Xhelal Mziu i Kamzës bëhet “Doktor” nga Universiteti Bujqësor

Opozitës i shtohet edhe një “Doktor” tjetër. Universiteti Bujqësor që ndodhet në Kamëz i ka dhënë gradën “Doktor”, kryebashkiakut Xhelal Mziu. Pas fotove të publikuara prej atij vetë ku shfaqej me daulle dhe me një prerje 1 mijë lekëshe në ballë, kryebashkiaku i Kamzës ka zgjedhur që fotoja e radhës të jetë diploma që merr gradën e lartë. “Juria e ngritur pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit në përputhje me legjislacioni në fuqi, shqyrtoi disertacioni me temë: “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në kërkim të gradës shkencore “Doktor”, dhe me vendimin nr 176, dt 22/07/2013, e vlerësoi atë “Shumë mirë” duke i dhënë Xhelal Mziu gradën shkencore “Doktor” në fushën:Ekonomi dhe Agrobiznes, Profili:Financë-Kontabilitet”, thuhet në diplomën e marrë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës. Por, në faqen e tij zyrtare, kryebashkiaku i Kamzës ka publikuar edhe emocionet e tij për marrjen e këtij titulli pas punës studimore.
“Mes shumë kualifikimesh, titujsh dhe nderimesh brenda dhe jashtë Shqipërisë, kryetarit të Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, i shtohet edhe një titull mjaft i rëndësishëm shkencor, pikërisht grada “Doktor”. Kjo gradë e lartë shkencore i është dhënë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës për disertacionin me temë “Vlerësimi i leverdishmërisë ekonomike financiare për realizimin dhe administrimin e investimeve publike, studim rasti”, në fushën Ekonomi dhe Agrobiznes, profili Financë-Kontabilitet”, shkruhet në faqen zyrtare në rrjetin Facebook. Risia tjetër e Bashkisë së Kamëz është mbështetja në drejtim të kulturës. Është vetë kryetari i Bashkisë që njofton miqtë e tij se për dy ditë rresht do të shfaqet premiera e re: Variete 2013”, me humorist dhe këngëtarë të qytetit. Sot dhe nesër, datë 22-23 tetor, në orën 18:00, Pallati i Kulturës Kamëz shfaq për publikun artdashës premierën e re “Variete 2013”, me pjesëmarrjen e humoristëve dhe këngëtarëve të qytetit. Nëpërmjet gjuhës së humorit dhe satirës, do të transmetohen te shikuesit tematika dhe problematika aktuale. Aktorë dhe këngëtarë me përvojë, por edhe të rinj, kanë punuar për t’u dhënë qytetarëve të Kamzës një shfaqje të këndshme”, thuhet në njoftim. Kryebashkiaku njihet si adhurues i muzikës, madje në një nga fotot e publikuara pak ditë më parë, shfaqej pikërisht duke i rënë daulles.
Shekulli
Add new comment