Vrasja në shkollë mund të kthehej në tragjedi, në armë u gjetën 16 fishekë

Postuar në 06 Dhjetor, 2013 17:32

Profili

 

Mësuesit: Varaku ushtronte dhunë ndaj bashkëmoshatarëve 

Nuk ishte i skeduar në polici, por shumë problematik në shkollë

Adoleshenti, që vrau 16-vjeçarin në ambientet e shkollës, nuk është i skeduar në Policinë e Durrësit dhe as në atë të Shijakut. Pavarësisht problemeve që mund të ketë pasur me ndonjë mësues në shkollën 9-vjeçare Xhafzotaj, Edrin Varaku nuk rezulton të ketë qenë ndonjëherë i shoqëruar në ambientet e policisë dhe as të jetë njohur si adoleshent problematik. Deklarata vjen zyrtarisht nga drejtues të Policisë së Qarkut të Durrësit, ndërsa mësues, pjesë të stafit pedagogjik të kësaj shkolle, nxënës i së cilës ka qenë deri në qershorin e këtij viti i arrestuari për vrasjen e Adriatik Totës, pohojnë se ai ka qenë një nxënës problematik që “dhunonte psikologjikisht mësuesit dhe bënte të njëjtën gjë po të bashkërenduar edhe me veprime fizike kundrejt bashkëmoshatarëve të tij, duke i rrahur apo etiketuar me shprehje banale edhe ‘malokë’”. Sipas të njëjtave burime, ai së bashku me moshatarë të tjerë është futur natën në shkollë duke dëmtuar objektet në klasa dhe shkruar fjalë banale e kërcënime në muret e shkollës, deri dhe në kërcënime ndaj mësuesve me fjalët “do të marr kallashin dhe do t’ju vras”. Mësuesit ndihen ende të rrezikuar dhe të pasigurt për të deklaruar haptazi këtë presion të nxënësit ndaj tyre, ndërsa pohojnë se krimi që ndodhi në shkollën e Shkozetit është pasojë e një sjelljeje problematike të shfaqur që më herët.

 

 

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

I arrestuari - “Ai i dhunonte psikologjikisht mësuesit dhe bënte të njëjtën gjë me nxënësit”

Hetimet

Rindërtohet skena e krimit, ndërsa 16-vjeçarit i jepet lamtumira e fundit

http://gazeta-shqip.com/lajme/wp-content/themes/gazeta-e-re/...); background-color: rgb(255, 255, 255); color: rgb(85, 85, 85); line-height: 19px; background-position: 0px 20px; background-repeat: no-repeat no-repeat;">

Policia

Akuza - Materialet procedurale të përpiluara iu përcollën Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”

Ceremonia - Hidhërimi për fundin e papritur të 16-vjeçarit ka përfshirë të gjithë ata që hyjnë e dalin në shtëpinë njëkatëshe të Totëve në fshat

Mësuesit - Për ngushëllim në shtëpinë e tij kanë shkuar edhe drejtori i shkollës “Beqir Çela”, mësuesja kujdestare dhe nxënës të klasës së tij

Deputeti - Në varrimin e të riut mori pjesë edhe deputeti i Durrësit, Eduard Halimi, që menjëherë pas tij ka reaguar në rrjetin social “Facebook”

Varaku ishte në dijeni të lëvizjeve të Totës, prandaj vrasjen dyshohet se e ka kryer me paramendim

Në orën e dytë të mësimit, ai ka marrë në shenjë të riun dhe e ka qëlluar dy herë me armë zjarri

Vali Qyrfyçi

Vrasja në shkollë mund të ishte kthyer në një tragjedi të vërtetë me më shumë viktima. Arma e krimit u gjet dhe me 16 copë fishekë model 56 e braktisur në vendin e ngjarjes. Të derdhura me breshëri mbi trupin e Totës, ato mund ta kishin kthyer ofiçinën ku nxënësit po kryenin praktikën mësimore me mësues Thoma Llazarin në një kasaphanë. Por i dyshuari për këtë krim ka qëndruar gjakftohtë dhe i saktë në objektivin e vet. Nuk e ka humbur toruan. Ndërkohë, dje i është dhënë lamtumira e fundit viktimës, i cili është përcjellë nga shumë të afërm dhe shokë të shkollës, ndërkohë që i pranishëm ka qenë edhe deputeti i PD-së, Eduard Halimi.

