Ministri i Financave zbulon realitetin

Më mirë vonë se kurrë! Në një intervistë dhënë ‘Zërit të Amerikës’, ministri ynë i financave z.Ridvan Bode, vendosi të mos luajë më politikën e strucit por ta shohë realitetin në sy. Ai bën dy konstatime flagrante për shumicën e analistëve të ekonomisë, por që qeveria aktuale refuzonte t’i pranonte: ‘Po, ekonomia shqiptare ka humbur ritmin e lartë të rritjes. Po, Shqipëria ka nivelin më të lartë të borxhit në rajon dhe kjo është problematike’ pohoi Bode.
Tabloja është megjithatë dhe më e zymtë. Para disa vitesh, Shqipëria ka njohur rritje ekonomike deri 8% në vit. Asaj kohe paguanim rreth 170 milionë euro borxh e interesa në vit. Por me shpërthimin e krizës globale, rritja jonë shkoi drejt rënies. Ajo parashikohet vetëm 1,2% më 2012. Këtë vit duhet të paguajmë mbi 350 milionë euro borxh e interesa. Matematikisht kemi një rritje ekonomike vjetore që ka rënë më shumë se pesë herë dhe një borxh vjetor që është rritur dy herë.
‘Z.Bode, cilat janë masat e marra nga qeveria shqiptare sa i takon borxhit?’ – pyeti ‘Zëri i Amerikës’. Ministri heshti. Të qeverisësh është të parashikosh. Aty ku shumë qeveri në botë ndaluan menjëherë investimet e rënda publike që nuk mund të përballoheshin përveç se borxhit, qeveria jonë i mbajti ato investime dhe madje i thelloi: Autostrada e veriut, rritja e pensioneve dhe pagave në sektorin publik, ulja e të ardhurave fiskale me vendosjen e një takse të sheshtë, vendimi për ndërtimin e një parlamenti të ri, vendimi për ndërtimin e një aksi të ri gjigant rrugor (Tiranë-Elbasan) etj.
Nuk e mendoi kjo qeveri se si do të financoheshin të gjitha këto përveç se borxhit? Borxh që ajo s’mund ta shlyejë nëse bie rritja ekonomike, siç po i ndodh. ‘Na është rritur borxhi për faj të euros’ – mallkon Bode. Po kush qe ai përveç Bodes që u shiti shqiptarëve eurobondet si të ishin barka e Noes? Tani ministri shkon në SHBA për një borxh të ri tek Banka Botërore.
Mungesa e investimit strategjik
Në cilin sektor më “rezervuar” rritje ekonomike për të ardhmen ka investuar qeveria e Shqipërisë në mënyrë që ashensori mos të binte kaq poshtë në vetëm 1% rritje në vit? Qeveria amerikane ka investuar gjithmonë me prioritet tek Boing, BE-ja dhe Franca tek bujqësia, Japonia dhe dragonjtë aziatikë tek komponentët elektronikë e informatikë, Britania e Madhe tek industria financiare, Gjermania po investon tek energjitë e rinovueshme. Nuk mund të thuhet se autostradat do t’i sjellin rritjen ekonomike Shqipërisë, një vend që s’prodhon asgjë. Interesi makroekonomik i autostradës është pikërisht të çojë prodhimin tek konsumatori dhe te pikat doganore. « Raiffeisen Bank ka deklaruar që brenda tremujorit të parë të këtij viti të ulë kreditimitn e saj 120 milionë euro, kjo sigurisht jo e mirë për ekonominë », ankohet i shqetesuar Bode. Më mirë 1 miliard euro nëpër autostrada apo 500 milionë euro në një bankë publike të zhvillimit kombëtar për të financuar industrialistët dhe fermerët tanë qoftë dhe si fond garancie? Pse nuk u rezervua taksa e sheshtë ose fare 0 vetëm për ata që prodhojnë në Shqipëri dhe jo për importuesit e mallrave? Me 8 % rritje ekonomike në vit, dogjëm një ‘xhoker’ investimi strategjik. Po hyjmë në tunelin krizës me fare pak rritje e shumë borxh. Zoti ju ndihmoftë për një borxh të ri tek Banka Botërore në Uashington, zoti Bode. Por mendoni pak se kush do ta lajë mbrapa.
Shekulli
Add new comment