Vendimet / Idlir Peçi, zv.ministër Drejtësie

Postuar në 22 Nëntor, 2013 15:57

Këshilli i Ministrave në vendimet e sotme, ka miratuar emërimin e Idlir Peçit si zëvendësministër të Drejtësisë. Peçi është diplomuar jurist pranë Universitetit Aristotelos, të Greqisë dhe ka kryer studimet Master dhe Doktoraturën në Universitetin e Groningenit, Holandë. Aktualisht ai është pedagog në Universitetin e Utrecht-it, Holandë.

Peçi është themelues dhe koordinator akademik i qendrës kërkimore të Magjistraturës, në Tiranë, e cila ofron këshilla ligjore pro-bono për Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorinë e Përgjithshme. Ai është mbikqyrës i Programit të Klikinës Ligjore në Universitetin e Utrechtit, duke ofruar asistencë ligjore për Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.

Peçi ka qenë raportues kombëtar (national reporter) për Holandën në projektin e financuar nga Bashkimi Evropian dhe i realizuar në bashkëpunim me Universitetin e Luxemburgut, me titull “Hetimet në BE: Drejt një Prokurori Publik Evropian”.

Vendimet e qeverisë

1. Për miratimin, në parim, të marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD), për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit.

Projekti i Investimit në Sektorin e Ujit, që sipas kësaj marrëveshjeje do të financohet tërësisht nga Banka Botërore (IBRD), nëpërmjet një huaje në vlerën 62. 500.000 Euro, ka si objektiv përmirësimin e cilësisë së shërbimit në fushën e ujësjellësit dhe kanalizimeve të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizime Durrës (NUKD).

2. Për miratimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me grantet e investimit nga llogaria EU/IPA 2011 dhe llogaria EU/IPA 2010, për projektin e rrugëve rajonale dhe lokale.

Projekti i rrugëve rajonale dhe lokale synon rindërtimin e rreth 500 km rrugë rajonale dhe lokale dhe është pjesë e një programi të gjerë që ka ndërmarë qeveria e Republikës së Shqipërisë me qëllim financimin e rehabilitimit të 1000 – 1500 km rrugë rajonale dhe lokale.

3. Për miratimin, në parim, të memorandumit të ri të mirëkuptimit për kuadrin institucional të iniciativës për gatishmërinë dhe parandalimin e katastrofave për Evropën Juglindore.

Memorandumi i mirëkuptimit, i nënshkruar nga 11 vende të Evropës Juglindore, synon të forcojë bashkëpunimin shumëdimensional, me qëllim parandalimin dhe përgatitjen ndaj fatkeqësive natyrore dhe fatkeqësive të shkaktuara nga njeriu.

4. Për emërim në detyrë të z. Idlir Peçi, zëvendësministër i Drejtësisë.

Shekulli

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.