Vasco Rossi versus Luciano Ligabue

Postuar në 07 Gusht, 2011 14:47

Vasco Rossi e Luciano Ligabue janë dy këngëtarë italianë shumë të suksesshëm. Pëlqehen edhe jashtë Italisë, sidomos në disa vende të Europës. Në Shqipëri po se po. Këtejpari nuk ka lokal të mos ketë këngë të tyret. Por kanë zënë të hahen me sho-shoqin. Në distancë. Në muajin prill, në faqen e profilit të vet në facebook, Vasco ka shkruar në adresë të kolegut, duke iu drejtuar atij, sikur ta kish përballë në një kafene: “I dashur Liga, mund të barabitesh me mua kur të bësh dhe ti nja dyqind këngë dhe të publikosh 16 albume me këngë të reja. I ke ende buzët me qumësht për t’u ngrënë me mua.” Më pas, i vetëdijshëm se i kish dhënë gazit pak më shumë se sa duhet, e përgënjeshtroi. Mirëpo, i hipi prapë zemërimi nga qëndrimi i Ligabue-s, i cili, kur i kërkuan në një koncert të këndonte me Vasco-n, bëri ca deklarata në dukje të shtruara, por me një ton superior: “Vazhdimisht ma kërkojnë këtë gjë, por jemi persona të ndryshëm. Kemi jetë të ndryshme, karriera të ndryshme, karaktere të ndryshëm, qëllime të ndryshme. Më vjen keq për atë që ka shkruar në facebook. Me sa duket, e jeton si një duel bashkëjetesën me mua. Unë jo.” Dhe Vasco gjen rast për t’iu përgjigjur në një intervistë me Red Ronnie-n, muziçist e show-man televiziv. Ja fragmenti i intervistës që ka të bëjë me Ligabue-n: “Thuhet që ke shkruar në facebook, se Ligabue i ka buzët me qumësht për t’u ngrënë me ty”. “Joooo, qënka dikush që e paska thënë vërtet një gjë të tillë?” “Tani, i ke shkruar, apo jo, ato fjalë për Ligabue-n?” “Nuk para ma ka qejfi të shkruaj të vërteta kaq banale.” “Po çfarë mendon ti për Ligabue-n?” “Ka pak talent e shumë tangërllik.”

Debati s’ka për t’u mbyllur me kaq, sigurisht. Për publikun italian bëhet fjalë për një duel kureshtar, s’ka gjë se është jashtë binarëve profesionalë. Vasco, në fakt, vetëm ca ditë më parë, ka bërë dhe një deklaratë tjetër disi shock-uese lidhur me veten: U bënë vite që në jetë më mbajnë vetëm tabletat psikotropike. Është bërë pishman dhe për këtë, por tanimë e ka thënë.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.