Gjepurat e ambasadorit në Washington

Jo pak njerëz kanë mbetur të zhgënjyer nga mënyra sesi u zgjodh presidenti i ardhshëm këtu në Tiranë. Dhe jo vetëm të opozitës. Dhe jo vetëm shqiptarë. Për shembull, ambasadori amerikan Arvizu sapo deklaroi që e vlerëson me zhgënjim si shans të humbur për shtetin. Por nuk mendon fare kështu Gilbert Galanxhi, ambasadori shqiptar në Uashington që qartazi, si në kohët e dikurshme, nuk i shërben shtetit, por pushtetit. Ajo që ndodhi është një gjë shumë e mirë, thuajse normale – deklaroi Galanxhi gjatë një forumi të zhvilluar në Uashington DC dedikuar problemeve të Shqipërisë dhe që drejtohej nga analisti i njohur Janush Bugajski. Dhe është me interes të gjurmosh logjikën e kësaj diplomacie sa infantile aq edhe dinake te rreket t’i hedhë trutë e gomarit, analistëve, politikanëve, diplomatëve në Uashington (madje dhe atyre si ish-ambasadorja Mariza Lino, që e njohin mirë Shqipërinë dhe bëmat e “bacë” Berishës) për t’i bërë të besojnë se mënyra si u zgjodh presidenti paska qenë diçka shumë, shumë, shumë e mirë!

