Shqipëria pas 10 vjetësh

Postuar në 25 Prill, 2012 05:56

Ndryshimi nuk është as cilësi e as pasojë e domosdoshme e rrjedhjes së kohës. Ndryshimi ndodh kur ndryshojnë shkaqet që deri në atë moment japin të njëjtat pasoja. Për këtë arsye, nëse pas 10 vjetësh Shqipëria do të jetë ndryshe, do të duhet të vërenim që sot procesin e ndryshimit të shkaqeve të situatës në të cilën ndodhemi sot.  Në tekstin e mëposhtëm kam renditur disa nga faktorët që ndikojnë më tepër në proceset e ndryshimit demokratik të një vendi. Siç do ta vëreni, tabloja nuk është edhe aq optimiste.
Trashëgimia politike.
Pas 10 vjetësh, sipas të gjitha gjasave, votuesit shqiptarë do të kenë konsoliduar mosbesimin e tyre tek elitat politike, sidomos në kushtet kur ajo nuk pritet të ndryshojë në mënyrë radikale. Edi Rama është ende në fillimet e karrierës, ndërsa Berisha, nëse Zoti nuk e ka mendjen sa duhet, mund të jetë përsëri një faktor kyç, qoftë personalisht, qoftë përmes të deleguarve. E njëjta gjë për drejtues të tjerë të partive më të vogla, të dalë të gjithë nga e njëjta shkollë. Gjithsesi, të dyja partitë kryesore janë krejtësisht krijesa të këtyre dy personazheve. E vetmja rrugë e njohur dhe e shpërblyer e qeverisjes afatgjatë deri më sot është ajo e përuruar nga Berisha dhe e zbatuar nga Rama: kontrolli i personalizuar i partisë. Për më tepër, edhe nëse Berisha, Rama, Meta e të tjerë largohen nga skena, as imagjinata më optimiste nuk arrin të gjejë sot mjaftueshëm personazhe virtuoze e të virtytshme për të mbushur vendin që do të linin. Përkundrazi, ose do t’i hapin rrugën kopjeve mediokre të tyre, ose demagogëve populistë që do të shfrytëzojnë pellgjet e fundit të shpresave të votuesve naivë.
Sistemi klientelist mbi të cilin mbështetet vota në Shqipëri, por edhe qeverisja e vendit, nuk ka asnjë arsye për të ndryshuar. Ajo që kemi parë në këto vite është ose thjesht zëvendësimi i një klientele nga një tjetër kur kjo e para e ka tepruar dhe nuk ka çfarë të ofrojë, ose sofistikimi i sistemit, gjë që gjithsesi nuk e bën as të padukshëm e as të pandjeshëm. Nga ana tjetër, në kushtet kur rritja ekonomike ngadalësohet, pavarësisht se i afrohemi çdo vit e më vrullshëm rekordeve botërore të zhvillimit, klientelizmi nuk do të priret të dobësohet, por përkundrazi, të përforcohet. Klientelizmi është simptomë kryesisht e shoqërive në të cilat ekonomia nuk është në gjendje t’i kënaqë të gjithë ose të paktën të bëjë të shpresojnë të gjithë. Më pak zhvillim, më tepër klientelizëm.
Përsa u përket reflekseve politike të trashëguara, 10 vjet do të jenë shumë pak për të çrrënjosur teorinë përligjëse se “kjo është politika”, gjë që lejon gjithçka, me kusht që të sqarohet teorikisht dhe rrëfehet me pak sinqeritet në tryezën e Fevziut.
Elitat
Çdo popull ka përfaqësuesit që meriton. Le të jemi të ndershëm: të vetmit përfaqësues tanët që janë mbi nivelin e votuesit mesatar… janë zyrtarët e Ambasadës Amerikane. Në këtë vend as Zoti nuk ka aq ndikim sa ambasadori amerikan… gjithmonë nëse ambasadori ekziston. Fatmirësisht dhe fatkeqësisht. Fatmirësisht: sepse ambasadori mund të na mbrojë nga oreksi i përfaqësuesve tanë për pushtet. Fatkeqësisht: sepse këto ndërhyrje trajtojnë simptomat e problemit, por nuk mund të zgjidhin rrënjët e tij dhe, për më tepër, krijojnë një varësi paternaliste mbytëse.
