Morti i gjyqtarit; mungesa e krerëve të shtetit përforcon pistën e vrasjes për pronën

Krerët e lartë të shtetit, por edhe kryetari i opozitës Edi Rama, nuk kanë marrë pjesë në ceremoninë mortore për gjyqtarin e vrarë në Vlorë, Skerdilajd Konomi. As Presidenti Topi, as Kryeministri Berisha, por as Kryeparlamentarja Topalli nuk janë dukur në qytetin bregdetar i cili gjatë ditëve të fundit ka marrë hijen e Palermos. Shefi i qeverisë është shfaqur në ceremoninë e hapjes së Kampionatit Botëror të Vrapimit në Mal, ku ka mbajtur një fjalim të gjatë dhe ka marrë një medalje nderi. Ndër eksponentët e tjerë të lartë të politikës, Edi Rama e ka mbushur ditën duke shkruar një koment, të cilin ua ka dërguar, si zakonisht, të përditëshmeve, ndërsa Presidenti Topi e Kryeparlamentarja Topalli kanë qëndruar jashtë radarit të mediave.
Duket se mosprania e krerëve të shtetit, ndër dy pistat e dyshimit për vrasjen e gjyqtarit Konomi; vrasje për shkak të detyrës dhe vrasje për çështje pronësie, i jep kredibilitet të dytës. Pista e parë, vrasje për shkak të detyrës është zbehur jo vetëm se të dhënat e grumbulluara nga organet përgjegjëse kanë favorizuar më shumë alternativën tjetër, por edhe se përfaqësimi i shtetit me anë eksponentësh të rangut të dytë I flet në favor të kësaj. Në ceremoninë mortore për gjyqtarin e vrarë kanë marrë pjesë kryetari i grupit parlamentar demokrat Astrit Patozi, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi si dhe deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj. Të majtët i kanë përfaqësuar deputetët Armando Subashi dhe Fatmir Xhafaj. Të pranishëm kanë qenë edhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu dhe Kryeprokurorja e Republikës, Ina Rama.
L.A.
Add new comment