Një formulë refuzimi për Nanon

Për nga mënyra sesi po përpiqen të administrojnë ambicien e Fatos Nanos për presidencën, dy partitë kryesore mund të përkufizohen vetëm në këtë mënyrë: të frustruara politikisht. Totalisht të frustruara. Fatos Nano përfaqëson aktualisht simbolikën e psikozës së impotencës së Sali Berishës dhe Edi Ramës. Çdo analizë, çdo stërhollim, çdo interpretim që del jashtë këtij kuadri “klinik” është një dokërr kokë e këmbë. Të cilën jo vetëm nuk e beson kush, por as nuk do që ta dëgjojë njeri.
Që të dy, pra, qoftë Berisha qoftë Rama, nuk e duan Fatos Nanon. Dhe ia njohin fare mirë njëri-tjetrit këtë ndjesi ndaj ish-kryetarit të socialistëve. Megjithatë, ngaqë dyshojnë se po ta deklarojnë pa ekuivoke këtë fakt mund t’u lindin probleme, atëherë imagjinojnë skenarë absurdë, të cilët i përshtatin më pas me frustracionet e tyre. P.sh. Berisha sapo i zënë në gojë Fatos Nanon thotë, gati me një ndjesë kristiane: “…Partia Demokratike do të ketë kandidatin e saj…”, kurse Rama ndërton fjali të tipit “…procesi duhet të nxjerrë emrin dhe jo emrat procesin…”
Normalisht, një ofertë si ajo e Fatos Nanos nuk mund të lërë indiferent askënd. Që do të thotë, se kërkon një përgjigje të qartë publike. Fatos Nano është një model i caktuar dhe, nëse do t’i respektonin idetë e tyre (cilatdo qofshin ato) për Presidentin e ardhshëm të Republikës, atëherë qoftë Berisha, qoftë Rama duhet të ishin të qartë dhe pa asnjë spërdredhje leksikore në përgjigjet e tyre. Duhej që t’i bënin të qartë pretendentit se ai nuk përfshihet në modelet e tyre. Pikë. Sepse Fatos Nano, në ndryshim nga të dy këta, është duke luajtur qartë. Parmbrëmë, te Top-Story i Sokol Ballës, afishoi qartë strategjinë e tij. Në çdo mjedis politik, minimalisht serioz, pretendimi i qartë publik i një ish kryeministri për postin e kreut të shtetit, duhej të shoqërohej menjëherë nga reagime po aq të qarta nga forcat që ruajnë ekuilibrin e sistemit. Por ç’ndodhi në fakt të nesërmen? Ndodhi ajo që mund të ndodhë vetëm nga parti të frustruara: Sali Berisha përsëriti nëpër dhëmbë nga Kamza atë fjalinë standard që thamë më sipër, kurse Edi Rama nxori një rekrut të tij për të recituar frazën mediokre “ne na intereson procesi”. Është e qartë se nuk duan të ballafaqohen me problemin Nano. Besojnë se do ta zgjidhin duke e administruar, mirëpo, në fakt, çështja “Nano” mund të administrohet vetëm duke u zgjidhur. Njëherë e mirë dhe pa e zgjatur. Jo kur Fatos Nano të fillojë konsultimet. Çdo ide për t’ia lënë “pataten e përvëluar Nano” tjetrit, është jo vetëm naive, por edhe e rrezikshme. Vendimi për ta refuzuar qartë që tani, është e vetmja formulë për të shmangur çekuilibrat, shantazhet apo merkaton e deputetëve më vonë. Fatos Nanos nuk i duhet mundësuar futja në lojë dhe jo “markimi” gjatë saj. Parandalimi është e vetmja zgjidhje.
Mospranimi i figurës së Fatos Nanos është e vetmja “mrekulli” mbi tokë që bashkon Sali Berishën dhe Edi Ramën. Të dy kanë qenë virtuozë në menaxhimin e dallimeve mes tyre. Tani u kërkohet me të vërtetë shumë më pak: të menaxhojnë përputhjet. Le të nisen nga kalkulimet, le të nisen nga arsyet, le të nisen madje edhe nga hiletë po të duan, por, në të gjitha versionet e mundshme të sjelljes së tyre, duke i dhënë një përgjigje të qartë dhe pa vonesë Fatos Nanos, do t’i shërbenin jo vetëm interesave të tyre por, edhe stabilitetit të jetës demokratike. Mund të thuhet pa frikë se përputhen edhe te nevoja për këtë të fundit.
Mapo
Comments
Jane pjesa me e madhe e
<p>Jane pjesa me e madhe e shoqerise qe mendojne njesoj si kjo qe shkruan z.vasjari.berishes dhe Rames u duket sikur po te deklarohen kunder nanos ky do regaoje dhe mund te influencoje per keq.Kjo eshte budallallek sepse mendimi pozitiv per nanon eshte vetem te ndonje socialist qe ka pare ndere nga ai dhe te ndoje nostalgjik.Te dy po te jene te ndershem duhet qe te dalin troc dhe t'i thone zoteri nano ne nuk te mbehstesim.Po u kthyem te nano kemi marre fund si shoqeri po me para kane mare fund berisha dhe rama.</p>
Add new comment