Diploma e Bossit, një lajm i mirë dhe një lajm i keq

Kë doni të parin, lajmin e mirë apo lajmin e keq? Meqë e keqja, zakonisht udhëton më shpejt, e mund ta keni marrë vesh ndërkohë, e fillojmë me të mirin: Renzo Bossi, i biri i Umberto Bossit, lider i Lega Nord-it, një parti sektariste e veriut të Italisë, është diplomuar në një universitet privat shqiptar. Ky lajm nuk është i mirë për shkak të teksturës së tij, por se është bërë publik duke kaluar nëpër reporterin e informaturës dhe komentaturës së mediave të dy vendeve adriatike: Italisë e Shqipërisë. Lajmi në fakt është i keq, por publikimi i tij është i mirë.
Natyrisht, publikimi i tij nuk do të shkonte kah e mira publike vetëm sa për të kënaqur ca tryeza kafenesh ku gëlojnë thashethemet, por se prej saj priten të rrjedhin aksione, zinxhiri i të cilave do të zbulojë të tjera të vërteta të idhta e të qelbëta. Çlirimi prej tyre do lehtësonte jo vetëm shoqërinë, por edhe vetë sistemin.
Lajmi se Renzo Bossi, një gjimnazist mediokër italian, i cili mezi mori maturën, është pajisur me një diplomë universitare në Administrim biznes brenda një viti, kur, përjashto rastet e gjenive duhen 3 vite, nëse në Itali vetëm sa i ka dhënë pak më shumë flair raportime të mëparshme rreth korrupsionit në kupolën e Lega Nord, në Shqipëri ka noterizuar gjëra që diheshin jozyrtarisht dhe perceptime të përgjithshme për ligatinën ku ka rënë një pjesë e arsimit universitar. (Është gabim i madh që fajet e Kristalit e të ndonjë tjetri në spektrin e sektorit privat universitar t’i marrin përsipër të tjerët, siç është i tillë edhe njëjtësimi i universitetit publik në Tiranë, që e ruan njëfarë tradite cilësie, me degët e tij në rrethe, ku gjërat gjithashtu janë vajmedet. Një masë, si përherë, nuk i nxë të gjithë; as për mirë e as për keq.
Duke qenë se një lajm i keq është bërë lajm i mirë pikërisht prej peshës që i jep ngjarjes një aferë kur përzihen dy vende, Italia e Shqipëria, por edhe emri i një klani politik zotërues të Lombardisë, cili është atëherë lajmi i keq si i tillë? Përgjigja është e thjeshtë: mundësia, prezente mes nesh e ashpër dhe e ngulitur mirë, që të mos ndodhë asgjë. Ajo zhurma e zakonshme e çudisë që zgjat vetëm tri ditë, ta përshkruajë edhe këtë rast dhe shoqëria, mediat, marrëdhëniet italo-shqiptare, qofshin ato ekonomike, dashurore a të korrupsionit t’i kthehen tangentes së vjetër të dyshimeve që prodhojnë thashetheme e perceptime që s’vlejnë për as edhe një çik ndryshim.
Kur them raport italo-shqiptar kam ndërmend pjesën e poshtme të ekuacionit, pasi italianët, me siguri do të prodhojnë mjaftueshëm trusni për ta zbythur Bossin e të tijtë përmes turpërimit publik apo ndjekjes ligjore. Kësaj ane, gjasat janë, spiralja do të jetë e zakonshmja: Prokuroria do të nisë hetimet (është raportuar ndërkohë në shtyp se eksponentë të organit të akuzës janë pedagogë në Universitetin e përfshirë në skandal), Ministria e Arsimit verifikimet, deri sa një tjetër skandal të ngrejë krye e ta sfumojë paraardhësin.
Në mos ndodhtë ajo tjetra: të yshtur nga fama e emrit Bossi, radhët piktoreske të atyre që kërkojnë një diplomë nga Universiteti me emër call girl-i do të shtohen edhe më. Kujt i plasi për fibrën sociale që zhbëhet përditë: mungesa e fibrës prodhon edhe shtylla kurizore më të përkulshme për vartësit e nesërm, por edhedele elektoralisht të manipulueshme. Dicka ka ndodhur, por nëse për ta zhbërë atë që ka ngjarë nuk ndodh asgjë, ky nuk është vetëm një lajm i keq në radhë, por e keqja vetë.
Add new comment