Kur Wolfarth-i lan duart si Pilati

Kur Pontius Pilati, prefekti romak i krahinës së Judesë, toleroi kryqëzimin e Krishtit, i lau duart duke thënë se ishin vetë izraelitët që e kishin marrë atë vendim. Të njëjtën gjë po bën edhe Eugen Wollfarth-i, “prefekti” i OSBE-së në Tiranë. Po lan duart, për 20 vjet mungesë zgjedhjesh të lira, duke ua hedhur fajin shqiptarëve. “Nuk janë të huajt që duhet të drejtojnë një vend të pavarur, janë qytetarët e këtij vendi që drejtojnë këtë vend. Askush nga ODIHR-i nuk do të vijë këtu për të dhënë udhëzime apo për të imponuar zgjidhje. Kjo është thjesht një ofertë. Ai që vendos është Parlamenti. Ky proces asistohet… por nuk drejtohet nga OSBE-ODIHR” – u shpreh ambasadori Wollfarth, në përgjigje të disa kritikave që iu drejtuan organizatës që ai drejton, nga tryeza e një forumi të shoqërisë civile. Është qartazi një qëndrim pilatesk, që përpiqet ta hedhë përgjegjësinë tek të tjerët për mosmbarëvajtjen e punëve, pikërisht aty ku e ka për mision që gjërat të korrektohen. Dhe a nuk është qesharake, që kreu i OSBE-së, që është në Tiranë për të ndihmuar shqiptarët e prapambetur në punët e demokracisë, të bëjë zgjedhje të lira e të ndershme, të justifikohet për mosarritjen e këtij objektivi me vetë shqiptarët? A nuk është njësoj sikur mjeku, për të fshehur paaftësinë e vet, t’ia hedhë fajin të sëmurit se përse nuk shërohet nga një sëmundje e kurueshme?

