Eksporti i troftave dhe shteti babaxhan

Kritikët e diplomimit fiktiv i bien më kot në qafë shtetit shqiptar. Ky është rasti tipik i dashamirësisë së shtetit ndaj dijes dhe shoqërisë. Kam disa argumente për këtë.
Fillimisht duhet të sqaroj se po flas për shtetin dhe jo vetëm për qeverinë, sepse shteti nuk është vetëm i njërës palë dhe sepse të gjithë palët duhet ta ndajnë meritën mes tyre, nëpër ministri, bashki, komuna e institucione të pavarura. Gjithashtu, nëse përmend fiktivitet në universitetet private e kam fjalën për disa prej tyre, domethënë për ata që prodhojnë e eksportojnë trofta, koca, levrekë dhe gjallesa të tjera. Sepse ka edhe universitete private në të cilat troftat dhe peshq të tjerë nuk afrohen dot. E kam fjalën për universitete “njësoj si jashtetit” si ai i Besnik Aliajt, studentët e të cilit i gjeta në Gjirokastër duke restauruar qytetin, apo për Nju Jorkun, ku punoj edhe vetë dhe ku studentët ende nuk e kanë marrë veten nga provimet e ndërmjetme.
Po kthehem te argumentet e largpamësisë së shtetit në trajtimin e fiktivitetit në disa universitete private e publike.
Së pari, përmes diplomimit fiktiv, në rastin e Renzo Bossit, është nxitur bashkëpunimi italo-shqiptar. Më në fund, pas 20 vitesh hemorragjie studentore drejt Italisë, Shqipëria po diplomon studentë italianë. Madje po diplomon me sukses studentë që Italia mezi ia del t’i çojë deri në fund të gjimnazit. Ja pra që toleranca e shtetit ndaj diplomave fiktive ndikon mjaft në përmirësimin e imazhit të vendit. Sikur Renzo të ishte diplomuar në Mozambik, çfarë përfitimi do të kishim ne? Asnjë.
Së dyti, Renzo Bossi i shtohet radhës disamilionëshe të turistëve të huaj. Madje është turisti më i mirë në botë: paguan lekë dhe nuk na harxhon asgjë. Krahasojeni pak me turistët kosovarë, të cilët hotelierët mikpritës shqiptarë mezi i durojnë, meqë sipas tyre u ndotin mjedisin, marrin domatet me vete, u zënë dhomat me çmime më të ulëta se në Sheraton dhe nuk ua flasin shqipen me theks durrsak apo lab. Ky Renzo turisti, na përshtatet më së miri ne mjeshtërve botërorë të turizmit: vetëm na jep paratë me bankë dhe nuk na çan kokën për të na kërkuar shërbim.
Së treti, duke shkuar përtej Renzos, shteti ynë, i majtë e i djathtë, qendror e lokal, ka realizuar në Shqipëri një trajtë të përkryer të kombinimit të socializmit me ekonominë e tregut. Shteti, punëdhënësi më i madh, ka hapur dyert e tij bujare për mijëra studentë që Zoti nuk u ka dhënë tru e vullnet duke i punësuar në administratën e tij përmes një takse që ata ua paguajnë disa bizneseve private. Pa mendoni njëherë çfarë do të bëhej me këta mijëra të pafat, që të vetmen mundësi jetese kanë tashmë punësimin si doganier, polic, nëpunës shteti etj., nëse shteti nuk do t’i pranonte në gjirin e tij? Mos harroni se menaxherët e pamëshirshëm të sektorit privat janë aq tangërlliksa sa t’u kërkojnë aplikuesve për punë kritere mizore, si: disa vite studim serioz, nota të mira, zotësi në vendin e punës. Po nuk i pate këto, çfarë duhet të bësh? Të vdesësh? Ja pra që shteti zemërgjerë, me largpamësinë e tij ka zgjidhur një nga problemet më të rënda sociale të vendit: problemin e mbijetesës së mediokritetit. Prandaj, o njerëz dhe ju kritikë të sistemit, diplomat fiktive në disa shkolla private e publike nuk janë dëshmi e papërgjegjshmërisë, por e përgjegjshmërisë së shtetit, në të gjithë instancat e tij.