Shpresat për ndryshimin e elitës zakonisht nënkuptojnë “njerëz të rinj”. Gati-gati mosha fetishizohet dhe sekreti duket sikur është biologjik. Por le t’i shohim gjërat në sy. Një 50 apo 60-vjeçar i sotëm ka shumë mundësi të ketë kapur brezin e fundit për të cilin vlerat morale dhe komunitare shqiptare kishin njëfarë kuptimi. 30-vjeçarët e sotëm, krejt ndryshe prej tyre, janë rritur kryesisht me vlerat e mbijetesës të ngritura në epokën e tollonave. Atëherë, përse mund të shpresojmë më tepër integritet moral e përgjegjshmëri publike nga njerëz të rritur në vakum vlerash të tilla? Dikush mund të thotë se ndryshimin e bën shkollimi në Perëndim. Nuk besoj. Sa prej diktatorëve të sotëm botërorë në Afrikë e Azi nuk kanë studiuar në Perëndim? Në vitet ’70, kur pyeteshin përse shkonin në Francë apo Angli, këta njerëz përgjigjeshin: “Po shkoj të studioj për ministër”. Dhe nëse udhëheqësia e deritanishme shqiptare na duket problematike, vlen edhe pyetja: sa prej udhëheqësve tanë të 100 viteve të fundit nuk kanë studiuar në shkollat më të mira të kohës së tyre?
E pra, miti i rinisë si burim rigjenerimi i elitës nuk lë vend për shumë shpresa.
Kultura politike
Efektet e kulturës politike, natyrisht, nuk janë të pavarura prej faktorëve të tjerë. Për shembull, thënia “Fukarallëk, maskarallëk” është plotësisht e vlefshme në shpjegimin e çmimit të votës ose tenderit në Shqipëri. Një popull i varfër do të shitet më lirë. Një qytetar i varfër do të gëlltisë më lehtë pushimin nga puna të dikujt tjetër për t’i zënë vendin vetë.
Problemi strukturohet në trajtën e një qarku të mbyllur. Një nivel i ulët i kulturës dhe përgjegjshmërisë politike të qytetarit kushtëzon një nivel të ulët të profilit të politikanit. Ligjërimi politik i politikanit në Shqipëri ndërtohet mbi matjen e “tregut” zgjedhor. Këtu vlen maksima: “Kështu e do populli”. Cilido që ka ndjekur apo marrë pjesë në një fushatë zgjedhore, mund të marrë me mend lehtësisht sa është e mundur sot të flasësh me votues individualë apo gruporë pa bërë premtime që do të rezultojnë ose premtime klienteliste, ose mashtrime elektorale. Për këtë arsye, puna e përditshme e zyrtarit politik dhe sidomos deputetit, përfshin “zgjidhjen e halleve” të qytetarit X Y, p.sh. duke i gjetur punë në cilësinë e militantit të dalluar. Nga ana tjetër, kur detyrohet të flasë përpara kamerave, aty ku nuk shiten dot vende pune dhe tendera, liderët duhet të spërdredhin gjuhën për të përfshirë në premtimet e tyre gjithçka që imagjinata mund të tolerojë në kurriz të shpresës dhe logjikës elementare qeverisëse. Prandaj aktualisht PS-ja dhe PD-ja janë përtej së majtës, së djathtës dhe koherencës minimale programore.
Dhe kjo situatë nuk ka prirje të ndryshojë. Jo sepse elitat tona politike janë injorante, por sepse llogaritë e tyre bëhen mbi një elektorat që në pjesën më të madhe vuan nga injoranca politike dhe akoma më keq, nga fakti se ndan me shumicën e përfaqësuesve tanë të njëjtat vlera të munguara morale. E thënë në terma barletianë: “Maskarallëkun nuk na e solli politika, ajo e gjeti atë në zemrat tona”.
Situata nuk ka arsye të ndryshojë dhe aq shpejt. Për sistemin e vlerave folëm pak më herët. Sistemi i arsimit, instrumenti tjetër për një ndryshim të mundshëm mendësie, nuk përligj shpresat për ndryshim. Shumica e universiteteve shqiptare, publike dhe private, mund të arrinin lehtësisht partitë politike për nga niveli i mosbesimit të publikut. Si mund të shpresosh edukimin e brezave të rinj kur nota, madje edhe diploma në shkollat tona jo vetëm shitet, por akoma më keq, falet ose dhurohet për t’i bërë nder dikujt. Për më tepër, nxitësi dhe garancia më e mirë e riprodhimit të këtij sistemi të kalbur certifikimi është gatishmëria e partive politike për të pranuar në administratën civile çdo lloj diplome.
Institucionet
Mendohet përgjithësisht se dizajni institucional dhe funksionimi i institucioneve janë katalizatorë të demokratizimit të një vendi.
