Pse s’ia mban INSTAT-it të publikojë shifrën e rritjes ekonomike për tremujorin e dytë?

Sipas rregullores së INSTAT-it, vlersimi për rritjen/tkurrjen e ekonomisë në tremujorin e dytë të këtij viti duhej të ishte publikuar deri në 30 shtator. Por sot në faqen e internetit të INSTAT-it, dy muaj e ca pas këtij afati, është ky njoftim: “Publikimi i PBB-së për tremujorin e II të vitit 2011, është shtyrë për mungesë informacioni nga tatimet. Sapo ky informacion të mbërrijë dhe të përpunohet nga INSTAT do të bëhet i mundur ky publikim.” A të jetë vallë kjo arsyeja e vërtetë?
Letë shohim se ç’ka publikuar deri më sot INSTAT-i rreth tremujorit të dytë, që të hamendësojmë për arsyen e vërtetë të mospublikimit të rritjes/tkurrjes ekonomike të tremujorit të dytë.
Në faqen e internetit të INSTAT-it lexojmë njoftimin që vijon: “Indeksi i volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë në tremujorin e dytë 2011, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, është ulur 6.9 përqind”. Siç kam argumentuar në artikullin “INSTAT-i dhe Ministria e Financave kundërshtojnë vetveten” (http://www.respublica.al/opinion/2011/12/5/instat-i-dhe-ministria-e-financave-kundershtojne-vetveten), rënia e volumit të shitjeve në tregtinë me pakicë ka një korelacion të fortë me tkurrjen ekonomike. Dhe INSTAT-i, pasi ka publikuar një statistikë që tregon një rënie pothuaj 7% të konsumit, do ta ketë shumë të vështirë të nxjerrë një shifër që tregon rritje ekonomike. Gjatë kohës që ka qeveirsur Berisha, INSTAT- vetëm një herë ka publikuar një shifër që ka treguar tkurrje ekonomike: Për tremujorin e katërt të vitit 2009, ka raportuar një tkurrje të Produktit të Përgjithshëm Bruto prej 0.6%, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
E.Zaloshnja
Add new comment