Inspektoriati i kontrollit të territorit dhe territori që kontrollohet nga të tjerë

Postuar në 05 Shtator, 2011 05:42

Ka një institucion që quhet Inspektoriati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar, i cili ka për detyrë të ushtrojë kontrollin mbi respektimin e normave, standardeve dhe legjislacionit në fushën e ndërtimit, urbanistikës dhe rezervave ujore, në të gjithë territorin e vendit, Në një intervistë për Gazetën Shqiptare, kreu i këtij Inspektoriati, Gëzim Dauti, na bën me dije, se “puna e disa inspektoriateve urbanistikë lokalë lë shumë për të dëshiruar”, se “inspektoriatet e bashkive e komunave të bregdetit, ndonëse janë të kompletuara me personel, nuk janë në lartësinë e detyrës”, dhe se “ndërtimet pa leje në këto zona vijojnë të bëhen nën hundën e tyre e në sy të tyre”.

Dauti ndalet, gjithashtu, dhe tek një çështje, për të cilën është ngritur zëri në mënyrë të vazhdueshme e nga shumë drejtime: masakra që u bëhet shtretërve të lumenjve. “Lejet për shfrytëzimin e shtretrëve të lumenjve jepen nga prefektët e qarqeve, me një afat të caktuar e për një sasi të caktuar”, shpjegon kryetari i këtij institucioni. Dhe aty për aty konstaton si një gazetar i mirë, se “ka individë e subjekte që bëjnë shfrytëzimin pa leje të këtyre burimeve”. Flet për kontrollin në disa lumenj, por jo për Erzenin, shtrati i të cilit në disa segmente është shndërruar në një pistë. “Këtë javë do të kontrollojmë Erzenin”, thotë.

Kush lexon intervistën e tij mbetet me idenë, se askush nuk ka asgjë nën kontroll në fushën e kontrollit të territorit.

Shënim: U futëm në google për t’i bërë një search emrit Gëzim Dauti, por nuk gjetëm gjë prej gjëje. Mirë do ish që për kreun e një institucioni të tillë të dinim se kush është, nga vjen, ç’shkollë ka bërë, ç’karrierë ka, etj, etj.

E.G.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.