Qeveria në vështirësi: Bie mbledhja e të ardhurave

Buxheti i shtetit shënoi një muaj tjetër negativ në nëntor të këtij viti, duke sjellë nevojën për rishikimin e radhës nga qeveria. Të dhënat paraprake të publikuara dje nga Ministria e Financave tregojnë se qeveria arkëtoi 295.5 miliardë lekë për periudhën janar-nëntor të këtij viti, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 0.7 përqindësh në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Norma e rritjes së të ardhurave tregon se aktiviteti ekonomik është në tkurrje të përgjithshme në Shqipëri dhe se kjo tkurrje në muajin nëntor është përkeqësuar. Në tetor, të ardhurat e qeverisë patën shënuar rritje në masën 1.4 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2010.
Ndërkohë, shpenzimet deri në fund të nëntorit arritën në 333.6 miliardë lekë, me rritje 5.7 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Deficiti buxhetor prej 38 miliardë lekësh është 65 për qind më i lartë se një vit më parë, por realizimi i planit vjetor për deficit jo më të lartë se 47 miliardë lekë, ka shpresa se do të respektohet.
Nga Gjergj Erebara, Shqip
Add new comment