Së katërti, ky është një problem përfaqësimi. Për të qenë të drejtë, ne duhet të kërkojmë vetë, që të diplomuarit si Renzo, domethënë të diplomuarit “like a Boss”, të përfaqësohen me kuota në Kuvend e madje, edhe në qeveri. Si mund t’i kuptojë hallet e mijëra mediokërve të tjerë një deputet apo ministër i shkolluar “prej vërteti” në ndonjë shkollë serioze? Si mund ta kuptojë ai llahtarin që përjeton studenti i ngratë kur gjendet përballë dilemës: libër apo kafe, gallatë apo mësim, notë e merituar apo notë me mik? Kuptohet që ky përfaqësim me kuota duhet bërë me një farë sensi ekuilibri, sepse gjithsesi nuk është se Kuvendi gëlon nga intelektualizmi i tepruar. Por gjithsesi duhet. Pse femrat që janë vetëm gjysma e popullsisë kërkojnë kuota përfaqësimi, ndërsa mediokrët që eventualisht janë shumicë nuk e merituakan këtë?
Së pesti, gjithmonë në kuadër të drejtësisë, ky riintegrim i mediokërve në shoqëri nuk bëhet falas, por përmes një takse të mediokritetit. Dikush mund të ankohet se kjo taksë universitare mediokriteti është e rëndë. Por, çështja duhet parë në kontekst. Vërtet mediokri i gjorë paguan këtë taksë të rëndë, por ama shteti ynë bujar e punëson më pas në administratë vendore e qendrore, ku ai mund të na taksojë mbrapsht ne të gjithëve duke rimbursuar investimin e tij.
Së gjashti, shteti dhe institucione të pavarura si universitetet publike, kanë menduar edhe për ata mediokër të cilët nuk e kanë mundësinë të paguajnë taksën private, duke u dhënë mundësinë e një taksimi simbolik publik. Sepse, megjithëse merita e fiktivitetit u vishet disa universiteteve private, çdo pedagog në publik e njeh shumë mirë dashamirësinë ndaj mediokritetit edhe në shkollat publike. Ndoshta nuk jepen diploma si te Renzos, por ama dashamirësia nuk mungon. Pikërisht në sajë të kësaj dashamirësie kemi pasur personalitete të rëndësishëm shqiptarë të cilët, të mbetur pa frymë nga kjo bujari publike, teksa kanë marrë diplomën e universitetit kanë deklaruar se po ta kishin ditur se do të ishte kaq lehtë, do të kishin bërë edhe gjimnazin.
Së shtati, përmes lejimit të fiktivitetit dhe integrimit të mediokritetit pasues, shteti ka arritur me sukses të transformojë skenën e kriminalitetit në Shqipëri. Të gjithë e dimë se një student më shumë në shkollë është një keqbërës potencial më pak në rrugë. Duke i integruar në gjirin e tij, shteti i largon mediokrët nga kriminaliteti dhe i ngjit një shkallë më lart, tek korrupsioni. Më shumë se kaq…? Vetëm t’i bëjë priftërinj e hoxhallarë.
Ja pra që kritikat ndaj shtetit janë të pabaza. Shteti, përmes planit të tij largpamës të punësimit, ka zgjidhur probleme që asnjë shtet në botë nuk do t’i zgjidhte dot. Aspekti pozitiv i gjithë kësaj është se ky është plan afatgjatë. Kështu ka qenë dhe kështu do të mbetet për një kohë të gjatë. Sepse, për sa kohë që shteti do të punësojë me zemërgjerësinë aktuale, mediokriteti i ka ditët e sigurta. Aq më tepër kur diplomat si të Renzos, publike apo private, do të nisin të shkëlqejnë në majat më të larta të shtetit.
Comments
o Ermal mos na ca trapin ti
<p>o Ermal mos na ca trapin ti bashke me Cilin e Company. Pse more toc, t'u desh rasti i troftes per te kuptuar se ku eshte sistemi yne arsimor. eshte nje sistem i degjeneruar ku aftesia nuk pagon dhe ku leku pagon. dhe ku toci pa problem kalon. pike.</p><p>ti shiko te marresh masa per ate gjimnazin qe ke krijuar, perpara se te te dale nami. dhe mos humb kohen duke bere politologun dyleksh neper studiot e shitura private.</p>
Hasime, kam patur shume
<p>Hasime, kam patur shume respekt per ty, por te pashe tek Opinion nje nate qe na mbroje Universitetet private dhe me demek ato skane asnje faj ne gjithe kete histori. Me habite! Mos e lesho veten kaq shpejt se je akoma i ri.</p>
O parafoles, nga vete menyra
<p>O parafoles, nga vete menyra se si keni shkruar duket qe s'keni lidhje me arsimin, publik a privat qofte. Shkoni provojeni njehere te merrni diplome tek universiteti ku punon Ermali dhe e shihni se sa ju vlen lekura. Ok, vellezer? Mos na beni si kopetente per gjera qe s'e keni haberin.</p>
Add new comment