Mirëserdhe në klub, zoti Rama!

Postuar në 12 Maj, 2012 04:58

Katër ditë pasi në media vërshoi lajmi i një darke të vonë, mes Edi Ramës dhe Ilir Metës, pasionet që ai prodhoi nuk janë shuar ende. Ato mbeten të forta dhe në shumë raste diametralisht të kundërta. Megjithatë, përmes këtij debati popullor që ka pushtuar blogjet e internetit dhe kafenetë e Tiranës, po bën gradualisht udhë me bërryla, ideja se në fund të fundit po konsumohet me vonesë, ajo lëvizje e detyruar, që i nevojitet prej vitesh të majtës, për të krijuar një masë kritike votash, që do ta nxirrte me siguri në pension Sali Berishën vitin e ardhshëm. Sërish, mbetet e vështirë t’u shpjegohet një pjese të mirë të njerëzve se përse nuk duhet çuar në pension, bashkë me Berishën, edhe Ilir Meta.

Ka padyshim shumë skepticizëm, dëshpërim e pse jo, edhe pështirosje, te një pjesë e popullit opozitar, teksa pa sesi takohen dy burra që e kanë kthyer luftën publike mes njëri-tjetrit, në objektivin kryesor të jetës së tyre në tre vjetët e fundit. Rama dhe Meta mund të jenë duke shkuar drejt një stine të madhe afrimi, por kjo aleancë po ngrihet, të paktën momentalisht, mbi mosbesimin e thellë të një pjese të madhe të opozitës dhe votuesve të saj. Ky bashkëpunim me LSI, gjen sot pak mbështetje dhe mirëkuptim në një ambient të gjerë njerëzish të thjeshtë, ose edhe liderësh opozitarë, të cilët janë angazhuar në mënyrë intensive, politikisht dhe shpirtërisht, në bërjen “lanet” të asaj pjese të së majtës, që i përdori votat popullore për të mbajtur në pushtet Sali Berishën. T’u shpjegosh këtyre njerëzve  këtë kthesë të papritur, do të kërkojë kohë dhe mund. Dhe prapë nuk ka garanci se kjo mund t’i zeronte kostot që po krijon këto orë ky afrim, brenda kampit të majtë.

Ka vetëm një motiv që duket se mund ta justifikojë në një të ardhme, këtë që po ndodh sot, vetëm një vit e pak pas 21 janarit! Ky motiv, mesa kuptohet në sjelljen e Edi Ramës, është i thjeshtë: të afrohemi me Metën që të largojmë Berishën! Kjo është alfa dhe omega e darkës së Lalëzit. Të paktën sipas vizionit të Ramës, pasi taktika e Metës mbetet ende e mbështjellë nga misteri. Ai është njëherësh sot, edhe aleati kryesor i Berishës, edhe kolona e tij e pestë!

Megjithatë, populli opozitar, tani që emocionet e darkës së Lalëzit po nisin të fashiten, bashkë me habinë që shkaktoi kjo krushqi armiqsh, ka mundësinë ta analizojë me qetësi këtë operacion votash që po ndodh. Në fund të fundit, votuesit e opozitës, që me të drejtë janë revoltuar nga ngjalat politike mes PS-së e LSI-së, nuk kanë pse mos ta marrin parasysh mesazhin e kriptuar që po u jep lideri i partisë, me anë të takimit me Metën.

Para se të goditet me gur, gjesti më i fundit i Edi Ramës duhet marrë si një akt i hapur sinqeriteti politik. Ai po u thotë shqiptarëve të vërtetën e thjeshtë, të cilën po vetë ka refuzuar ta pranojë për shtatë vjet rresht: zgjedhjet nuk fitohen vetëm! Një aksiomë ku ka thyer kokën Fatos Nano, i cili shpotiste “partinë e skraparllinjve të inatosur”, por ku u përplas edhe ëndrra e Edi Ramës për të fituar gjithçka i vetëm. Kodi Zgjedhor, trysnia e paskrupullt e pushtetit, shitblerja e vjedhja masive e votave, loja e ndyrë e mediave qeveritare e pse jo, edhe qëndrimi shpesh oportunist e konjuktural i ndërkombëtarëve, të çojnë natyrshëm drejt idesë se një rotacion normal i pushtetit, në kushtet aktuale, është diçka në kufijtë e të pamundshmes. Rama po tregohet i ndershëm dhe realist në këtë lexim që i bën perspektivës politike afatshkurtër në Shqipëri, të dominuar nga një regjim i tipit putinist, ku çdo vlerë demokratike është relativizuar e mpakur me kalimin e kohës. T’i shkëpusësh këtij pushteti njërin nga komponentët e tij bazë, është padyshim një operacion i dyshimtë nga pikëpamja etike e morale, por që nga logjika e shifrave s’mund të jetë i qortueshëm.

