Koha e “Pranverës arabe” e shteteve?

Postuar në 28 Prill, 2012 04:55

Dy gjëra dalin në pah në Lindjen e Mesme që nga nisja e “Pranverës arabe” – njëra është ajo që ka ndodhur dhe tjetra ajo që nuk ka ndodhur. Gjëja që ka ndodhur është ajo se për të parën herë në historinë moderne arabe, regjimet autoritare dhe sunduesit janë rrëzuar, apo janë sfiduar seriozisht, nga demonstratat popullore, e jo – siç ka ndodhur në të kaluarën – nëpërmjet puçeve ushtarake.
Por gjëja që nuk ka ndodhur mund të jetë po aq e rëndësishme sa dhe ajo që ka ndodhur. Derisa diktatorët e ndihmuar nga juntat ushtarake ishin sfiduar gjatë natës, “Pranvera arabe” kurrë nuk arriti në monarkitë konservatore të rajonit. Dinastitë sunduese të Marokut, Jordanisë, Arabisë Saudite dhe të shteteve të Gjirit (me përjashtim të Bahrejnit) mbetën pak a shumë të palëkundshme në krye, edhe pse regjimi në Arabinë Saudite, fundi i fundit, në shumë aspekte është dukshëm më shtypës sesa ishin ish-regjimet në Egjipt dhe në Tunizi.
Natyrisht, paratë nga nafta ndihmojnë në ruajtjen e autokracisë, mirëpo ky nuk është një faktor në rastet e Marokut dhe të Jordanisë.
Duket se këto monarki gëzojnë një formë të autoritetit tradicional, të cilin sunduesit nacionalistë shekullarë të rajonit kurrë nuk e kanë gëzuar. Me të qenë pasardhës të Profetit, si në rastin e Marokut dhe të Jordanisë, apo me të pasur patronazh doganor mbi vendet e shenjta Mekë dhe Medinë, si në rastin e Arabisë Saudite, sunduesve të shteteve u lejohet një lloj legjitimiteti, që është drejtpërsëdrejti i lidhur me islamin.
I vetmi regjim monarkik që është sfiduar seriozisht gjatë “Pranverës arabe” ishte ai i familjes sunite që udhëhiqte Bahrejnin me shumicë shiite, ku pikërisht kjo ndasi sektare duket të ketë qenë një faktor vendimtar i kryengritjes, e cila më pas ishte shtypur brutalisht me ndihmën e ushtrisë saudite.
Për më tepër, pa marrë parasysh të gjithë suksesin që mishëroi protestat në sheshin “Tahrir” në Kajro, rrëzimi i një diktature është një gjë – një dramë që zgjati disa javë – ndërsa transicioni në demokraci funksionale dhe të konsoliduar është një gjë krejtësisht tjetër. Këtu bëhet fjalë për një proces të gjatë dhe suksesi i tij – duke marrë për shembull transicionet postkomuniste në Evropën Lindore – varet nga parakushtet kryesore.
Aty ku këto kushte ekzistojnë – për shembull, një shoqëri civile kumbuese dhe autonome, si në Poloni, apo një traditë e fortë paraautoritare e pluralizmit, përfaqësimit dhe tolerancës, si në Republikën Çeke – transicioni është relativisht i lehtë. Aty ku ato mungojnë apo janë të pakta, si në Rusi apo Ukrainë, rezultati është dukshëm më problematik.
Thënë thjesht, një perspektivë rozë për shtetet si Egjipti nuk mund të krijohet mbi bazat e pamjeve gjallëruese në CNN apo “Al Jazeera”, apo faktit se masa e të rinjve, të arsimuar, burrash dhe grash anglishtfolës që lidhen në “Facebook” dhe “Twitter”. Një shumicë e madhe e egjiptianëve nuk ishin në sheshin “Tahrir” dhe shumicës së tyre u mungon jo vetëm qasja në rrjetet sociale në Internet, por po ashtu edhe furnizimi me rrymë dhe ujë të pijshëm. Demokracia dhe liria e shprehjes nuk janë në krye të agjendës së tyre.
Shumica e heshtur e Egjiptit identifikohet po ashtu me origjinalitetin e përfaqësuar nga grupe të ndryshme islamike, ndërsa parimet e demokracisë dhe të të drejtave njerëzore u duken atyre si abstraksione të importuara nga Perëndimi. Prandaj, fitoret madhështore të “Vëllazërisë Myslimane” dhe partisë “Al-Nour” në Egjipt – si dhe i asaj Ennahda në Tunizi – nuk duhet të shihen me befasi. Një skenar i ngjashëm mund të shfaqet në Siri, nëse, dhe kur presidenti, Bashar al-Assad, bie nga pushteti, ndërsa si Libia post-Gaddafi ashtu edhe Jemeni post-Saleh flasin për vështirësitë me të cilat këto shtete përballen gjatë ndërtimit të një regjimi të qëndrueshëm demokratik.
