Fryma e Re Demokratike

Postuar në 06 Maj, 2012 04:58

Pak ditë ma parë u prezantue në Tiranë forca ma e re politike shqiptare: Fryma e re demokratike.

Si FRD-ja si levizja Kuq e Zi janë shprehje e pakënaqësisë që mbretnon tek e djathta shqiptare, të dyja synojnë kryesisht me marrë votat e elektoratit të djathtë.

Për shumë kënd PD-ja nuk mund të identifikohet ma tout court me nji parti vërtetë të djathtë.

Ajo tashma ka nji shpirt të përziem, ashtu siç ka edhe nji përbamje të përzieme. Mund të themi se sidomos në legjislaturën e fundit PD-ja asht depolitizue, tue u kthye në nji holding të madhe ku ndahen dhe mbarështohen interesat e disa grupeve të caktueme që mbajnë pushtetin.

Heterogjeniteti i njerzve të PD-së rrjedh pikërisht prej faktit që organizmat e saj partiake janë vu në shërbim të nji kauze personale e familjare të nji njeriu që asht kujdesue për gjithçka, por jo për interesat e vendit.

Por jo të gjitha pakënaqësitë në gjinin e PD-së kanë lindë për arsye parimore, shumë largime apo mënjanime prej saj kanë në themel të vetin arsye krejt prozaike, gjithsesi në momentin që do të shfaqet mundësia me u koalizue, shumica e të dalunve apo e të larguemve do ta shohin me shpresë grupimin e ri të Topit.

FRD-ja u paraqit nepërmjet nji figure krejtsisht të veçantë politike, Gazmend Oketës. Zakonisht PD-ja nuk i ka kursye “lëvdatat” ndaj gjithë atyne që kanë dalë si heretikë në gjinin e saj, megjithatë ndaj Oketës siç duket nuk kanë pasë asgja se çka me thanë pse do ta kishin shpalosë pa asnji skrupull.

Në gjithë këto vite Oketa ka mbajtë gjithmonë nji profil të lakmueshëm politik, nuk asht ekspozue për me i ba qejfin askujt, nuk asht kthye në palaço të pushtetit, por ka ndjekë nji rrugë krejtsisht të tijën, tue ruejt dinjitetin dhe tue e mbajtë të panjollosun figurën e vet. Edhe figurat tjera me të cilët ai u paraqit në publik në prezantimin e partisë së re janë po aq të panjohuna sa edhe shpresëdhanëse.

Dihet se mbas tij qëndron presidenti Bamir Topi, nji tjetër i djathtë ndaj të cilit Berisha dhe PD-ja nuk e mshehin urrejtjen. Megjithatë Topi nuk ka qenë gjithmonë “i tillë”, pse para pak vitesh ai u zgjodh President me votat e PD-së, ai asht ba “i tillë”, dhe asht ba pse nuk i ka plotësue me sy mbyllë të gjitha tekat e Berishës. Në qoftë se Topi do të kishte ba pikë për pikë siç ka dëshirue Berisha, ai sot do të ishte rishtas kandidati i PD-së për karrigen e Presidentit.

Tue i mendue me gjakftohtësi gjanat, ndoshta do të kishte qenë ma mirë për Berishën mos ta kishte ba anmik deri në ketë pikë Topin, pse ekuilibrat në Parlamentin Shqiptar janë mjaft të paqëndrueshëm dhe pak deputetë mund të komprometojnë gjithçka. Edhe në qoftë se Topi nuk do të marrin nji përqindje të madhe në zgjedhjet e ardhshme, ai rrezikon me u kthye në nji “refugium peccatorum” për të gjithë ata deputet të djathtë që të pakënaqun prej Berishës do të përpiqen me ndejt në lojë tue diktue kushtet e tyne.

Lindja në pak muej e dy grupimeve të reja të djathta dhe mundësia e lindjes së nji partie të tretë të ish-të përndjekunve politikë, pamvarsisht prej peshës që do të kenë në jetën politike të vendit, tregon qartë se e djathta shqiptare asht në krizë të thellë.

Së djathtës sonë i mungon identiteti dhe idetë, i mungon nji doktrinë politike e djathtë dhe nji program i mirëfilltë e largpamës. Ende nuk e dijmë se ku frymzohet e djathta jonë në pushtet! Gjithçka që Berisha ka shpall në këto vite ka qenë e lidhun me skadenca afatgjata të paverifikueshme. Ma kryesorja ka qenë hymja në BE. Dhe kjo ma kryesorja mbetet gjithnji larg.

Ka me mijëra votues të djathtë që tashma janë lodhë jo vetëm me zigzaget e PD-së dhe me makiavelizmin e Berishës, por sidomos me krizën që ka mbërthye ekonominë shqiptare, me borxhin publik, me inflacionin dhe me papunësinë, me kriminalitetin dhe me korrupsionin. Simbas Transparency International perceptimi i korrupsionit në botë në vitin 2011 e vendos Shqipnin në vendin e 95-të, në nji nivel me Indinë, Suazilandin, Kiribatin dhe Tongën.

Berisha nuk ka tregue asnji fije vullneti të mirë për me qortue linjën e vet qeverisëse dhe sidomos për me largue të paaftët dhe me dënue të korruptuemit. Kishte mundë shumë mirë me largue disa ministra e ministre që bajnë hije kot, disa dhjeta zv.ministra të padukshëm, e qindra funksionarë të naltë, merita e vetme e të cilëve asht se janë shërbëtorë të bindun.

Shumë prej këtyne gjanave i kanë kuptue tashma edhe mbështetësit ma besnikë të Berishës, ndërsa të tjerët e dinin me kohë se ai s’mund të jetë ndryshe nga çfarë asht.

Përpara Oketës dhe FRD-së gjendet sfida e të paraqitunit si nji parti e djathtë e besueshme. Për ketë gja duhen prova konkrete, duhet punë, pasion dhe ndershmëni. Asht e vërtetë që në Shqipni kemi shumë parti politike, por ndoshta e vetmja parti që mungonte ishte nji parti e djathtë, pse ajo tjetra asht shumë pak parti e edhe ma pak e djathtë.

Mapo

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.