuzim i qartë I vendimit të parlamentit. Qytetarët folën, vendimi i tyre u respektua dhe demokracia sllovene funksionoi. Nuk është hera e pare që ky vend vepron në këtë mënyrë dhe zgjedh demokracinë direkt si instrument kushtetues për të forcuar vlerat demokratike të sistemit politik. E vecanta është se kjo ndodh vetëm 1000 km larg Tiranës, një qytet tjetër ballkanik që pretendon të jetë po aq demokratik sa Lubjana, por ku de facto aplikohet një standad tjetër demokracie. Në Tiranë qytetarët nuk pyetën, nuk kanë rol, nuk janë pjesë e procesit vendimmarrës, nuk dëgjohen mendimet e tyre dhe nuk aplikohet demokracia direkte. Këtu vendimet merren në zyra, mundësisht në një ose në dy zyra, aty ku qëndron i kapur pas karriges së pushtetit sundimtari i radhës. Këtu politika është personale, cështjet publike trajtohen si cështje shtetërore, vendimmarrja shihet si vullnet personal i një apo dy personave dhe konsultimi demokratik vijon të shihet si një instrument i tepërt, i bezdishëm dhe kërcënues.
Në modelin e demokracisë shqiptare jemi mësuar që politikanë të vecantë, në fjalim në qeveri apo para deputetëve, në prononcim në rrugë apo në festa zyrtare, në deklarata të dhëna me sms në media apo në ndonjë takim rutinë, - të marrin vendime nga më të rëndësishmet pa përfillur qytetarët, shoqërinë dhe vlerat përfaqësuese të demokracisë. Kështu në Tiranë një urdhër zyrtar na detyroi të japim të dhënat personale për kartën e identitetit (Zvicra e refuzoi me referendum), një fjalim elektoral vendosi të ndërtojmë impiante berthamore (Italia e refuzoi me referendum), një fjalim rutinë në qeveri lajmëroi liberalizimin e martesave homoseksuale (Sllovenia e refuzoi me referendum), një intervistë televizive dha lajmin për prishjen e piramidës apo pallatit të kulturës (Vjena dhe Salsburgu e refuzuan me referendum), një batutë qeveritare na urdhëroi mësimin e gjuhës kineze (Vilnusi e referuzoi me referendum një gjuhë të huaj), një marrëveshje e fshehtë e ndryshoi kushtetutën për 4 orë (në Turqi u vendos me referendum), sistemi zgjedhor u ndryshua në tavolinë (Rumania e votoi në referendum). Këto e dhjetëra raste të ngjashme bëjnë diferencën e madhe midis praktikës europiane të demokracisë dhe modelit të partitokracisë shqiptare; midis modelit për tu dukur dhe atij për tu sjellur si europianë. Prandaj Sllovenia e Kroacia janë në BE, kurse ne, vendi i “mrekullive ekonomike” dhe “mrekullisë së lirisë”, jemi në listën e fundit, një vend ku vendimet më të rëndësishme politike, ekonomike, sociale e kombëtare i marrim nga ndonjë zyrë apo ekran televiziv, nga tëiter apo sms e sundimtarit të radhës.
Demokracia nuk ka dy standarde - shkruan Dahrendorf, - janë politikanët që krijojnë standarde brenda vetes mbi demokracinë dhe janë shoqëritë qytetare që dëshmojnë standarde demokracie nga mënyra sesi i pranojnë, i zgjedhin dhe i gjykojnë politikanët. Dhe në këtë kriter, politikanë e shoqëri, fatkeqësisht ne jemi e mbetemi shumë më tepër sesa 1000 km larg modelit europian.
(aq/shqiptarja.com)
Add new comment