Zbulohet lista e borxheve të shtetit

Shifrat janë depozituar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë
BLEDAR HOTI
Zbulohen detyrimet që shteti shqiptar u ka firmave private apo institucioneve shtetërore. Shifra totale e borxhit, e përllogaritur deri më tani, është 55.1 miliardë lekë, ose 500 milionë euro. Kjo shumë është paraqitur në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë së bashku me nismën e qeverisë për rishikimin e shifrave të buxhetit të shtetit për vitin 2013. Lista e pagesave të papaguara i është depozituar deputetëve të këtij komisioni për t’u njohur me detyrimet që shteti ka ndaj punimeve të kryera në infrastrukturë, apo nga mospagesat e faturave në energji elektrike, ujësjellës. Nga 55.1 miliardë lekë, vetëm 20.6 miliardë lekë janë për punët publike, të cilat janë papaguar deri më sot. Në tabelën e depozituar rezulton se për sa i përket infrastrukturës rrugore, fatura llogaritet në 11.6 miliardë lekë. Ndërsa është përllogaritur se fatura e papaguar për punët e kryera, por që rezulton e pafaturuar shkon në 9 miliardë lekë. Detyrimi tjetër i lartë lidhet me mospagimin e taksave. Kështu rimbursimi i TVSH-së kap shifrën 5.9 miliardë lekë. Ndërsa stoku i pretendimeve të TVSH-së, i rivlerësuar, shkon në 7 miliardë lekë. Si detyrime janë dhe mospagesat për tatimin mbi fitimin që përllogariten në 9.9 miliardë lekë. Faturat e papaguara të shtetit prekin dhe energjinë elektrike dhe ujësjellës. Ndaj CEZ-it, vetëm principali, si detyrim, llogaritet shifra prej 4.5 miliardë lekësh. Për Ujësjellës dhe Kanalizime detyrimi shkon në 2 miliardë lekë. Për shërbimet e tjera sociale, si në arsim dhe shëndetësi detyrimi shkon në total në 5.3 miliardë lekë. Të gjitha këto detyrimeve, sipas tabelës shoqëruese, kanë si burim të dhënat e ofruara nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.
Auditi i huaj
Detyrimet e fshehura deri më tani nga qeveria paraardhëse “Berisha” pritet të ndikojnë ndjeshëm në ekonominë shqiptare. Kjo do të rrisë ndjeshëm borxhin e shtetit shqiptar, ku parashikohet që të shkojë mbi 70 për qind. Gjithsesi për të pasur një pasqyrë më të saktë për borxhet, detyrimet e prapambetura, qeveria ka kontraktuar kompaninë Deloitte & Touch për futur në lupë financat shqiptare. “Borxhi, pa përfshirë detyrimet e papaguara të qeverisë ndaj biznesit, të cilat vetëm këto vlerësohen në rreth 4% të PBB, niveli i borxhit publik në fund të këtij viti pritet të arrijë mbi 68% (69%). Pra, realisht borxhi publik qëndron rreth nivelit 72% të PBB”, tha ministri i Financave, Shkëlqim Cani para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë. Stoku total i borxhit publik në fund të vitit 2013, i shprehur si raport ndaj vlerësimit të rishikuar të PBB për këtë vit, pritet të shkojë deri në 68.6%, nga rreth 63.8% e PBB që ishte parashikuar fillimisht. Kjo rritje prej 4.8 pikë përqindje e stokut total të borxhit është rezultante e një rritje prej 2.4 pikë përqindje vetëm si rrjedhojë e ndryshimit të akumuluar të PBB nominal për vitin 2013, përkundrejt parashikimit fillestar (e ndarë në 0.7 pikë përqindje prej ndryshimit të PBB nominal për vitin 2011; 0.7 pikë përqindje për atë të vitit 2012 dhe 1 pikë përqindje për ndryshimin e PBB nominal të vitit 2013) dhe 2.4 pikë përqindje të tjera janë rrjedhojë e rritjes së stokut total nominal të borxhit publik.
Tabela
Përmbledhja e detyrimeve të qeverisë
Punët Publike
Transport (infrastruktura rrugore) 11.6 miliardë lekë
Punë e kryer, por jo e faturuar, 9 miliardë lekë
Ujësjellës-kanalizime 2 miliardë lekë
Shëndetësi 3 miliardë lekë
Arsim 2.3 miliardë lekë
Detyrim i Taksave
Rimbursimi i TVSH 5.9 miliardë lekë
Stoku i pretendimeve të TVSH i parivlerësuar 7 miliardë lekë
Tatim mbi fitimin 9.9 miliardë lekë
Totali 55.1 miliardë lekë
CEZ- institucionet buxhetore, vetëm principali, 4.5 miliardë lekë
Burimi: Fondi Monetar Ndërkombëtar
Tabaku: Qeveria rrit borxhin për luks
Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, në një prononcim për mediat tha se qeveria “Rama” po e kthen vendin 10 vite pas, ku borxhi nuk përdoret më për investime, ashtu siç i takon të jetë, por do të përdoret ekskluzivisht për shpenzime operative për luksin e qeveritarëve. “Që nga data 4 tetor, përmes aktit normativ, qeveria i ka lejuar vetes të marrë një borxh të ri prej 240 milionë dollarësh. Borxh i cili merret i gjithi kryesisht nga tregu i brendshëm, duke i hequr mundësinë bizneseve të përdorin këtë për rritjen apo zgjerimin e tyre, dhe për punësimin e shqiptarëve. Zyrtarisht qeveria bëri të ditur se në tre muajt në vijim do të mbledhë rreth 360 milionë dollarë të ardhura më pak. Dua t’ju rikujtoj që në 2005-n, mbas ndërrimit të qeverive u mblodhën rreth 120 milionë dollarë më shumë se sa ishte parashikuar nga qeveria socialiste. Akti normativ vërteton në rastin më të mirë paaftësinë e kësaj qeverie, dhe në rastin më të keq synimin e saj për të mbushur xhepat e zbrazur gjatë fushatës së klientëve të saj”, tha Tabaku. Më tej, ajo theksoi: “Zoti Rama, nëse vendi është në krizë, pse duhet të merrni borxh për 600 mijë dollarë vetëm për shpenzimet e zyrës tuaj? Zoti Rama, nëse vendi është në krizë, pse merrni vendime për të shpërblyer ministrat e kabinetit tuaj për çdo mbledhje të KKT me pagën e një punonjësi të thjeshtë? Deri tani janë zhvilluar 3 mbledhje)”.
SHQIP
Add new comment