Paqe përmes seksit apo rregull përmes hurit?

E adhuroj natyrën për mënyrën sesi i ruan ekuilibrat e saj të brendshëm, që i sigurojnë asaj vazhdimësinë deri në përjetësi. Ne, homo sapiens-at, e kemi imituar, e kemi manipuluar, e kemi nënshtruar dhe shkatërruar natyrën përmes një procesi që na pëlqen ta quajmë kulturë. Sidoqoftë kjo kulturë, që në disa raste e quajmë të zhvilluar, por që në fakt shpreh shpesh shkallën e shkatërrimit të natyrës, kjo kulturë pra, nuk na ka ndihmuar ta imitojmë natyrën në pikën e saj më të fortë: në procesin e homeostazës, pra të gjetjes dhe ruajtjes së balancave organike. Natyra vazhdon me përunjësi lojën e saj të përjetshme, kurse kulturat me “K” të madhe kanë ardhur e janë zhdukur nën peshën e krenarisë dhe arrogancës njerëzore.
Dëgjova para ca ditësh një përfaqësues të ‘kulturës shqiptare’ që kishte vendosur t’i jepte një hù parakaluesve paqësorë në paradën e majit. Dëgjova një natë një debat televiziv me temë “gay – tendencë dhe fobi”, në të cilin një sociolog e refuzonte kategorikisht homoseksualitetin në emër të shkencës e të moralit apo të “natyrës së gjërave”.
Është mirë që kushdo që ka vendosur t’i japë një hu të mirë atyre që do të parakalojnë në maj, apo kushdo që vendos të flasë në emër të shkencës e moralit, apo sidomos të “natyrës së gjërave”, të mësojë disa fakte të pamohueshme mbi sjelljen seksuale të kafshëve në natyrë. Sepse si shkenca ashtu edhe morali nuk janë autoritete të pacenueshme që e kanë thënë fjalën e tyre një herë e mirë dhe s’e kanë ndryshuar më. Në emër të shkencës e të moralit janë bërë krime nga më monstruozet. Dhe se, ajo që quhet “natyrë e gjërave”, nuk është aq statike sa ç’nënkuptohet.
Ndoshta bijtë dhe bijat e këtyre që kanë vendosur t’u japin një dru të mirë atyre që do të parakalojnë paqësisht do të trishtohen paksa kur ta marrin vesh se “ylli i tyre televiziv”, delfini Flipper, ka sjellje të spikatura homoseksuale, d.m.th. jeton dhe e bën rregullisht me partnerë të të njëjtit seks. Ndoshta do të mërziten kur të marrin vesh se, jo vetëm delfini, por edhe atyre gorillave meshkuj që mund të kenë përkëdhelur në ndonjë kopsht zoologjik, ua ka ënda të eksitohen deri në ejakulacion nëpër lojëra homoseksuale me partnerë të të njëjtit seks. Çfarë do të thoshin kur të merrnin vesh se ai, mbreti i kafshëve, luani hijerëndë po ashtu preferon seksualisht partnerë të të njëjtit seks? Luaneshat gjithashtu! Çfarë do të thoshin picikrrukët kafshëdashës kur të merrnin vesh se Bonobo-të, një lloj i veçantë shimpanzeje, njihen si akrobatë të vërtetë seksualë. Sigurisht që do mërziteshin kur të merrnin vesh se jo vetëm te majmuni, luani apo delfini, por edhe te pinguini, flamengot e laraskat, dhe te më shumë se 450 specie, studiuesit e sjelljes kanë konstatuar prej kohësh sjellje homoseksuale. Do mërziteshin sepse kanë dëgjuar nga babi, mami, apo televizori se homoseksualiti është një sëmundje, devijim nga normalja, sepse kanë dëgjuar që “natyra e ka fal’ që burri të rrijë me grun”. Do ishte mirë që babi, mami, sociologu a kleriku t’u thoshin fëmijëve që studiues të ndryshëm të sjelljes së kafshëve, si p.sh biologu amerikan Bruce Bagemihl i ka përshkruar ato hollësisht në librin e tij botuar në vitin 1999, “Biological exuberance: animal homosexuality and natyral diversity”. Duke lexuar, kur të rriten, studime shkencore, ndoshta fëmijët do të mësonin se homoseksualiteti nuk është një fenomen thjesht njerëzor, por bën pjesë në repertorin e sjelljeve të shumë kafshëve, të paktën të gjitarëve dhe zogjve. Dhe se kjo sjellje e tyre “e pafrè”, si ajo e Bonobo-ve nuk është sëmundje, por ndoshta një mënyrë apo strategji për të çliruar marrëdhëniet në grup nga tensione e konflikte të ndryshme, duke siguruar kësisoj “Paqe përmes seksit”.
Ndikimi jashtëzakonisht i fortë i fesë e ka bërë njeriun të besojë dogmatikisht në formulën “seks për hir të riprodhimit”, duke mos e pranuar sjelljen seksuale thjesht si kënaqësi përmes lojës. Nën këtë ndikim kanë qenë edhe shkencëtarët, të cilët për një kohë të gjatë i mbajtën sekret rezultatet e hulumtimeve të tyre. Si mund të ekzistonte diçka që nuk e lejonte botëkuptimi dominant në shoqëri? Si mund të hulumtoje sjelljet e homoseksuale të kafshëve pa u etiketuar si homoseksual? Vetëm dekadën e fundit të shekullit të kaluar, kur kjo frikë u kapërcye, publiku u njoh me rezultatet e kërkimeve shkencore, të cilat shfaqin një sjellje seksuale tejet komplekse me një repertor që varion nga raporte homo- e heteroseksuale, te tradhtitë e ndërsjella e deri te lidhjet besnike gjatë gjithë jetës. Duke e bërë kësisoj përfundimisht shumë të vështirë të përcaktosh se cila sjellje është “e natyrshme”.
Në realitetin e homo sapiens, janë morali dhe kultura ato që i japin tonin gjithçkaje, përfshi edhe seksualitetin. Por edhe këtu gjërat janë po aq të larmishme si në natyrë: disa shoqëri inkurajojnë një lloj sjelljeje të caktuar seksuale, disa të tjera, si Shqipëria, i tabuizojnë dhe i ndalojnë ato rreptësisht. Në disa vende homoseksualiteti dënohet me ligj, në disa vende islamike dënohet me vdekje. Në Sambia, një popull në Guinenë e Re, seksi oral midis partnerëve të të njëjtit seks konsiderohet për të rinjtë si rite de passage, që lidhen me stadin e hyrjes në fazën e burrërisë.
Një ‘njeri i kulturës’ që paralajmëron se do i japë një hù homoseksualëve në paradën e tyre paqësore apo një sociolog a klerik që rrëmon në sjelljet homoseksuale të njeriut, para se të flasë në emër të shkencës a të moralit, duhet të sqarojë përunjësisht – dhe jo me arrogancë televizive – dilemën ende të pazgjidhur: kemi të bëjmë me një fenomen biologjik, apo një zakon që i nënshtrohet transformimeve sociale?
Deri sa të jetë sqaruar kjo dilemë, ‘njeriu i hurit të kulturës’, sociologu televiziv, besimtari i pasinqertë, të gjithë ne, le të luajmë lojërat e përjetshme të dashurisë që na ka mësuar Nëna Natyrë! Në të gjithë larminë dhe fantazinë e saj të pashtershme!
Comments
shume bindes, sidomos me ata