Me të shikuar në mënyrë realiste perspektivat e Egjiptit, askush nuk duhet ta përjashtojë mundësinë që dy forcat më të forta në shtet – ushtria dhe Vëllazëria Myslimane – në fund do të gjejnë mënyrë për të ndarë pushtetin. Vizioni i Vëllazërisë për demokracinë është thjesht mazhoritar, jo liberal: fitorja në një palë zgjedhje, bazuar në zëdhënësin e tij, u lejon fituesve të sundojnë në bazë të botëkuptimeve të tyre. Të drejtat minoritare, kontrollet institucionale mbi pushtetin e qeverisë, të drejtat njerëzore – aspektet liberale të demokracisë – janë krejtësisht joekzistente.
Një tjetër dimension, dukshëm më fondamental, i ndryshimeve aktuale dhe të ardhshme në rajon mund të vihet në dukje po ashtu. Shumë kufij ndërkombëtarë në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën Veriore janë vizatuar nga fuqitë imperialiste – Britania, Franca dhe Italia – qoftë pas Luftës së Parë Botërore dhe pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane (marrëveshjes Sukes-Picot), qoftë, si në rastin e Libisë dhe Sudanit, më herët. Mirëpo në asnjë rast, këta kufij nuk kanë  korresponduar me vullnetin lokal popullor apo me kufijtë etnikë apo historikë.
Me fjalë të tjera, asnjë prej këtyre shteteve, përveç Egjiptit, kurrë nuk ka qenë një entitet diskret politik.
Deri para pak kohësh, sunduesit e tyre kishin interes të përbashkët ta mbanin këtë Kuti të Pandorës, për sa u përket kufijve të mbyllur mirë.
Tani kjo gjë ka ndryshuar dhe shohim se si po vihen në pikëpyetje kufijtë e imponuar imperialistë të rajonit. Në Irak, lindja e rajonit de facto autonom kurd në veri i ka dhënë fund shtetit të centralizuar arab të Saddam Husseinit. Me pavarësinë e Sudanit Jugor, pjesa tjetër e Sudanit të dominuar nga arabët mund të përballet me ndarje të tjera, me Darfurin që figuron si i radhës.
Libia, autoritetet transicionale e sheh si jashtëzakonisht sfiduese  për krijimin e një strukture të qëndrueshme politike që mund të bashkojë dy krahina tejet të ndryshme, Cyrenaica dhe Tripolitania, të cilat mbaheshin të bashkuara vetëm nëpërmjet brutalitetit të regjimit Gaddafi. Në Bengazi, tashmë janë shfaqur thirrjet për autonomi, në mos jo edhe për pavarësi të drejtpërdrejtë.
Ngjashëm, kështu, uniteti i Jemenit është larg nga të qenit i siguruar. Ndasitë ndërmjet jugut dhe veriut në Jemen, të cilat kanë qenë dy shtete të ndara – me histori krejtësisht të ndryshme – deri në diktaturën e Salehut, po rishfaqen përsëri.
Në një Siri post-Assad, çarjet etnike dhe fetare ndërmjet sunitëve, palavive, të krishterëve dhe kurdëve mund të kërcënojnë po ashtu unitetin e shtetit. Në këtë mënyrë brutale, Assadi mund ta ketë të drejtë kur thotë se vetëm me grushtin e tij të çeliktë mund ta mbajë shtetin të bashkuar. Dhe zhvillimet në Siri padyshim se do të kenë ndikim në Libanin fqinj.
Fundi i autokracive komuniste në Bashkimin Sovjetik, Jugosllavi dhe madje në Çekosllovaki solli një valë dramatike të krijimit të shteteve. Njësoj kështu, askush nuk duhet të befasohet nëse demokratizimi i botës arabe, sado e vështirë që të jetë, sjellë në vete valën e vet të rihartimit të kufijve. Sa e dhunshme apo paqësore do të jetë e gjithë kjo, mbetet të shihet.

(Shlomo Avineri është profesor i shkencave politike në Universitetin Hebraik në Jerusalem dhe ishte ministër për marrëdhënie ndërkombëtare në qeverinë e kryeministrit izraelit, Yitzhak Rabin. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin e gazetarisë hulumtuese “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.