Përse të gjithë heshtin për kartelin e sigurimeve?

Të gjithë ata që kanë një autoveturë, një traktor, një autobus apo një kamion, morën një lajm të keq këtë fillim muaji. Kompanitë e sigurimeve, të gjithë në një zë, pas një pakti të përbashkët, vendosën ta rrisin çmimin e policës së sigurimit me 2-3 herë. Nuk ka nevojë për shumë hetime. Ekspertët thonë se nëse të gjithë kompanitë që ofrojnë të njëjtin shërbim unifikojnë çmimet dhe ndjekin të njëjtin politikë në treg, ky quhet monopol. Kompanitë shqiptare të sigurimit, as më pak e as më shumë krijuan një kartel. Një kartel që tashmë kontrollon një nga tregjet më fitimprurëse ne vend. Një treg që nuk njeh kurrë krizë, një treg që nuk ka nevojë të ndjeke klientin nga pas, pasi është shteti që e detyron të blejë shërbimin që ato ofrojnë. Të gjithë bashkë ato duhet të unifikojmë tashmë edhe politikat e marketingut, pasi çmimi, si një nga zërat që duhet të bëjë diferencën nga njëra tek tjetra, nuk luan më rol.
Eshtë njësoj sikur të gjithë supermarketet të vendosin që sheqerin ta shesin me 500 lekë kilogramin, vajin me 600, orizin 400 etj.Këto marifete ekonomike ndodhin dhe kanë ndodhur në shtete gjysmë demokratike, gjysmë dikatoriale dhe gjysmë legale, gjysmë informale. Ne duket se i kemi të dyja.
Ne jemi tashmë përballë këtij fakti. Të gjithë, llogariten rreth 300 mijë automjete në tërë vendin, pa llogaritur makineritë bujqësore dhe motoçikletat, duhet të punojmë për të pasuruar më shumë arkën e këtyre kompanive. AMF, Agjensia për Mbikqyrjen Financiare, deklaroi të enjten kur Top Channel publikoi i pari këtë lajm, se ajo kujdeset për shëndetin financiar të kompanive. Që do të thotë se kjo agjensi përgjigjet nëse kompanitë realizojnë fitime reale, pastrojnë para apo janë piramida të tipit Sude apo Xhaferri. Se si dhe sa para fitojnë këto, AMF-së nuk i intereson.
Ka një tjetër agjensi shtetërore që duhet të kontrollojë tregun kur në të aplikohen politika monopoli, dhe kjo është Autoriteti i Konkurencës. Por ky nuk reagon, edhe pse vendimi i këtyre kompanive për të rritur çmimin në mënyrë të menjëhershme dhe të gjitha sëbashku, është një shkelje flagrante e ligjit.
Në heshtje e përcollën lajmin edhe organet qeveritare, si Ministria e Financave, e cila ka bekuar me heshtje, gjithmonë, manovrat financiare të kompanive të sigurimit. Në heshtje e përcolli lajmin edhe opozita, e cila shqetësohet së tepërmi edhe për rritjen e çmimit të biletës së urbanit me 10 lekë, apo rritjen e çmimit të lakrës dhe preshit në treg. Kjo na bën të besojmë se faturat që tunden para kamerave me deklarata mëshirimi për njerëzit e varfër, janë vetëm një demagogji. Një pjesë e medias, gjithashtu heshti.
Kjo është një dëshmi e frikshme e aleancës që ka lidhur politika dhe media me biznesin. Biznesi furnizon në fushata makineritë elektorale të partive dhe ato zgjedhin të qepin gojën dhe të aprovojnë marifetet financiare të tij, në dëm të popullit. Kjo është një dëshmi e frikshme e shitjes së interesave të njerëzve si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Kjo është një dëshmi e frikshme se si një pjesë e rëndësishme e medias janë shitur tek interesat e biznesit dhe politikat e tyre editoriale bëhen tashmë nga zyrat e marketingut.
Një vëzhgim i Opendata tregon se kompanitë e sigurimeve(të dhënat të vitit 2010) kanë marrë, përfituar, prime në shumën 848 milion lekë dhe kanë paguar dëme vetëm 72 milion lekë. Ndërsa një investimin i gazetës online IDEA në Gjykatën e Tiranës ka zbuluar se pjesa dërrmuese e proceseve civile në këtë gjykatë janë padi të bërë nga klinetë ndaj kompanive më të mëdha të sigurimeve, të cilat nuk u paguajnë dëmin sipas kontratës. Madje, sipas, investigimit, janë sërish kompanitë që shtyjnë gjyqet duke bërë që në këtë gjykatë të ketë procese që zvarriten edhe prej 5-6 vitesh. Ministria e Drejtësië ka ushtruar herë pas herë kontrolle, por këtë fakt nuk e ka zbuluar asnjëherë.
Kjo shpjegon edhe faktin se përse pjesa dërrmuese e konflikteve gjatë aksidenteve zgjidhen me para në dorë. Shumëkush që ka një automjet mund të dije që policia rrugore nuk i bllokon dokumentet dhe e mbyll çështjen në një aksident rrugor, nëse pronarët e makinave të përplasura “merren vesh” mes tyre, pra ai që ka fajin paguan me para në dorë. Ndërsa siguracioni i paguar nga pronari i automjetiti është një fitim i pastër në xhepat e biznesit të sigurimeve.
Karteli i sigurimeve është një produkt i martesës së politikës me biznesin. Ndërsa ne duhet të paguajmë koston e madhe të kësaj dasme sharlatanësh të pangopur.
Mentor Kikia
Add new comment