Letra e hapur dhe Fatos Nano si trashëgimi politike

Postuar në 07 Qershor, 2012 05:05

Sa herë që emri i Fatos Nanos është përmendur si kandidat për President, pothuajse askujt nuk i ka shpëtuar edhe cilësori ‘i vetëofruar’. Pandërgjegjshëm ndoshta, megjithatë ilustrimi i kandidaturës së tij si të tillë, të vetëofruar, ka qenë edhe njëfarë stigme ndaj aktit vetmitar. Në një plan personal dhe njerëzor, fakti se ish-kryeministri i Shqipërisë, ish-kryetari i Partisë Socialiste dhe lideri historik i së majtës, mbetej brenda shtrëngimit të vetëofertës, pa u parë të paktën nga krahu i tij si Oferta, flet më shumë për të majtën shqiptare sesa për vetë z. Nano.

Por, në tre momente, kyçe duhet thënë, z. Nano është parë si Oferta megjithëse, edhe pas kësaj, ligjërimit politik e mediatik nuk i është ndarë togfjalëshi ‘Nano, kandidati i vetëofruar’. I pari rast kur Fatos Nano është parë si ofertë me O të madhe është  nëpërmjet optikës dhe aksionit të ambasadorit amerikan në Tiranë, z. Aleksandër Arvizu. Nuk ka qenë e vështirë për t’i brendafutur kornizës presidenciale të diplomatit amerikan portretin e Fatos Nanos. Sigurisht, ai nuk e ka ofruar zyrtarisht, siç nuk ia lejon prerogativa diplomatike, por aksioni i tij, në raport me Nanon, ka qenë një open endorsment (miratim i hapur).

Një moment i dytë ka qenë mbështetja e hapur e një radhe eksponentësh të partive të vogla parlamentare, si Idrizi e Dule, por edhe deputetësh socialistë, si Harasani. Sigurisht gjithkush mund të lidhë mbështetjen e zotërinjve në fjalë me njëfarë borxhi të shlyer ndaj ish-kryeministrit socialist, por në politikë, si kudo, ngapak mirënjohje nuk bën keq, apo jo?

Dje pasdite vetëoferta është bërë thuajse ofertë, kur një grup prej rreth 30 intelektualësh, njerëzish të shquar apo ‘punëtorësh të heshtur’, por gjithsesi të suksesshëm në fushat e tyre, ka nënshkruar një letër të hapur drejtuar Kryeministrit, shefit të opozitës, kryetarit të LSI-së e krerëve të partive të tjera parlamentare. Shkurt, lista ilustrative u kërkonte vendimmarrësve politikë mbështetje për Fatos Nanon. Nëse letrës i kërkohet një thelb, ai mund të gjendet te “përfilljen e trashëgimisë sonë politike me të gjithë vlerat dhe problemet e saj, por që mund të jetë në shërbim të vendit, institucioneve dhe demokracisë shqiptare shumë më tepër sesa formulat e tjera që prodhojnë një president nga një proces negociues i mbyllur e i kufizuar.”

Te trashëgimia, në fakt, te legacy, duhet kërkuar jo vetëm thelbi i ofertës së listës së të tridhjetëve, por edhe një e vërtetë shpëtuese. Fakti se firmëtarët e letrës së hapur, në një shikim të shpejtë, janë jo vetëm aktorë të lamive të ndryshme të kulturës e shkencës, por edhe të animeve të kundërta politike, flet për atë se trashëgimia e Nanos shihet si liberale. E tillë, me sa duket, nga të dy krahët.

Trashëgimia, për t’u mbajtur te kjo vlerë, na vjen në ndihmë edhe nëpërmjet traditës së demokracive kufitare me ne, si Italia e Greqia. Italianët, të paktën në rastet e Ciampit, Kosigës e Napoletanos, i janë përmbajtur fillit të trashëgimisë politike, ndoshta duke dashur të dëshmojnë se edhe tekstura politike, si pjesë e teksturës kombëtare, evidentohet dhe mbrohet me anë të traditës si evolucion.

Nëse në raundin e tretë, apo të katërt, përballë kandidaturës së mazhorancës qeverisëse Partia Socialiste kryen ofertën e Fatos Nanos, pikërisht si pjesë të trashëgimisë së saj, e majta takohet me opinionin publik, i shprehur edhe nga  letra e hapur e intelektualëve. Mazhoranca, ndërkohë, mendon se ka propozuar kandidatin që, sipas saj, i bie fiks kornizës së opinionit publik. Trashëgiminë politike, ndoshta, klasa politike shqiptare e ka kapërcyer në iluminim e sipër.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.