Mafia universitare nuk është konvencion

Sikur të na kërkohej një titull për telenovelën e diplomës false të Bossi-t junior, ajo mund të ishte “Shërbimi i madh i një idioti”. Idioti Renzo ishte fati ynë. Sepse, asgjë më shumë se subjekti i tij, asgjë më mirë se diskreditimi që erdhi prej diplomës së tij, nuk do t’i shërbente denoncimit të njërës prej strukturave më kriminale të tranzicionit tonë: mafies universitare.
Ka me qindra ngjashmëri në superstrukturë, në modalitete, në mentalitet dhe pasoja, të cilat bëjnë që, gjithë fëlliqësinë që gëlon brenda një pjese të botës së dijes në Shqipëri ta klasifikosh si mafie. E cila, para se të jetë në trajtën e një diplome false universiteti, është një licencë për një universitet fals; para se të jetë një diplomë me para, është një licencë me para; para se të jetë një diplomë pa standarde, është një licencë jashtë çdo standardi; para se të jetë një diplomë e shitur për të birin e një politikani italian, është një licencë e blerë nga një shqiptar(ë) me “diplomë” politike. Pra, thellë-thellë, nuk bëhet fjalë për rastin e diplomës false të një idioti nga Italia, por bëhet fjalë për fenomenin industrial të diplomave false në Shqipëri. Më kujtohet një frazë e Peppino Impastato, një martir italian në luftën kundër mafies: “Mafia është një mal me mut”. Modifikimi i vetëm që duhet bërë me këtë rast është se, mafia jonë universitare e ka ngritur mutin në nivel akademik, e ka ornamentuar diplomën me “kristale” muti. Dhe kjo është shumë më e tmerrshme për fatet e një shoqërie sesa mafia e naftës apo kromit,e lejeve të ndërtimit apo ilaçeve. Ngaqë mafia universitare, në ndryshim nga ajo klasike, nuk korrupton paranë, por korrupton dijen. Mafia “normale” është një mafie që e përdor politikën, kurse ajo universitare edhe prodhon. Ka njëzet vjet me radhë që vijon ta prodhojë.
Por, askush nuk ka folur. Politika, afërmendsh që jo. E megjithatë, Renzo-t tanë kanë qenë aty. Madje me shumicë. Kanë qenë në Parlament, në administratë, në shoqërinë civile, nëpër parti. Çuditërisht, askush nuk është përpjekur të shpjegojë fenomenin paranormal të diplomimit “në juridik dhe ekonomik” në një periudhë kohore më të vogël se gjimnazi e në disa raste përpara gjimnazit. Është e padenjë akuza se janë vetëm privatet që e bëjnë. Spekulim kokë e këmbë! E kanë bërë universitetet publike të parat. Kanë qenë ato që shkatërruan imenin moral të institucionit të dijes në Shqipëri. Doni prova? Bëni një karelatë të shpejtë mbi diplomat e deputetëve të katër legjislaturave të fundit apo krerëve të institucioneve publike. Hidhini një sy, qoftë edhe shkarazi, curriculave dhe do zbuloni se “misteri” i origjinës së pergamenës së tyre akademike gjendet, me shumicë, në universitetet publike të provincës por, jo rrallë, edhe të metropolit.
Sidoqoftë, të përgjithësosh është po aq idiote. Idiote, por dhe fyese, njëherazi. Është fyese për qindra pedagogë të universiteteve publike dhe private që i injektojnë çdo ditë sistemit të dijes në Shqipëri antikorpet e tyre morale, duke e mbrojtur nga kalbëzimi; është fyese për mijëra studentë të publikeve dhe privateve që dergjen librave duke mos bërë kompromise me matrapazët e diplomave; është fyese për ato universitete publike dhe private të cilat nuk lejojnë që dija të korruptohet nga mafia e universiteteve. Mafie, e cila nuk është një entitet anonim. Nuk është një copëz konvencioni nga dramaturgjia jonë sociale, siç kanë dëshirë që ta besojmë. Është konkrete, faqe botës, nën sqetullën e politikës kur kërkon të mbrohet prej saj, në krah të politikës kur i shërben asaj. Tamam si një bashkëjetese e cila është kordiale ngaqë është solidare. Njësoj si në rastin e diplomës së idiotit Bossi junior. Edi Rama u mjaftua me tre rreshta nga proza e tij skematike në Twitter dhe me kaq e kreu misionin e tij opozitar përballë një skandali të lemerishëm. Ndërkohë që në korridoret e pushtetit, as që e hapi qiellzën njeri. Sigurisht, heshtën sepse kanë se ç’humbasin nëse flasin. Humbasin donacione, sponsorizime fushatash elektorale, tanxhente…
Ka shumë të ngjarë që, si shumë turpe të tjerë, edhe kjo e diplomës së idiotit Renzo të ketë happy end-in e saj. Nuk është për t’u habitur që, në fund të kësaj historie tragjikomike, në mendje do të na ngelet vetëm peshku Renzo. I cili, në fakt, ishte thjeshtë një blerës, mes shumë të tillëve që furnizohen me diploma nga mafia universitare. Por, një blerës që na zbuloi se kush është shitësi. Kaq do të mjaftonte për të pranuar se Renzo, në tentativën për fshehur idiotësinë e tij përmes blerjes së një diplome, na bëri një shërbim. Na qartësoi se mafia universitare nuk është një konvencion.
Add new comment