KQZ-ja që nuk na habit

Prej vitesh jemi mësuar ta paragjykojmë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si institucionin ku vullneti popullor deformohet më shumë sesa respektohet. Gjatë zgjedhjeve kemi parë KQZ-në të marrë tiparet e një cirku, ku nëpërmjet prestigjatorëve dhe akrobacive juridike votat shfaqen dhe zhduken nëpër kutitë magjike. Kemi parë se si KQZ dhe kryetari i saj aktual kanë fituar tashmë dashurinë dhe respektin e liderit dhe militantëve të Partisë Demokratike. Dhe jo pa arsye magjia e tyre elektorale shpesh ka qenë heroike, duke prodhuar shumica që fatkeqësisht elektorati nuk i kish prodhuar dot.
Duhet thënë që edhe me vendimin e saj të fundit, në lidhje me kërkesën për referendum kombëtar mbi mbetjet, KQZ-ja nuk na habiti aspak. Nëpërmjet akrobacisë juridike të radhës ajo vendosi që nga njëra anë ta pranojë kërkesën për referendum, ndërsa nga ana tjetër ta mbajë këtë kërkesë për më shumë se gjashtë muaj në sirtarët e saj, përpara se t’ia kalojë Gjykatës Kushtetuese. Pra, referendumi pranohet në parim, por bëhet i vështirë në praktikë, pasi vitin që vjen kemi zgjedhje dhe, sipas ligjit aktual, referendumet nuk mbahen dot gjashtë muaj para dhe tre muaj pas zgjedhjeve.
Në këtë mënyrë, pas dy ditë diskutimesh dhe sorollatjesh, KQZ u tha qytetarëve se parimisht ata kanë të drejtë të bëjnë referendum, por praktikisht duhet të presin nja dy vite. Pra, tamam si në cirk referendumi sapo shfaqet, menjëherë zhduket. Kështu KQZ-ja nuk na zhgënjen. Edhe një herë ajo kënaq të gjitha paragjykimet tona si një institucion, ku vullneti qytetar zvarritet dhe keqtrajtohet derisa t’i dalë shpirti.
Merita nuk është thjesht e anëtarëve të KQZ-së që e votuan këtë vendim, e kryetarit të saj, apo e juristit të PD-së në KQZ. Merita reale është e shefit të tyre, e zotit Kryeministër. Në fund të fundit KQZ-ja është institucioni më i dashur për Kryeministrin, ku janë punësuar shërbëtorët më të devotshëm dhe besnikë të tij. Nën udhëheqjen e tij KQZ është transformuar nga një institucion që duhet të pasqyrojë vullnetin e qytetarëve në një institucion që e denoncon atë. Në këtë aspekt, KQZ-ja tashmë ka marrë tiparet e vetë Kryeministrit me moton politike “Kur kapesh keq, fillo denonco!”
Kështu, në rastin e referendumit për mbetjet, pasi tejkaloi afatet ligjore, KQZ-ja i çoi firmat në laboratorët e kriminalistikës. Pas reagimit publik të nismëtarëve dhe të ambasadorit Arvizu, KQZ-ja filloi denoncimin e nismëtarëve për falsifikim firmash, duke u nisur nga fakti se disa qytetarë kishin firmosur edhe për familjarët e tyre. Për këtë qëllim u shpik shifra prej 70%, që nuk ekzistonte as në raportin e ekspertizës kriminalistike të porositur nga KQZ-ja në fshehtësi të plotë. Edhe pse u detyruan të pranonin se mbi 50 mijë firma të rregullta ekzistonin, disa prej anëtarëve të KQZ-së si partiakë të devotshëm nuk reshtën së kërkuari procedim penal. Pra, nga një institucion zgjedhor, KQZ-ja u kthye në një institucion akuze, që kërkon procedim penal për shoqërinë civile, edhe pse akuza për falsifikim sipas vetë gjykimit të saj ishte krejtësisht pa pasojë dhe pa peshë.
Pas vendimit të fundit të KQZ-së, mund të themi me siguri se në njëqind vite shtet Shqipëria ende nuk ka organizuar një referendum me iniciativë qytetare. Që të mos mbetemi në të njëjtën situatë, në njëqind vitet që po vijnë duhet të tejkalojmë dy pengesa që e bëjnë referendumin qytetar të pamundur. Së pari, me formatimin aktual politik të KQZ-së është e pamundur të bëhet referendum në Shqipëri pa miratimin e qeverisë. I vetmi institucion në Shqipëri që sot ka mundësi faktike për të bërë referendum, është qeveria. Të tria referendumet që janë bërë në Shqipëri këto njëzet vitet e fundit, 1994, 1997, 1998, janë bërë nga qeveritë. Kjo e drejtë praktikisht ende nuk u njihet qytetarëve. Së dyti, ligji për referendumet, i bërë në kohën e Partisë Socialiste, ka nevojë thelbësore të ndryshohet në formë dhe përmbajtje, pasi ai ka si qëllim primar pengimin dhe jo lejimin e referendumit nga qytetarët. Ky reformim duhet bërë pjesë e reformës zgjedhore, edhe pse nuk është as në axhendën e partive dhe as në atë të ndërkombëtarëve.
Panorama
Comments
leri perrallat o Kajsi.ke

leri perrallat o Kajsi.ke fallsifikuar firmat.tashti na hiqesh shejt.

jo po ishin pak apo ishin shume.fallsifikimi mbetet fallsifikim.je dhe pedagog.te te rroje se cfare do ti mesosh studenteve ti.mund tu thuash: "kopjoni pak se nuk eshte ndonje gje e madhe".

Ky referendum duhet mbajtur

Ky referendum duhet mbajtur 100%, por ne rast se ligji (i miratuar nga shumica e deputeteve) e parashikon nje procedure te tille, pse mos te veprohet sipas ligjit.

Persa i perket firmave te falsifikuara, nese ka, duhet patjeter qe pergjegjesit te vihen perpara ligjit.

Shuem nga ju mund t ethone ne Shqiperi po behen zullume me te medhaja e spo ndodh asnje gje, cfare u be per disa firma, por nese kete e bene edhe shoqeria civile, atehere perfundimisht ne Shqiperi gjithcka ka marre fund, sepse tek kjo shoqeri civile shoh trenin e fundit qe mund te me/na mbroje nga nje pushtet autoritar dhe nga nje opozite gjumashe.

Add new comment