Jemi dakord me ambasadorin Arvizu se mënyra sesi u zgjodh presidenti përbën një tjetër shans të humbur për Shqipërinë. Ndërkaq, ajo që është një shans i humbur për Shqipërinë është shpallur si fitore nga Kryeministri që sapo festoi me të vetët. Edhe me Kastriot Islamin. Ajo që është një shans i humbur për shtetin gjykohet si fitore nga pushteti. E për rrjedhojë edhe nga një ambasador i pushtetit në Uashington. Madje ky i fundit shkon edhe më larg, duke “prodhuar” edhe “teorinë” fataliste se përse çka ndodhi duhej të ndodhte pikërisht ashtu dhe jo ndryshe. Vërtet përse nuk u arrit dot në një president konsensual, por Berisha zgjodhi në atë post një kukull të tijën vetëm me votat e shumicës në pushtet? Ambasadori Galanxhi përgjigjet me një ligjërim, ku nuk kuptohet qartë se kush është shkaku dhe kush është pasoja. Në fillim i kërkon shkaqet e së keqes te fakti se Shqipëria është një demokraci e re… se ne kemi nisur diçka që SHBA e ka nisur 200 vjet më parë… sepse ka një klimë lufte mes partive. Pasi ka paraqitur gjithë këto shkaqe objektivo-subjektive për çka ndodh në Shqipëri nuk dihet sepse është vetë ambasadori që deklaron se, gjithsesi, kjo nuk e justifikon luftën e ashpër mes partive politike. Po çfarë e justifikon? Përgjigjja është befasuese: realiteti shqiptar! Dhe u tregon amerikanëve disa të vërteta që ata nuk i dikërkan, si për shembull, që ne vijmë nga një shtet i mbyllur ku kishte vetëm një mendim, ai i liderit dhe partisë në fuqi. Mos vallë edhe 20 vjet pas rënies së partisë shtet dhe shtetit të partisë në Shqipëri vazhdojmë të kemi liderin e një pushteti dhe pushtetin e një lideri që imponojnë vullnetin e pushtetit për gjithçka pra, edhe për zgjedhjen e një Presidenti të Republikës? Galanxhi e ndien se po bën gabim politik dhe mund t’i tërheqin veshin nga Tirana, prandaj i përvishet korrigjimit të muhabetit. Ndaj më pas jep të kuptohet, gjithë finesë e diplomaci, se nuk është pushteti, por opozita që nuk e pranon mendimin e pushtetit. Edhe në rastin e zgjedhjes së presidentit a nuk ishte qeveria ajo që dha disa kandidatura, ndërsa opozita i refuzoi të gjitha e nuk ofroi asnjë kandidaturë? Kuptohet që ambasadori kërkon të bindë dëgjuesit në Uashington se president u zgjodh ai që u zgjodh, jo se Berisha donte kështu, por se ai u detyrua nga zori të zgjedhë Nishanin, për shkak të destruktivitetit të opozitës që nuk deshi të ofronte një opsion më të mirë se qeveria për të mirën e vendit! Qenkërkan pikërisht këto rrethana që e bëjnë diplomatin Galanxhi të arrijë në përfundimin se ajo që ndodhi është më e mira e mundshme përballë më të keqes së mundshme. Ndoshta atë nuk e kanë informuar se edhe në PD kanë dalë zëra deputetësh që habiten se përse Berisha hodhi në qarkullim edhe kandidatura ish-agjentësh të Sigurimit. Mos vallë si alibi për të arritur te besniku i tij Nishani? Por ndërsa ligjëron, diplomatit të pushtetit nuk i shpëtojnë ca kundërthënie logjike që shpresojmë t’i kenë vënë re edhe në Uashington. Për shembull, në një moment të ligjërimit e pranon se do të kish parapëlqyer një president të gjithëpranuar ose, si i thonë ndryshe, konsensual. Por më pas arrin në përfundimin se rezultati ishte shumë i mirë. Të paktën të thoshte “i mirë”, duke ia lënë vlerësimin “shumë mirë” atij të parapëlqyerit, konsensualit. Po si mund të japë një diplomat i “shtetit” vlerësim modest për një arritje të pushtetit? Veç ka edhe më. Pasi pranon se do ishte më mirë një president konsensual, diplomati berishist ngriti pyetjen për anëtarët e forumit: Më thoni një vend ku ekziston presidenti konsensual? Dhe shpjegoi se presidenti është produkti i sistemit dhe normalisht i fituesit të zgjedhjeve. Shqiptarët thonë: bëmë baba të të ngjaj! Dhe në këtë pikë, Galanxhi ngjason si një pikë uji me një tjetër, me Atin e tij politik Sali Berisha. Po si Ati i tij politik ai mendon se shumica duhet të vendosë për gjithçka. Një bindje që nuk ia lëkund as shembulli i Gjermanisë, ku Kancelarja Merkel pranoi për president një kandidaturë nga opozita. Po si e bëri një gabim të tillë Merkel, si dhunoi aksiomën që “presidenti i takon fituesit të zgjedhjeve”? Përgjigjja është e thjeshtë. Ndryshe nga zoti politik i ambasadorit Galanxhi, zonja Merkel nuk tenton t’i kapë të gjitha pushtetet. Madje, edhe sikur të dojë ta bëjë një gjë të tillë, nuk e lejon sistemi.

