Rona Nishliu do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovizion

Është mbyllur festivali jubile i 50-të i këngës në RTVSh dhe ka qenë këngëtarja Rona Nishliu që ka rrëmbyer çmimin e parë, duke siguruar kështu një vend në Eurovision që do të zhvillohet vitin e ardhshëm në Baku të Azerbajxhanit.
Nishliu, e vetmja këngëtare nga Kosova, ka qenë deri në fund në garë për çmimin e parë me Elton Dedën dhe Sajmir Brahon. Kënga e Rona Nishliut, e titulluar “Suus” pati meritën e sjelljes së një kënge krejtësisht ndryshe nga fryma e zakonshme që karakterizon Festivalin e Këngës. Festivali i fundvitit, pavarësisht prezantimit të dobët, skenarit skematik dhe mungesës së elementëve që do ta kishin kthyer në show-n më të madh të vitit, arriti të mbledhë edhe këtë vit forcat krijuese nga më të mirat në tregun shqiptar, kuptohet, meritë edhe e biletës për në Eurovizion. Por, të paktën këtë vit tentativat për të prodhuar këngë që krijuesit mendojnë se 'i duan' në Eurovizion, ishte më e vogël. Krijuesit, ndoshta po fillojnë të kuptojnë se në Eurovizion shkohet me identitet kombëtar e jo për të tregëtuar muzikë që ne mendojmë 'do u pëlqejë' eurovizionistëve.
Kënga “Suus” mori me vete edhe duartrokitjet e forta të publikut, dhe është ndoshta hera e parë në këto vjet që nuk dëgjohet të flitet për këngë të paracaktuara për të fituar. Rona mori edhe çmimin e interpretueses më të mirë, ndërsa Sokol Marsi mori çmimin për tekstin më të mirë me këngën ‘Kristal’. Melodia më e mirë i shkoi Endi Sinës (Mira vjet), çmimi i kritikës i shkoi Frederik Ndocit, ndërsa ai i orkestrimit, Klodian Çafokut.
k.c.
Comments
Ja u gjet edhe kenga e pare
<p>Ja u gjet edhe kenga e pare dhe kengetarja qe do ta perfaqesoje Shqiperine ne festivalin Europioan,qe zhvillohet ne nje kend te Azise,ne Azerbajxhan!.P0r ju lutem ma perktheni nje here ne shqip titullin e kenges "Suus" e pastaj ma jepni ne variantin anglisht(nuk di si do ta perkthejne per festivalin),apo mos eshte ne gjuhen azere te Azerbajxhanit?!!!!C'jane bre keto tituj?Une nuk di ne gjuhen e bukur shqipe ndonje fjale me nje tog dyzanoresh.Mos po nis te flitet ndonje gjuhe e re ne Shqiperi e ne na duhet te futemi ne kursin kunder "analfabetizmit" te ri???!!!...,,,.;;;</p>
Add new comment