Walker: 1 mije tonë agjentë kimikë krijojnë minimumi 10 mijë tonë mbetje kimike

Në studion e “Top-Channel”, nëpërmjet një lidhje satelitore mbërriti zoti Paul Uolker, i “Green Cross International”, nje organizate ekologjiste qe kundershton perdorimin e armeve te tilla, njekohesisht edhe njeriu që trazoi ujrat për aferën shqiptare të armëve kimike të Bashar al-Assad.
I pari që tha se burime amerikane i kishin konfirmuar se armët kimike do të shkatërroheshin në Shqipëri, Uolker është mbase njeriu më i përshtatshëm në këto momente kur qeveria po nguron të japë një përgjigje të qartë, për atë që është premtuar nga Tirana në Uashington dhe për atë që pritet të ndodhë të nesërmen apo në ditët në vazhdim.
Sokol Balla – Ju ishit i pari që folët se Shqipëria mund të përfshihet në hartëm e shkatërrimit të armëve kimike, cila është e vërteta?
Paul Walker – Unë kam qenë i përfshirë në çmontimin e armëve kimike prej 20 vitesh dhe kohët e fundit, për shkak të situatës në Siri kam pasur diskutime për armët dhe lëndet kimike do të shkatërrohen brenda apo jashtë Sirisë. Ka pasur diskutime muajt e fundit se cili do të jetë ai vend ku do të shkojnë këto armë dhe në katër vendet që është folur përfshihet Shqipëria, Franca dhe Danimarka.
Sokol Balla – Zoti Walker, për çfarë armësh bëhet fjalë?
Paul Walker – Bëhet fjalë për lëndë kimike.
Sokol Balla – Për lëndë kimike, cilat janë këto lëndë kimike dhe çfarë rrezikshmërie paraqesin ato?
Paul Walker – Assad ka deklaruar nga 1 mijë deri në 1 300 tonë agjentë kimikë. Lajmi i mirë është që thuajse të gjithë, me përjashtim të 20 tonëve janë lëndë kimike prekurosore, pra pararendës që kanë si qëllime ushtarake ashtu edhe industriale. Nuk janë agjentë kimikë të mirëfilltë dhe kjo e bën më të lehtë transportimin e tyre. Ka edhe agjentë kimikë që mund të jenë shumë toksikë, që mund të vrasin, siç është VX dhe agjenti nervor sarin e gazi mustardë, që është edhe më i vjetri, por kjo është pjesa më e vogël e arsenalit sirian.
Sokol Balla – Cila është sasia që mund të zbarkojë në Shqipëri?
Paul Walker – Do të jetë rreth 1 mijë tonë, ka më shumë se kaq në Siri, rreth 1 300 tonë. Do verifikuar ende shifra e saktë, por disa prej këtyre lëndëve mund të shkatërrohen lehtësisht edhe brenda Sirisë. Pjesa tjetër e lëndëve kimike prekursore, pra lëndë parapërgatitore kanë të ngjarë që duhet të shkojnë në një vend tjetër që mund të jetë Shqipëria.
Sokol Balla – Ju thoni që rrezikshmëria e këtyre agjentëve kimikë paraprakë është relativisht e ulët, pavarësisht nga sasia e tyre. A ka kapacitete teknike dhe ushtarake Shqipëria për të realizuar këtë operacion e garantuar sigurinë?
Paul Walker – E kuptoj këtë që thoni. Unë mendoj se këto kimikate janë djegur në të shkuarën, e janë hidrolizuar në SHBA, Rusi, Korenë e Jugut, edhe në Shqipëri më përpara. Ka 20 vjet përvojë në këtë fushë dhe gjatë 23 viteve të fundit në SHBA nuk ka pasur asnjë aksident madhor, ndaj këto lëndë mund të manaxhohen mirë e pa rrezikshmëri. Pyetja juaj është a mund Shqipëria ta bëjë këtë gjë? Jo, të paktin për momentin. Do të duhej që aty të vinin pajisjet dhe këto pajisje kanë nevojë edhe për lëndë kimike e ujë për të plotësuar procesin e tyre, të cilat shkatërrojnë aspektin e tyre toksikë, por nëse sjell 1 mijë tonë nga Siria, kjo do të prodhojë 10 mijë tonë mbetje industriale toksike që duhet të manaxhohet në një fazë të dytë. Mund të sillet një incerator, si i vitit 2007, kur SHBA, Gjermania dhe Zvicra ndihmuan Shqipërinë të shkatërronte 16 metra kub gaz mustardë. Këto mund të shkatërrohen edhe me metodologji me shpërthim dhe me neutralizim, që janë përdorur gjerësisht në Kinë gjatë 6-7 viteve të fundit nga kinezët, për shkatërrimin e armëve kimike japoneze të braktisura nga Lufta e Dytë Botërore. Pra ka një përvojë të gjatë, por këto pajisje duhet të vijnë në Shqipëria dhe Shqipëria duhet të ketë energji elektrike, ujë, shërbime në port, shërbim rrugor në pikat e panjohura industriale ku do të ngrihet. Pajisja mund të instalohet brenda 2 muajsh, pra brenda 2014-s, e ekziston një përvojë e sigurt dhe e gjatë për të.
Sokol Balla – Do të doja të vinim tek pyetja kyç që e kalon çështjen nga teknike e ushtarake në politike. Ju deklaruat apo latë të kuptohet një ditë më parë tek Al-Jazeera që Shqipëria mund të përfshihet dhe se vendimi është marrë? A është marrë një vendim përsa i përket përfshirjes?
Paul Walker – SHBA i kanë kërkuar qerverisë së Shqipërisë, nëpërmjet Departamentit të Shtetit, nëse do të ishte apo jo e interesuar që të ndihmonte në lëndët kimike prekurosore, siç e ka bërë edhe ndaj disa vendeve, që i kanë thënë jo e të tjerë nuk janë ende përgjigjur, duke treguar një farë interesi siç është edhe kategoria e Shqipërisë. Me sa di unë, vendimi nuk është marrë ende, plani i demitiralizimit duhet të aprovohet nesër nga Këshilli Ekzekutiv i Organizatës së Ndalimit të Lëndëve Kimike dhe besoj se nëse Shqipëria përgjigjet pozitivisht, SHBA-Rusi besoj se do të ishin të detyruar të realizonin një diskutim publik që do të informojë vendin për përfitimet dhe rreziqet. Ne mund të ndihmojmë me këtë debat publik me qeverinë dhe zyrtarët shqiptarë.
MAPO
Add new comment