Fondacioni Bertelsmann: Institucionet të paqëndrueshme, ekonomia në rënie

Një raport i fundit që studion përparimin e 128 vendeve në zhvillim dhe në tranzicion arrin në përfundimin se shumë vende po e ulin gjithnjë e më shumë lirinë politike, dhe rajoni i Evropës Juglindore është mes atyre ku një dukuri e tillë është më e theksuar.
Indeksi i Transformimit, një tregues i shoqëruar nga një raport dyvjeçar i Fondacionit Bertelsmann, me qendër në Gjermani shqyrton prirjet kryesore politike, sociale dhe ekonomike të 128 vendeve të përfshira në raport.
Në raportin e këtij viti për Shqipërinë thuhet se prirjet shqetësuese politike në periudhën e shqyrtuar - që në vitin 2009 deri në pranverë të vitit 2011 – e arritën kulmin me protesta të dhunshme që u kthyen në vdekjeprurëse para kryeministrisë, si edhe dështimin e qeverisë për të hetuar vdekjen e protestuesve. “Problemet politike dhe shoqërore të Shqipërisë zjenin prej kohësh nën sipërfaqe dhe është faji i politikanëve të vendit që nuk arritën të zgjidhin tensionet që sollën si rezultat krizën aktuale”, thuhet në raport.
Zgjedhjet e vitit 2009, thuhet në raport ishin një hap i rëndësishëm prapa drejt reformave më demokratike, pasi rezultatet sollën një radikalizim të rrezikshëm mes partive të opozitës që kërkonin një hetim të zgjedhjeve duke akuzuar për manipulime dhe shumicës qeveritare që i hodhi poshtë këto kërkesa. Tensionet u përshkallëzuan me publikimin e videos së zëvendës kryeministrit Ilir Meta. Mos hetimi i akuzave për korrupsion që përfshijnë ministra, si edhe për të realizuar ndjekjen penale të atyre pak rasteve që kanë arritur të paraqiten në prokurorin, tregon dështimin e vazhdueshëm të një shteti ligjor që edhe pa këto ishte i dobët dhe konsolidimin e një kulture mosndëshkimi, thotë raporti.
“Gjatë periudhës së studiuar, vendi ka dëshmuar një rënie të konsiderueshme në shumicën e treguesve matës të pjesëmarrjes politike, stabilitetin e institucioneve demokratike dhe integrimit politik dhe shoqëror”, thotë raporti. Në raport thuhet se vendi ka treguar gjithashtu shenja shqetësuese në rënie në ekonomi, kur rritja e prodhimit të brendshëm bruto – një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë vitet e fundit – u ngadalësua në mënyrë drastike në vitet 2009 dhe 2010. Planet e qeverisë për të rritur shpenzimet shoqëruar nga të ardhurat në rënie e kanë rritur deficitin buxhetor si edhe borxhin publik.
Në raport thuhet se vendi e nisi tranzicionin demokratik me sfida të vështira shton se aftësitë e dobëta drejtuese, përdorimi joefiçent i burimeve dhe politika përçarëse kanë minuar edhe më tej arritjet e brishta të tranzicionit demokratik. Sipas fondacionit sinjalet pozitive ndërkombëtare, si anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave nuk kanë mundur ta zmbrapsin prirjet problematike të brendshme.
Zëri i Amerikës
Add new comment