Qeverisë nuk i besohen as të vërtetat

Postuar në 22 Mars, 2012 03:39

Që qeverisë mos t’i besojmë të pavërtetat që thotë, jemi në rendin normal të marrëdhënieve me të. Çështja fillon e komplikohet kur na bëhet organike të mos i besojmë as të vërtetave të saj. Kjo, në fakt, është simptoma akute e krizës së besimit që mbërthen një shoqëri me ata që e qeverisin. Kjo është, në fakt, kriza e qeverisë sonë. Për mos ta lodhur shumë arsyetimin, le t’i drejtohemi shembullit të djeshëm lidhur me raportin e kontrollit që Ministria e Drejtësisë ka përpiluar për Prokurorinë e Përgjithshme.

Brenda raportit, i cili, së paku, nuk është kundërshtuar për ato që përmban, ka të dhëna që të ngrenë qimet përpjetë. P.sh., nëse nga kontrolli i vetëm 121 dosjeve për procedim penal rezultojnë me shkelje plot 49 të tilla; apo se, nga 107 çështje të hetuara për korrupsion vetëm 17 janë dërguar për gjykim; apo se, nga 174 dosje trafikimi vetëm 48 i janë përcjellë gjykatës, atëherë shifrat pushojnë së qeni statistikë dhe shndërrohen në akuzë. Madje, ato e përkeqësojnë zemërimin ndaj organit të prokurorisë, po të besosh ato që thonë vetë prokurorët që kundërshtojnë raportin sipas të cilëve “…Ministria ka ushtruar kontroll vetëm për 653 procedime…”. Imagjino sikur Ministria të kishte hetuar më shumë se çfarë shifrash skandaloze mund të dilnin!

E megjithatë, të vërtetat e qeverisë nuk mjaftojnë për ta besuar atë. Sepse, për shkak se, nuk na ka “lejuar” të mos e besonim në të shkuarën për të pavërtetat që thoshte rreth Prokurorisë së Përgjithshme, na detyron sot të mos i besojmë as të vërtetave që thotë rreth saj. Sepse, me sa duket, qeveria jonë e thotë të vërtetën në një mënyrë të atillë që ia kuptojmë shumë qartë, por nuk ia besojmë dot. Dhe fajin nuk ia kemi ne, aq më pak e vërteta! Ja, për shembull, le të shpjegojmë përse raporti mbi Prokurorinë, megjithëse i vërtetë, është, prapë se prapë, i pabesueshëm.

Mbi të gjitha, është i pabesueshëm sepse ka intencion të pasinqertë. Shoqëria jo që jo, por as vetë ata që kanë bërë konspektin politik të raportit, nuk besojnë se kanë pasur për qëllim të ndreqin anomalitë funksionale të organit të akuzës. Është mjaft më e arsyeshme të besosh se raporti është një hakmarrje latente (dhe e trashë, me thënë të drejtën). Sepse, qoftë dosjet me probleme proceduriale, qoftë ato me figura korrupsioni apo trafikimi, mund të kontrolloheshin shumë kohë më parë. Askush nuk mund të thotë nga qeveria se kjo fenomenologji e çuditshme na paska ndodhur këto shtatë-tetë muajt e fundit.

Së dyti, raporti mbi Prokurorinë e Përgjithshme, ndonëse i vërtetë në përmbajtje, përfaqëson realisht jo një procedurë korrekte kontrolli ligjor, por një stil të shëmtuar të të bërit politik. Është si në kalk ajo që ndodhi me hetimin e Kreshnik Spahiut. I cili, kishte muaj e muaj me radhë që abuzonte me zyrën publike që i ishte besuar, por u shkarkua në momentin kur qeveria filloi t’u besojë sondazheve se ai do të ishte një rrezik potencial për të. Dhe tamam si në një politikë me sahat, e shkarkoi pa një pa dy dhe i përgatiti dosjen.

Dhe së fundi, pamundësia për t’i besuar raportit të vërtetë të qeverisë mbi Prokurorinë e Përgjithshme, lidhet padyshim edhe me marrëdhënien me shefen e saj. Marrëdhënie që, për të qenë intelektualisht të ndershëm, nuk ka filluar më 2007. Atëherë zj.Ina Rama thjesht u emërua në punë. Marrëdhënia mes shumicës dhe Kryeprokurores ka si pikënisje pragun psikologjik të 21 Janarit. Atë prag kur Kryeministri na “detyroi” të besonim pa fakte se ajo ishte një ‘lavire bulevardi’; na “detyroi” të besonim pa fakte se ajo ishte një puçiste; na detyroi të besonim pa fakte se kryeprokurorja ka zhdukur prova dhe dëshmi për 21 Janarin. Dhe bash për shkak të “detyrimit” për të besuar pa fakte këto të pavërteta, nuk e besuam as kur e akuzoi me fakte për të vërtetat e zvarritjes së paarsyeshme të procesit; të hetimit të njëanshëm vetëm për vrasjet dhe jo për organizatorët; të kërkesës qesharake për heqjen e imunitetit të Tom Doshit me shokë.

Pra, për ta mbyllur, sinopsi më elokuent i raportit të kontrollit të qeverisë mbi veprimtarinë e Prokurorisë është ky: i vërtetë, por i pabesueshëm. Normalisht, për një qeveri çfarëdo, do të ishte e mjaftueshme vetëm që ta besonin. Mirëpo, me ç’duket, qeveria jonë e ka humbur këtë mundësi.

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.