Jehona e lëvizjes së Oketës

Postuar në 06 Mars, 2012 02:38

Kaloi më shumë se një javë nga deklaratat publike të deputetit Gazmend Oketa dhe akoma lëvizja e tij politike përbën dhe gjeneron lajm. Divorci i tij politik nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe zyrtarizimi i pjesëmarrjes në ‘partinë e Topit’, krijoi një jehonë të konsiderueshme, ndërsa u diskutua në shumë emisione mediatike me në qendër temat politike, u analizua nga opinionistë nëpër gazeta dhe u shoqërua nga komente jo pak të forta të deputetëve të tjerë të PD-së dhe jo vetëm. Por, pse bëri kaq përshtypje dhe bujë lëvizja e Gazmend Oketës?

Edhe pse Gazmend Oketa ka dëshmuar një mbështetje të dukshme për figurën dhe iniciativat e z. Topi, presidentit të Republikës, deklaratat e tij në “Tonight” të Ilva Tares, shkaktuan reagime në opinionin e përgjithshëm, mediatik, politik dhe publik. Kjo për shumë arsye: Së pari, një deputet largohet nga mazhoranca qeverisëse dhe konkretisht nga PD-ja, duke i hequr ‘një tullë ndërtesës së votave të saj’.

Së dyti, Oketa paraqiti disa pakënaqësi përsa i përket lirisë së shprehjes dhe mungesës së individualizmit në mbledhjet e kësaj partie, gjë që u mbështet – edhe pse me tone diplomatike e të moderuara – nga deputeti i PD-së, Mark Marku.

Së treti, sepse deklaroi pjesëmarrjen e tij në partinë më të re dhe më të diskutuar, e cila – në mungesë akoma të një emri – është pagëzuar me etiketën ‘partia e Topit’.

Por këto nuk janë arsyet e vetme, sipas të cilave lëvizja e Oketës, ka turbulluar shumë ‘ujërat’ e politikës dhe ka shballancuar llogaritë. Arsyet e tjera, më pak të dukshme lidhen me profilin e Gazmend Oketës dhe elektoratin që e mbështet dhe e voton. Vetë Oketa, gjatë emisionit televiziv, nuk harroi të theksonte, se kishte fituar në vitin 2005 (kthesa e madhe për PD-në) në një zonë të vështirë, e cila ishte fituar disa herë radhas nga deputetë të majtë. Kjo tregon se përveç logos së partisë, në këtë zonë fitoi dhe vetë personi, pra Gazmend Oketa, duke mos harruar në që vitin 2005 funksiononte kodi i vjetër elektoral (mazhoritar + proporcional). Lëvizja e Oketës është një veprim i menduar mirë, që do të thotë se elektorati i tij – ajo pjesë e qytetarëve durrsakë që e vlerësojnë dhe e mbështesin – nuk do të jetë më votues i partisë demokratike. Largimi i Oketës, prish balancat elektorale për mazhorancën, sepse kjo balancë është kaq e brishtë sa dhe largimi i një personi të vetëm mund ta lëkundë. Gjithashtu, Oketa nuk është i vetëm në veprimin e tij. Ai la të kuptohej që edhe të tjerë ‘të pakënaqur’ apo ‘të zhgënjyer’, do të bëjnë lëvizjen e tyre.

Arsyeja tjetër e cila mund të krijojë frikë dhe pasiguri politike është bashkimi i deputetëve dinjitozë si Gazmend Oketa me një parti të re të djathtë, e cila do ketë një filozofi dhe strukturë të ndryshme nga Partia Demokratike. Kjo parti e qendrës së djathtë, përveç elektoratit të ri që do tërheqë pas vetes – siç krijon çdo parti e re, do mund të shkëpusë ata qytetarë të cilët janë të djathtë dhe të pakëqur me qeverisjen, apo me frymën që përshkron Partinë Demokratike. Profili i z. Topi, si një njeri i qetë, me personalitet, i cili u përpoq të ‘ishte mbi palët’ gjatë presidencës së tij, krijon premisat për ndërtimin e një partie që do përfaqësojë shtresa të gjera shoqërore dhe që mund të thithë personalitete dhe intelektualë nga e gjithë Shqipëria.

Gjithashtu, momenti që zgjodhi Gazmend Oketa për të bërë deklaratat e tij publike për largimin nga PD-ja, është shumë domethënës. Këto janë ditët kur politikën shqiptare e kanë zënë ethet për zgjedhjen e presidentit. Tani kur mazhoranca duhet të tregojë se është më e fortë se kurrë, se mund të zgjedhë një president që nuk zhgënjen ndërkombëtarët që kërkojnë një president konsensual, por që gjithashtu kënaq kërkesat e Partisë Demokratike për të zgjedhur një president, i cili nuk është ‘i pabindur’ siç u konsiderua aktuali, atomit ‘PD’ i largohet një elektron, duke ndryshuar valencat e tij.

Këto janë arsyet pse lëvizja e Gazmend Oketës ishte një nga lajmet më të rëndësishme të ditëve të fundit, lajm i cili do ketë impakt dhe në ditët e ardhshme, kur beteja politike të ashpërsohet akoma më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.