Rindërtimi i ngjarjes

Sipas rindërtimit të skenës së krimit, policia ka ngritur dyshimet se dy ditë më parë, duke e ditur se do të kishin orën e përbashkët me klasën e vitit të dytë, ku ishte viktima, Varaku ka planifikuar të kryejë ekzekutimin e tij. Teksa ka nisur ora e dytë e mësimit ka marrë në shenjë Adriatikun dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Ka hedhur armën e krimit dhe është larguar në qetësi, ndërsa nxënësit përreth tij dhe mësuesi kanë qenë shtrirë përtokë nga paniku që i ka mbërthyer pas të shtënave të tij. Pasi ka dalë nga ofiçina, ka hequr edhe bluzën e praktikës dhe e ka hedhur në një nga stolat që ndodhet në oborrin e shkollës dhe ka dalë jashtë shkollës. Sipas të dhënave, fati ka qenë me nxënësit e tjerë, pasi do të kishim të bënim me një tragjedi. Nëse i riu do të kishte hasur rezistencë, ai mund të kishte qëlluar sërish, pasi në pushkën e përdorur prej tij janë gjetur 16 fishekë. Nxënësit, për fatin e tyre, ishin shtrirë barkas dhe i kishin shpëtuar ndonjë vrasjeje të mundshme. Në lidhje me arrestimin e tij, policia tha se në orën 20:00 të së mërkurës është bërë arrestimi në flagrancë i Edrin Varakut, 15 vjeç, nxënës i vitit të parë të shkollës profesionale nën akuzën e kryerjes së vrasjes në rrethana cilësuese dhe armëmbajtjes pa leje. Pas ndërhyrjes së prindërve të tij, Varaku u bind të dorëzohet vetë rreth orës 16:45 të asaj dite në një prej lokaleve në qendër të qytetit të Durrësit. “Lidhur me këtë ngjarje u punua intensivisht në drejtim të grumbullimit të provave për dokumentimin e plotë ligjor të saj. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pushkë, 16 copë fishekë model 56, e cila u braktis nga autori në vendin e ngjarjes. Materialet procedurale të përpiluara iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës për veprën penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “mbajtje pa leje e armëve e municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 79/a e 278/4. Për vrasjen me dashje të një të mituri, ligji parashikon dënimin me burgim jo më pak se 20 vjet heqje lirie ose burgim të përjetshëm, po fakti se autori i dyshuar është vetë një i mitur, si dhe pranimi i krimit mund të çojnë në zbutjen e këtij dënimi dhe gjykim të shkurtuar.

Lamtumira e viktimës

Ndërkaq, dje është përcjellë për në banesën e fundit 16-vjeçari Adriatik Tota. Mes dhembjesh e lotësh, familjarë, të afërm dhe shokë kanë përcjellë të riun që ëndërronte të bëhej mekanik dhe t’u bëhej krah prindërve të tij në të ardhmen e afërt. Nën një ditë me diell, qindra persona kanë shoqëruar për në banesën e fundit Adriatikun, djalin e shkathët, por edhe të qetë dhe të mirë në mësime. Babai i viktimës ka mbërritur nga Italia ku është emigrant, për të parë për herë të fundit të birin. “E kisha frikë nga ndonjë aksident, ngaqë shkonte e vinte nga fshati në shkollë e kthim, po asnjëherë se kisha menduar vdekjen dhe aq më tepër që do të ma vrisnin”, thotë i tronditur, ndërsa ka humbur djalin e vetëm, atë që do t’i trashëgonte emrin. Hidhërimi për fundin e papritur dhe të dhimbshëm të 16-vjeçarit ka përfshirë të gjithë ata që hyjnë e dalin në shtëpinë njëkatëshe të Totëve në fshat. Nuk gjejnë dot fjalët e duhura për ngushëllim, por kjo është jeta. Sytë i kanë nga organet e drejtësisë dhe vendimi që do të japin për autorin e dyshuar. “Në të kundërt mund të ketë dhe vetëgjyqësi. Duhet të vendoset drejtësi”, thotë nën zë, një nga fisi Tota.

Vizita e shokëve

Për ngushëllim në shtëpinë e tij kanë shkuar edhe drejtori i shkollës “Beqir Çela”, mësuesja kujdestare dhe nxënës të klasës së tij, ndërsa për të tjerët në shkollën e mesme profesionale në Shkozet të Durrësit ka qenë një ditë e zakonshme shkolle. Komentet dhe rikthimi në vendngjarje i ndonjë ekipi televiziv u mbajnë gjallë krimin e vetëm një dite më parë. Disa nuk duan t’ia dinë, pasi nuk njihnin asnjë nga palët dhe ngjarja i lë pothuajse ende indiferentë, pavarësisht se vrasja ndodhi brenda shkollës. Ata që kontakton dhe i njihnin nuk flasin për ndonjë konflikt të ashpër mes dy nxënësve që u përfshinë në ngjarjen kriminale. Një nga të njohurit e autorit pohon se i dyshuari e shante “malok” dhe ai ia kthente “duke e sharë, si ndodh rëndom nga robtë”, po kjo, sipas tij, nuk përbën një motiv, shkak të arsyeshëm për ta vrarë. Të tjerë pohojnë se i dyshuari si autor, që ka pohuar dhe kryerjen e krimit para oficerëve të policisë gjyqësore, njihet si djalë i hedhur, rebel për nga natyra.

Deputeti Halimi

Në varrim ka marrë pjesë dhe deputeti i Durrësit, Eduard Halimi, që menjëherë pas tij ka reaguar në rrjetin social “Facebook”. Përdorimi i ngjarjeve të rënda për të sulmuar politikisht kundërshtarin nuk përjashtoi as vrasjen në shkollën e Shkozetit. “Sapo kthehem nga funerali i Adriatikut, djalit që dje iu mor jeta në mënyrë të padrejtë gjatë një procesi mësimor dhe nuk pata mundësi të isha në sallën e Parlamentit, por dëgjova se ishin kapardisur neveritshëm Kryeministri dhe çerri i tij skizofren që ka bërë ministër, se fajin e kanë prindërit e viktimës! Mirë që nuk erdhën për ngushëllim, por i dhanë sot një thikë tjetër prindërve që humbën djalin e vetëm që e rrisnin me kaq shumë mundime. Urrejtjen ndaj opozitës ua derdhën prindërve. Të neveritshëm për të mbuluar paaftësinë. Sot, nuk duhej të merreshin me akuza, nuk duhet të merreshin me politikë, nuk duhej të akuzonin prindërit e viktimës për ngjarjen, po vetëm të ngushëllonin. Të neveritshëm dhe makabër të dy”, shkruan Halimi.

 

 

SHQIP

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.