Siguracion më i shtrenjtë për shoferët e rinj dhe “kamikazët”

Përveç gjobave dhe kostos së rregullimit të makinave të të tjerëve në rastet kur shkaktojnë aksident dhe nuk janë të siguruar, shoferët e pakujdesshëm në rrugë do të kenë edhe një arsye tjetër tashmë për të zbatuar më mirë rregullat e qarkullimit; siguracionin. Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare po përgatitet të fusë në përdorim një tjetër skemë të përllogaritjes së çmimeve të policave të Sigurimit të Detyrueshëm Motorik për automjetet, i cili përveç fuqisë motorike do të bazohet edhe mbi të eksperiencën në drejtimin e automjetit për shoferin si edhe të kaluarën e tij në raport me aksidentet. Çmimi gjithashtu do të bazohet edhe mbi zonën ku do të përdoret makina. Për të gjitha këto do të përcaktohen koeficient, të cilat më pas do të nxjerrin çmimin e siguracionit që do të paguajë përdoruesi i automjetit, i cili do të jetë variabël. Lajmi për këtë ndryshim u dha sot nga Kryetarja e AMF-së, Enkeleda Shehi. Skema e re pritet të fillojë së funksionuari në fund të këtij viti.
S.E.
Add new comment