Historia politike e shtatë vjetëve të fundit ka vendosur rregullisht përballë dy mënyra të ndryshme të të bërit politikë. Sado që alkimistët mediatikë pranë qeverisë të përpiqen të venë shenjën e barazimit mes Ramës dhe Berishës, deri më sot ai ka qenë thellësisht i ndryshëm në atë që ka bërë, në krahasim me Doktorin. E ndoshta prandaj edhe ka humbur, pasi ka hyrë në llumin e politikës shqiptare duke predikuar herë “politikën e re”, herë mospajtimin ndaj “tradhtarëve” të të majtës që bashkuan votat me Saliun, e herë largimin e kastës së vjetër politike të këtij vendi. Sot Edi Rama, përmes këtij afrimi në thelb karikatural me Ilir Metën, hyn në “klubin” e të mëdhenjve të politikës shqiptare, i veshur me rrobat dhe moralin e tyre. Rilindja shqiptare, këtej e tutje, shumë-shumë mund të quhet hakmarrja shqiptare. Sepse në fakt, kjo që po ndodh është një tentativë e shefit të opozitës, për të marrë një hak të vonuar, mbi ata që drejtojnë prej shtatë vjetësh këtë vend duke spostuar vota e duke flirtuar me cilindo që i ka dalë përpara, vetëm e vetëm që të mos humbin pushtetin. Rama ka vendosur të paguajë një taksë të rëndë për të marrë pushtetin në 2013. Shumë më të rëndë se ajo që refuzoi të paguajë në vitin 2009. Por më mirë vonë se kurrë. Me kusht që Ilir Meta të mos jetë duke bërë gjoja edhe kësaj radhe…

Comments

Submitted by trust_no1 (not verified) on

Besoj se votat qe do humbase Rama nga ky veprim do jene me te medha se te gjithe votat e LSI-se. Dhe kjo ne rastin me te mire per Ramen dmth nese Meta do ti qendroje marrveshjes me te.  Por kjo ka shume pak gjasa te ndodhe. Ky veprim eshte fundi politik i Edi Rames, sepse dhe nese vjen ne pushtet me Meten cfare ndryshimi do te kishte ajo qeverisje nga kjo e sotshmja me Berishen??

Submitted by Iluministi (not verified) on

Bukur Skender! Po u jep lexuesve, si nje mesues i mire lende, qe te kuptojne boten ku jetojne dhe me gjase te mund te kuptojne se çfare duhet te presin/ose jo neser.

Tani bashkekombasit e mi duhet te fillojne te kuptojne thelbin e asaj qe tash e 20 vitet e quajne  DEMOKRACI. Nuk eshte vendi ketu, madje nuk jam une ai qe mund ta qartesoje me tej ate. Por nja dy komente te shkurtera po i ofroj.

1. Ka nje dallim tmeresisht te madh ndermjet "vazos" ku kemi mbledhur vetem anet e mira te sendit, "vazosh" ku "magazinojme" vetem të keqijat syresh dhe u asaj "vazos" ku e mira me te keqen japin e marrin per jete a vdekje ne mbreterine e kaosit. Kjo vazo e tretë ngjan më shumë me boten ku ne jetojme.

2. Dy vazot e para, japin lende te ndertosh konstruksione mendore qe pranohen/refuzohen lehtesisht nga degjuesit/publiku. Si te tilla, ato jane te çmuara per kundeshtaret politike ne demokraci. S.B. eshte mjeshtri i perdorimit te ketij tipi - ai adhurohet nga pasuesit e tij (sigurisht pa ia kuptuar ato qe thote, te cilat sigurisht ai vete nuk i beson) dhe anatemohet nga kundështarët me po kaq lehtesi e pasion.  Vazua e trete, me kujton aparatin mendor te burrave si Driteroi apo Sabri Godua. Nuk bindnin ithtaret, por shkonin drejt e në shpirtin e zemren e atyre qe kane veshe te degjojne e sy te shikojne, deri ketu, pasi ajo puna e mendjes nuk i vlen shume as ketij grupi.

3. Keto 20 vite, si femijes ne shkolle, jeta na ofroi pa mase pervoja per te kuptuar se demokracia i ngjan kazanit qe po gatitet te valojne, por qe asnje here nuk e mbrin piken kritike. E kjo pse jeta qe po pranojme (apo na detyrojme keshtu) eshte nje kaos i vertete njerezish, idesh, sendesh dhe lidhjesh, qe sapo merr nje forme, gatitet te marre formen pasuese, pa arritur asnje here te kristalizoje nje profil te qendrueshem dhe lehtesisht te kuptueshem. E kushtezuar nga lufta e opinoneve, interesave, mundesive. Ata qe keto 20 vite deshmuan se e kane kuptuar kete dialektikë  pa dyshim janw S. B. dhe I.M. Ai qe qe nuk kuptoi asgje nga kjo dialektike -  edhe pse nje pjese te madhe te jetes e kaloi korridoreve te nje instituti ku duhej ta mesonte kete metode te menduari - ishe sigurisht F. N. Ai qe duket se po e meson, per fat ne kohe, eshte E.R. Le t'i urojme mirseardhjen ne klub, duke i kujtuar se certifikaten e merites do duhet te vije ta marre pas zgjedhjes se presidentit.

Add new comment

Plain text

• No HTML tags allowed.
• Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
• Lines and paragraphs break automatically.