shume bindes, sidomos me ata luanet bq dhe guineasit qe bejne llape.

Ne boten e kafsheve dhe te njerezve historikisht ka patur dhe kanibalizem, pedofili, nekrofili, zoofili, etj si keto. O burra ( kete o burra mos m'a merrni per tendence diktatoriale dhe fondamentaliste drejt heterosexit. Eshte vetem nje shprehje) t'i promovojme dhe keto

s'e ke kap thelbin, anonim:

s'e ke kap thelbin, anonim: keto dukuri ekzistojne edhe pa promovimin tend: mos u lodh fort ne kete pune! kane ekzistu dhe do ekzistojne gjithmone. mjafton qe te pranosh se ti dhe une jemi kafshe midis shume kafsheve tjera qe ka natyra.

padakordesia jone eshte me e

padakordesia jone eshte me e thelle se pranimi ose jo i homosexualizmit si normalitet. Une nuk e konsideroj veten si kafshe, madje nuk konsideroj as ty si te tille, pavaresisht kembenguljes tuaj per te kunderten.

Vizioni ateist per njeriun mund te duket joshes ne reklamen e vet ( liri per te bere gjithcka, seks nga te duash dhe me ke te duash, etj si keto), por ne realitet konvertohet ne lirine qe kane nje pakice per te bere gjithcka me ty( kolonializem, fashizem, komunizem, konsumizem......).

Kemi nevoje per 'leksione'

Kemi nevoje per 'leksione' frojdiane ! Z.Bakalli, fenomen biologjik eshte, vecse transformimet sociale i heqin 'levoren' ku rri tulatur...si dhe shume fenomene te tjera.

Add new comment