Vendimi për 'Gërdecin', familjarët protestë para Gjykatës së Apelit

“Shoqata e Familjarëve Viktimave të Shpërthimit, Gërdec” do të dalë në konferencë për shtyp ditën e sotme në ora 11.00 para gjykatës së Apelit.
Vendimi i Gjykatës së Tiranës për 29 të pandehurit e tragjedisë së Gërdecit ka lënë të pakënaqur familjarët e viktimave, të cilët kërkojnë zbardhje të plotë të vendimit të 12 marsit 2012 si dhe që Kontrolli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
KËRKESAT E FAMILJARËVE TË VIKTIMAVE TË GËRDECIT:
1. Gjykata e Tiranës të zbardhë pa vonesë vendimin e plotë me qëllim për të mundësuar apelimin nga Prokuroria e Përgjithshme brenda afatit ligjor prej 10 ditësh.
2. Prokuroria ta çojë deri në fund, në përputhje me sa dikton ligji, këtë proces që përfshin interesin e të gjithëve.
3. Gjykata e Apelit Tiranë të trajtojë me precedencë absolute ngjarjen e Gërdecit. Në vendimin e saj të tregojë seriozitetin dhe profesionalizmin e domosdoshëm në trajtimin e çdo kërkese nga ana e institucionit të Prokurorisë.
4. Këshilli i Lartë i Drejtësisë të monitorojë dhe vlerësojë punën e deritanishme të gjyqtarëve dhe të ndërhyjë për qartësimin e pikave ende të errëta të këtij procesi tejet të zgjatur.
5. Institucionet shtetërore të lartpërmendura të trajtojnë pa vonesë dhe brenda kompetencave të veta çdo kërkesë legjitime të familjarëve të viktimave të Gërdecit.
6. Ministri i Drejtësisë në bashkëpunim me Ministrin e Financave, dhe Gjykatën e Tiranës të marrin masat përkatëse për të përjashtuar familjarët e viktimave të Gërdecit nga detyrimi për pagimin e taksës gjyqësore, duke u garantuar kështu aksesin në gjykatë dhe në drejtësi.
VENDIMI
Pas një kalvari të gjatë seancash, Gjykata e Shkallës së parë 3 ditë (më 12 mars) para përvjetorit të tragjedisë dha vendimin për 29 të pandehurit e dosjes ‘Gërdeci’, ku asnjë nga 29 të akuzuarit nuk u dënua për akuzën e vrasjes.
Sipas vendimit të gjykatës, ish-përgjegjësi i fabrikës së armëve të demontimit që shpërtheu më 15 mars të vitit 2008 në Gërdec u dënua me 18 vjet burg, ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari po me 18 vjet burg, kurse administratori i fabrikës Alba-Demil, Mihal Delijorgji me 10 vjet burg.
Ballkanweb.com
Add new comment