Vështirë të mendohet se institucionet politike do të ndryshojnë në mënyrë të ndjeshme në të ardhmen e afërt. Nga ana tjetër, ndryshimi më i rëndësishëm në institucionet jopolitike është përmirësimi i marrëdhënieve publike. Sistemi i drejtësisë vazhdon të prodhojë pafajësi në vendin ku korrupsioni është sport kombëtar i licencuar. Nëse faktorët e tjerë të lartpërmendur nuk ndryshojnë, përse duhet të presim ndryshime në cilësinë e institucioneve?
Përsa i përket dizajnit institucional, ai është i kapur në lojërat politike dhe përgjithësisht e tejkalon me sukses edhe trysninë ndërkombëtare. Rasti i ndryshimeve të fundit të Kushtetutës dhe sidomos sistemi zgjedhor që kemi, vërteton se edhe ky faktor nuk mund të veprojë në mënyrë të pavarur prej të tjerëve dhe varet tërësisht prej strategjive politike afatshkurtra.
Faktori i jashtëm
Ndikimi i faktorit të jashtëm ka qenë i rëndësishëm deri tani në zbutjen e konfliktualitetit dhe në pranimin e disa parimeve bazike të funksionimit të demokracisë. Mirëpo ai nuk ka penguar përkuljen e politikës institucionale ndaj vullnetit strategjik afatshkurtër të partive e sidomos drejtuesve të tyre. Ai nuk ka penguar pothuajse aspak as vjedhjen e manipulimin e zgjedhjeve.
Pas heqjes së vizave, ndikimi i faktorit të huaj do të jetë më i vogël. Hendeku mes ligjërimit simbolicist të integrimit në “familjen europiane” dhe interesave jetike individuale të votuesve është bërë sot më artificial se kurrë. Për shumicën e shqiptarëve integrimi në Europë është realizuar de facto me heqjen e vizave. Integrimi institucional nuk prodhon shpresa joshëse jo vetëm sepse nuk njihet, por edhe sepse nuk është konsideruar si i rëndësishëm nga qytetarët e thjeshtë. Europa ekonomike është në krizë dhe nuk ngjall as besimin e as shpresën e dikurshme, ndërsa Europa politike nuk ka gravitacionin e mjaftueshëm të joshjes. Dhe nëse kujtojmë se elitat tona të sotme e certifikojnë legjitimitetin përmes certifikimit europian dhe amerikan, atëherë mund të presupozojmë me njëfarë sigurie se këtij certifikimi do t’i bjerë vlera. Rrjedhimisht, edhe ndikimit ndërkombëtar do t’i bjerë vlera.
Përfundim
Në përfundim të kësaj analize të zymtë, a mbetet ndonjë shpresë për ndryshime të mundshme në të ardhmen? Personalisht besoj se burimi më i mundshëm potencial i ndryshimit do të gjendej te njëfarë akomodimi i elektoratit me disa arritje të demokracisë dhe sidomos të ekonomisë së tregut. Zhvillimi i strukturave ekonomike private mund të ushtrojë një trysni më të madhe dhe në formë të pakthyeshme për përcaktimin e disa rregullave të lojës, ndër të cilat më kryesoret do të ishin garantimi i trajtimit të barabartë përpara ligjit dhe përmirësimi i infrastrukturës institucionale e fizike të vendit. Në kushtet kur ekonomia arrin të ofrojë perspektiva më të qarta, votuesit mund të priren të kërkojnë më tepër përgjegjshmëri ndaj elitave si dhe institucione më të forta. Natyrisht, kjo mbetet një shpresë e vakët. Gjërat mund të vazhdojnë edhe kështu siç janë, sidomos në një vend ku ekonomia është jashtëzakonisht e varur nga politika. Megjithatë, një gjë është pothuajse e sigurt: ndryshimi nuk mund të pritet për shkak të ndryshimit të elitave, qofshin ato edhe jashtëtokësore. Një shqiptar i një shekulli më parë, Eqrem bej Vlora, do të dëshmonte shumë lehtë se si turmat fanatike shqiptare pothuajse hoqën qafe edhe një princ gjerman. Veprimi dhe strategjitë e elitave nuk ndërtohen ex nihilo, por mbi bazën e përllogaritjes së votave që mund të merren.
E thënë ndryshe, nëse duam të përllogarisim ndryshimin, do të duhet t’i heqim sytë nga drejtuesit e vitit 2022 dhe t’i kthejmë sytë nga votuesit e vitit 2022.

Panorama

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.