Por zoti Galanxhi ka përmendur edhe “sistemin”, duke e paraqitur presidentin si një produkt të tij. Këtu ai nuk gabon. Në çdo vend presidenti është në një farë mënyre produkt i sistemit. Në Gjermani presidenti do të jetë konsensual edhe sikur të dalë nga radhët e pushtetit. Sepse ashtu është sistemi. Por edhe sepse ashtu janë edhe mendësitë e politikanëve gjermanë. Ndërsa në Shqipëri, presidenti nuk mund të mos dalë jo konsensualisht nga radhët e partisë në pushtet. Sepse kështu e kanë deformuar sistemin ndryshimet e Kushtetutës të bëra në prill 2008. Ndryshime që i dhanë “liri” çdo autokrati të zgjedhë president një shërbëtor të tijin që nuk ia kufizon, por zgjeron, që nuk ia relativizon por absolutizon pushtetin në kurriz të ndarjes së pushteteve që janë themelore për lirinë e demokracinë në një shtet. Dhe tashmë e gjithë kjo gjëmë ndodh pa asnjë pengesë, pa nevojën për të vajtur në zgjedhje të parakohshme. Përkundrazi, thika në gurmazin e lirisë dhe demokracisë zhytet, duke zbatuar në mënyrë ekzakte Kushtetutën që, e thotë edhe Galanxhi, është guri i themelit të gjithçkaje. Nuk është e para herë që kushtetutat dhe zbatimi korrekt i tyre kanë shërbyer si gjethe fiku e hallateve të autokratizmave dhe lloj-lloj diktaturash. Me zbatim korrekt të Kushtetutës justifikonte diktatura komuniste edhe vrasjet e disidentëve, edhe izolimin e Shqipërisë, edhe pengimin e investimeve të huaja në Shqipëri. Ndaj para se të mburremi me zbatimin korrekt të Kushtetutës, siç bëjnë rëndom berishistët, si dhe një ambasador i tyre në Uashington, duhet të sqarojmë se për çfarë Kushtetute bëhet fjalë. Dhe tashmë dihet që Kushtetuta jonë e deformuar është bërë guri i themelit i një autokratizmi putinist, ku pushtetet në vend se të ndahen, ekuilibrohen dhe kontrollohen reciprokisht, po grumbullohen në një dorë të vetme. Dhe për këtë nuk e ka fajin koha e pamjaftueshme e 20 vjetëve tranzicion. Në SHBA ndarja e pushteteve nuk u zbatua pas 100 vjetësh nga krijimi i tyre. Ndarja e pushteteve u bë themeli i SHBA-së, sepse etërit themelues e dinin rëndësinë që kishte ky parim për lirinë dhe drejtësinë. Por jo vetëm e dinin. Ata ishin pjesëtarë të elitave të dedikuara për drejtësinë dhe lirinë. Dhe jo si politikanët shqiptarë, etaloni më i shëmtuar i të cilëve është Sali Berisha, që u punon mendja si të sundojnë e jo të qeverisin. Prandaj Shqipëria është kjo që është, prandaj edhe ambasadorit Galanxhi, zgjedhja president e një partiaku dhe jo e një kandidature të gjithëpranuar, i duket një diçka vërtet shumë e mirë. Shpresojmë që në Uashington të mos besojnë se është vërtet kështu.
Shqip
Comments
Sa keq shkrun o burre,

Sa keq shkrun o burre, propagande nga kreu ne fund, militantizem patetik qe te merzit. Po te mos ishte per faj te stilit te shemtuar, argumentet do te ishin bindese, po kush e ka mendjen te argumentet kur sheh gjithe kete diarre intelektuale qe mbushet e zbrazet papushim qe kur Stefani ka filluar te shkruaje. Nje gje s'e marr vesh, pse nuk i boton keto qe shkruan te Zeri i Popullit, se vetem atje ky shkrim eshte i denje; gazetat do ta kuptonin pse u bien shitjet po te perzinin Stefanin.

e cfare pret nga stefani.per

e cfare pret nga stefani.per kete paguhet ai,ndryshe fluturuan honoraret e majme

Artikullin e Z. Stefani e

Artikullin e Z. Stefani e konsideroj mjaft te goditur, vecanerisht duke patur parasysh faktin se tema e militantizmit partiak te ambasadoreve shqiptare neper bote thuajse nuk ceket nga shtypi.

Në Gjermani presidenti do të

Në Gjermani presidenti do të jetë konsensual edhe sikur të dalë nga radhët e pushtetit. Sepse ashtu është sistemi. Por edhe sepse ashtu janë edhe mendësitë e politikanëve gjermanë. Ndërsa në Shqipëri, presidenti nuk mund të mos dalë jo konsensualisht nga radhët e partisë në pushtet.

Vetem ti andrea ke mendesi te perparuara.sa gjynah qe jeton ne shqiperi.shko ne gjermani dhe mesoju gjermaneve demokracine tende.

nuk cuditem me ty se ke honorare te majme.me nje shkrim kunder berishes merr aq sa marrin 10 pensioniste.

Add new comment