100 vjetori si show parazgjedhor

Postuar në 27 Prill, 2012 05:36

Është e drejtë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Austria, Italia dhe disa vende të tjera perendimore të jenë në top listën e të ftuarve në festën e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tonë. E gjithë kjo për të nderuar historinë dhe etërit e mëvetësisë. Me zemër të hapur duhet të ftohen edhe miqtë dhe aleatët e mëvonshëm, deri te më të rinjtë, pavarësisht se mund t’i kemi patur përballë apo me thikë pas shpine para njëqind vjetësh. Miqësitë, në asnjë rast, nuk mund të jenë peng i së shkuarës. Shekulli ka shëruar shumë plagë, Shqipëria ka rilindur nga hiri i saj. Deri këtu besoj se nuk ka kush ndonjë kundërshtim.
Objeksionet kanë të bëjmë me shkallën e serjozitetit dhe rregullit që duhet të shoqërojë këtë sipërmarrje të madhe kombëtare dhe shtetërore. Kush i cakton kriteret, kush e koncepton protokollin, kush e bën listën e vendeve dhe personaliteteve që do të ftohen? Si përcillen ftesat? Edhe detajet me të vogla janë të rëndësishme. Mendohet se ka një komision shtetëror që vendos për këto çështje. Mendohet se ky komision është gjithëpërfshirës. E tillë është pavarësia dhe historia. Mbi to nuk ka monopol asnjë forcë e vetme apo individ i vetëm, pavarësisht se barra e madhe e organizimit të festës bie mbi ekzekutivin. Të tjerët, si Presidenti apo Opozita, minimalisht informohen ç’po bëhet. Ngjarje të tilla në jetën e shteteve kërkojnë njëmendësi, kohezion, solemnitet. Nuk e ka këtë vizion kryeministri Berisha. Nuk e ka zakon të ndajë punë aty ku mendon se mund të mblidhë merita.
Ka diçka shqetësuese në protagonizmin e tij për 100 vjetorin e pavarësisë. Po shfaqet shumë spontan, improvizues dhe dukshëm i lexueshëm se po mundohet të bëjë politikën e tij të ditës me këtë jubile. E pamë në inspektimin e një segmenti të rrugës Tiranë-Elbasan. S’ka patur asnjë lidhje kjo rrugë me njëqind vjetorin e pavarësisë. Berisha kërkon tani ta lidhë me zor, meqenëse dështoi me veprat e mëdha të premtuara publikisht, siç ishin ndërtimi i Kuvendit të ri dhe Stadiumit të ri. Kriza ekonomike e tradhëtoi të mbante premtimet. Kriza e ka tradhëtuar e do ta tradhëtojë edhe në mëtime të tjera. Në këto kushte, duke dashur të kompensojë me propagandë atë që nuk e ka arritur me punë, Berisha do të na mahnisë me guximin e tij për t’ja atashuar 100 vjetorit të pavarësisë deri punët e vogla rutinë të qeverisë. Në qasjen e tij ky 100 vjetor po degradon në një show politik politik paraelektroral të qeverisë. E pamë edhe në mënyrën si e shpalli ftesën për sekretaren e Shtetit, Hillari Klinton. “Unë po ju rrëfehem këtu”, u tha gazetarëve në sekondat që kishte në dispozicion para se të fillonte takimin, duke paralajmëruar një gjë fort të rrallë me shprehjen që përdori. Dhe vijoi, duke e shgënjyer pritjen e tyre, por edhe duke ngjallur ilaritet: “Një nga qëllimet e vizitës sime është të ftoj Sekretaren e Shtetit…” .
Kishte teprim, më e pakta, në këtë mënyrë të shpalluri prej fansi finok, një teprim që nuk justifikohet as me marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, as më të qenit e Shqipërisë një vend i vogël dhe as me të qenët e SHBA-së një shtet i madh demokratik, krejtësisht i ndryshëm nga perandoritë homogjene ku sulltani, perandori, cari i bardhë apo cari i kuq i peshonte të vegjlit që sundonin si bajraktarë dhe tiranë në kontetë e tyre herë nga duart dhe herë nga përkulja. Është arkaike dhe shumë provinciale, mendoj unë, të ecësh me politikën e larjes dhe lyerjes së zyrtarëve të lartë amerikanë. Jo se në SHBA nuk ka njerëz vanitozë që u pëlqen t’i lajnë e t’i lyejnë. Por në këto marrëdhënie duhet të dominojë një logjikë më e lartë, që niset nga dinjiteti dhe respekti i ndërsjelltë. Është edhe Izraeli shtet i vogël. Sjellja dinjitoze e përjashton jargavitjen pështirosëse. Në fakt inferioriteti ndaj “të madhit” padit kapadaillëkun dhe arrogancën me “të vegjlit”. Marrëdhëniet me jashtë nuk bëjnë përjashtim nga ky rregull. Po të ishte Shqipëria një demokraci e standarteve perëndimore ku zhvillohen zgjedhje të lira e të ndershme dhe po të ishte vendi ynë një vend normal i sunduar nga ligji dhe po të ishin në punë kantieret e paralajmëruara për 100 vjetorin e pavarësisë, kryeministri i Shqipërisë, sado e vogël është Shqipëria, nuk do të ta rrëfente ashtu siç e rrëfeu sekretin e udhëtimit të tij në SHBA për t’i mbushur mendjen Sekretares së shtetit Hillari Klinton të vijë për të marrë pjesë në festën e pavarësisë së Shqipërisë. Episodin e kryeministrit në SHBA “e zbërtheu” më mirë kryetarja e Kuvendit me batutën e saj të djeshme në Kuvend “Berisha po takon Kintonin, Rama Nanon”, një batutë tipike parapolitike dhe parakulturore, që afishon ashiqare atë sëmundjen e kahershme të klasës së vjetër politike për të bërë me politikën e jashtme të shtetit vetëm politikë të brëndshme për vete.

(aq/shqiptarja.com)

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.