Mirëkuptimi teatral në Tiranë nuk hap dyer në Bruksel

Postuar në 18 Shkurt, 2012 05:30

Brukseli vazhdon ta mbajë pezull prej rreth tre vjetësh aplikimin e qeverisë shqiptare për marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. Sirtari me zarfin e Berishës brenda nuk është hapur fare në vjeshtën e vitit 2009. Është hapur, por përgjigjja për Shqipërinë ka qenë “jo” në vjeshtën e vitit 2010 dhe “jo” përsëri në vjeshtën e vitit 2011. Tre vite të humbura  thjesht për të kandiduar! Tre vite vendnumëro!

Nuk ka ndodhur me asnjë vend tjetër të rajonit kjo që ka ndodhur me Shqipërinë. Asnjë vend aspirant nuk ka pritur kaq gjatë në një stacion të vogël dhe ende të largët drejt Europës së Bashkuar, siç është kualifikimi vend kandidat. Jemi parakaluar nga Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia në një maratonë që ne e kemi nisur disa vite përpara tyre. Kemi mbetur të fundit kur kemi qenë të parët në këtë korsi. Nuk kemi asnjë siguri se do ta marrim ftesën nga Brukseli këtë vit, edhe pse në përcaktim jemi populli më proeuropian i Ballkanit dhe nuk kemi asnjë parti politike që është kundër hyrjes së vendit në BE. Është mëse e qartë se në pikën ku kemi mbërritur nuk vendosin më dëshirat, por standardet. Populli proeuropian e ka futur në shtratin e duhur aspiratën e tij historike. Finalizimi i përket elitës politike-intelektuale. Zbatimi i kritereve – ky është kushti që duhet përmbushur. Nga kush? Nga politikbërësit në radhë të parë. Nga qeveria që është votuar e mandatuar prej populli për ta çuar vendin në Europë. Nga institucionet e pavarura – Presidenti, Gjykatat, Prokuroria, Shërbimi Informativ Shtetëror, Avokati i Popullit e të tjerë. Nga opozita që ka rolin e saj të pazëvendësueshëm në këtë proces, si institucioni që kontrollon, kritikon, kërkon llogari, propozon dhe voton aty ku duhet vota e saj. Nga organizatat e shoqërisë civile dhe publiku mbarë. Nuk ka dyshim se integrimi i shpejtë dhe i sigurt është një mision në grup. Por integrimi ka specifikën se në një rrethanë të caktuar qeveria mund ta bëjë edhe pa gjithë të tjerët, kurse gjithë të tjerët nuk mund ta bëjnë pa qeverinë. Qeveria mund ta tërheqë edhe e vetme parmendën e integrimit, ndërkohë që të tjerët, sado të fuqishëm të jenë, nuk mund ta tërheqin pa qeverinë. Kështu janë ndarë këto punë. Kjo është e thjeshtë për t’u kuptuar.

Mirëpo në Tiranë e kanë zakon të luajnë kukafshehthi me përgjegjësitë. Pa e vrarë mendjen për pasojat. Sa herë ka ardhur një “jo” nga Brukseli, kemi dëgjuar përfaqësuesit e lartë të shumicës – kryeministrin, ministren e Integrimit,  kryetarin e LSI-së dhe shumë të tjerë – të përsërisin pa pushim se fajin e ka opozita, bojkoti i saj, protestat e saj. Ka patur vërtet në paketën e dymbëdhjetë kritereve të BE-së dy pika që kërkonin impenjimin e drejtpërdrejtë të opozitës. Ato dy pika kanë qenë nënvizuar me tendencë për të nxitur përgjegjësinë e opozitës shqiptare në një anë dhe për të theksuar mesazhin e bashkëpunimit në anën tjetër. Por paketa në tërësi ishte dhe është një Detyrë me “D” të madhe për qeverinë. Të thuash dhe të besosh me sinqeritet, në këto kushte, se fajin e ka opozita, do të thotë të jesh minimumi naiv. Të gënjesh për hir të propagandës, do të thotë të jesh i mbrapshtë, i papërgjegjshëm. Unë nuk mund ta di a e kanë patur për propagandë apo kanë besuar sinqerisht krerët e shumicës kur kanë pohuar tribunë më tribunë se statusi nuk na është dhënë për faj të opozitës. Të zotët e punës, domethënë ata të Brukselit, nuk e kanë thënë kurrë këtë. Ky fakt i ka vënë kapak me kohë këtij diskutimi. Pa u kthyer më në këtë histori cicmicesh, ia vlen të shënohet se tani që opozita ka përmbushur e po përmbush në Kuvend  detyrat e saj, shumica qeveritare po përpëlitet si peshku në zall. Ç’ka ndodhur? Ka ndodhur kjo që, duke akuzuar opozitën, qeveria ka lënë pasdore detyrat e saj që janë me të shumta në numër dhe më thelbësore. Lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe reformimi i sistemit të drejtësisë janë dy nga sfidat më të mëdha që duhet të përmbushë Shqipëria për të shpresuar një  notë pozitive nga Europa. Në raport me këto dy sfida madhore, qeveria shqiptare është në metamorfozë: duhej të ishte zgjidhja dhe po bëhet problemi. Nëse kjo metaformozë nuk ndalet, pra përmbyllet, çështja e marrjes së statusit do të presë rrotacionin politik të pushtetit, por edhe atëherë do të gjykohet performanca demokratike e qeverisë së re.

Koha po shkon. Paralajmërimet e zyrtarëve të Brukselit nuk janë hiç optimiste për ketë vit. Edhe pse opozita nuk është as në bojkot, as në protesta. Nga gjithë kjo kuptojmë e duhet të kuptojmë tashmë të gjithë dhe jo vetëm një elitë e ndriçuar, se bashkëpunimi mes forcave politike është një premisë e mirë për të shënuar progres, por nuk është vetë progresi.

Në një moment të caktuar, duke vlerësuar rëndësinë e integrimit të vendit në Europë, forcat politike mund të inskenojnë mirëkuptimin më të madh në histori, mund ta luajnë si teatër konsensusin, duke shtrënguar duart para kamerave, duke bërë sikur po punojnë së bashku, duke u parë andej-këndej krah për krah në tryeza dhe delegacione të përbashkëta, duke votuar unanimisht marrëveshje tip që nuk i lexon njeri, duke e spërkatur këtë gjellë engjëllore me pak kripë debati që të mos kuptohet loja dhe të mos duket sikur e kanë shkrehur fare pluralizmin!

Në një moment të caktuar opozita, që ka përveshur mëngët në Kuvend pa asnjë garanci dhe pa asnjë lëshim nga shumica për asnjë prej çështjeve për të cilat ajo ka protestuar, mund të konkludojë se integrimi vlen me shumë se demokracia, prandaj të bëjmë një sy qorr e një vesh shurdh, vetëm ta marrim statusin, pastaj është statusi që punon për ne!

Nuk funksionon! Nuk funksionon as si teatër, as si shtirje. Nuk e ha njeri.  Integrimi nuk ka qenë dje dhe nuk do të jetë as në të ardhmen një çështje e formës, por e përmbajtjes. Një çështje e plotësimit të detyrave konkrete të shtëpisë. Të cilat “korrigjohen” në Bruksel.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.