Pak ditë më parë, diskutantë të një forumi qytetar i atashuan OSBE-së dhe ODIHR-it një pjesë të përgjegjësisë për mosrealizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në Shqipëri. Ata kritikuan faktin që, përjashtuar viti 1996, këto organizma kanë vazhduar të njohin zgjedhjet në Shqipëri, megjithëse ato nuk i kanë plotësuar asnjëherë standardet europiane. OSBE dhe ODIHR u kritikuan, edhe pse duke përdorur një gjuhë të turbullt, duke cilësuar zgjedhjet si “një hap përpara me ato paraardhëse” kanë inkurajuar ndër vite avancimin e mekanizmit të manipulimit, duke e ekspozuar madje edhe si “progres”. Tani të vijmë tek reagimi i Wollfarth-it ndaj kritikave. Ishte krejtësisht i papërgjegjshëm. Sepse ta hedhësh fajin tek të tjerët, do të thotë të mos marrësh përgjegjësi mbi vete. Por ç’do të thotë se OSBE-ja nuk qenka në Shqipëri për të dhënë udhëzime? Që OSBE nuk mund të marrë vendime, këtë e di edhe bufi, por që ajo duhet të udhëzojë shqiptarët (fjalë për fjalë t’u tregojë udhën më të mirë si duhen bërë punët e zgjedhjeve), ky është thelbi i misionit të OSBE-së. Dhe a nuk kanë pikërisht këtë qëllim edhe “direktivat” për reformën zgjedhore, që fare mirë mund të quhen edhe “udhëzime”? Shihet qartë që ambasadori Wollfarth, në jo pak raste, nuk e di kuptimin e fjalëve që thotë, duke na kujtuar borgjezin fisnik, që edhe pse kish një jetë që fliste në prozë, nuk e dinte një gjë të tillë. Ndërkaq ai shfaqet edhe dinak. Sepse të gjithë e dinë, që pavarësisht se OSBE apo ODIHR vetëm mund të sugjerojnë, për vetë rrethanën e papjekurisë politike dhe institucionale në Shqipëri (po të qe ndryshe nuk ka pse OSBE të kishte një prezencë në Tiranë) këto sugjerime apo oferta marrin një karakter urdhëror për klasën politike shqiptare. Prandaj është e rëndësishme që ofertat e OSBE-së të jenë të ndershme dhe në favor jo të qeverisë apo të cilësdo palë politike, por në favor të ndërtimit të një mekanizmi zgjedhor neutral, që ngushton hapësirat e manipulimit nga kushdo e në radhë të parë, nga qeveria që ka mjete më të shumta (e nën Berishën edhe përvojën e prirjen e mjaftë) për ta kryer një manipulim të tillë. Mjerisht OSBE-ja nuk ka vepruar përherë kështu. Për shembull, aktivistët e forumit qytetar në fjalë, kanë kritikuar sugjerimin e bërë nga OSBE-ja për mos aplikimin e numërimit elektronik të votave apo edhe për teknologjinë e verifikimit të kartave të identitetit. Ne vetëm një ofertë bëmë dhe është parlamenti që vendos – tërhuzet Pontius Wollfarth-i. Në këtë reagim fshihet edhe djallëzia, sepse, në realitet, nuk janë qytetarët që vendosin. As edhe vetë Parlamenti. Ai që vendos është kryeministri Sali, me shumicën e tij tiranike në Kuvend. A nuk e patë se si nxitoi ta përshëndeste “sugjerimin” e OSBE-së për pezullimin e numërimit elektronik, duke hedhur poshtë edhe konsensusin e sëkëlldisur që kish arritur me opozitën për këtë çështje? Por ja se nga na mbin një teknik nga ata të Wollfarth-it që “sugjeron” se është herët për numërim elektronik. Sugjerim që Berisha, i cili e urren çdo teknikë moderne numërimi që ia ngushton kufijtë e manipulimit e vjedhjes së votave, e kapi në ajër, duke treguar qartë që mezi e kish pritur. Dhe shikoni sa bukur mbyllet rrethi mes OSBE-së, Wollfarth-it dhe Berishës, duke e lënë me gisht në gojë shoqërinë civile, opozitën dhe … demokracinë. Është një lloj rrethi ku alibia është provë për alibinë! Wollfarth-i justifikohet, duke thënë se vetëm kanë bërë një sugjerim, por janë shqiptarët ata që vendosin. Në fakt, është Berisha dhe shumica e tij që vendos. Prandaj Wollfarth-i justifikohet me atë që bën Berisha. Ky i fundit, nga ana e tij, justifikohet me sugjerimin e Wollfarth-it. Vetë OSBE-ja tha që numërimi elektronik është i parakohshëm – deklaroi kryeministri, duke nënvizuar se nuk do bëjë asgjë jashtë sugjerimeve të OSBE-së. Dhe kështu si po shkojnë punët me reformën zgjedhore, me siguri edhe në zgjedhjet e ardhshme Shqipëria nuk do të shpëtojë dot nga kanceri i zgjedhjeve, pavarësisht rekomandimeve të mjegullta apo konkluzioneve të tredhura të OSBE-ODIHR, që shpërndan barazimtarisht fajin mes pushtetit dhe opozitës, duke krijuar një situatë absurde, ku të gjithë janë fajtorë dhe po të gjithë janë të pafajshëm. Por jo ekzaktësisht të gjithë. Se të pafajshmit fare do të jenë përsëri OSBE-ODIHR dhe Wollfarth-i. Për këtë të fundit, faji do të jetë përsëri i shqiptarëve.
Shqip
Comments
Rrofte Marksizem-Leninizmi,

Rrofte Marksizem-Leninizmi, rrofte Partia e Punes e Shqiperise me ne krye Enver Hoxhen, honorarin tone te perjavshem jepna ti o zot. Amen!

ka pronotuar pushimet

ka pronotuar pushimet familjare ish kapterri ushtrise.me cfare do ti paguaj.

eugen vertet i lau duart, por

eugen vertet i lau duart, por dhe qe kjo eshte nje pergjegjesi e shqiptareve eshte gjithashtu e vertet. do ish mir eugeni te mos nderhynte prej fillimit qe te mund te justifikonte ate se e kujt esht pergjegjsia. mos t'iu vij cudi z.stefani se eugen-tullumbaci nuk shqetesohet per shqiptaret kur ato vete nuk shqetesohen per veten...

sa per interpretimin e pjese Pilatit ...me mire t'ia lini noi teologu qe ndoshta e kupton me mire kompleksitetin e ndodhise me Pilatin...

Add new comment