Vendi në krizë, bankat “nuk dinë” ku t’i çojnë paratë

Postuar në 16 Nëntor, 2013 08:03

Në një situatë kur kursimet e shqiptarëve kanë arritur në rekordin historik, me rreth 956 miliardë lekë dhe nga ana tjetërrubineti i kredisë thuajse është mbyllur totalisht, bankat janë në kërkim të mënyrave të reja të investimit. Më klasikja dhe e lehta mbetet blerja e borxhit të qeverisë, ose tjetra, transferimi i fondeve të lira jashtë vendit.

Investimet jashtë, 1 miliard euro

Në kushtet e bllokimit të kredisë, bankat i janë kthyer edhe njëherë investimeve të fondeve të lira jashtë vendit. Duke qenë se pothuajse të gjitha janë me pronësi të huaj, e kanë më të lehtë që t’i investojnë kursimet e shqiptarëve jashtë vendit. Ky fenomen është trajtuar edhe në statistikat e Bankës së Shqipërisë, e cila raporton se zëri “Depozita në banka, institucione krediti dhe institucione të tjera financiare” ka shënuar një rritje të ndjeshme me 34%, ose 32 miliardë lekë vetëm në tremujorin e tretë në raport me atë të mëparshmin. Por gjithsej, shuma që bankat kanë investuar jashtë arrin në 130 miliardë lekë, nga rreth 50 miliard lekë që ishte në fillim të vitit 2010. Sipas ekspertëve të Bankës, kjo tendencë erdhi edhe si rezultat i rënies së thellë të normës së interesit të borxhit të ri të qeverisë, i cili është rreth nivelit 3.5 për qind për bonot me ata 12-mujor nga 7 për qind që ishte interesi në vitin 2012. Arsyeja tjetër lidhet edhe me njëfarë frike që krijoi rotacioni politik, i cili si gjithnjë ndikon në daljen e valutës jashtë vendit. Por një arsye tjetër e tretë vjen edhe me politikën që kanë ndjekur disa grupe të mëdha bankare, të cilat pas krizës financiare globale, por edhe krizës greke kanë ulur ekspozimin ndaj investimeve në borxhet qeveritare. Rast me peshë mund të jetë ai i “Raiffeisen Bank”. Qendra në Vjenë vendosi të ulë fondin e investimeve në blerjen e bonove të thesarit në vendin tonë me 100 milionë euro. Fillimisht u krijua panik në treg, që u shoqërua me rritjen e interesit të borxhit, por më pas gjithçka u normalizua. Ky veprim solli edhe një rënie të peshës së “Raiffeisen” në tregun e bonove në nivelin 25 për qind, duke iu lënë hapësirë bankave të tjera të sistemit të blejnë borxhin. Pjesëmarrja e më shumë bankave në ankandet e letrave me vlerë të qeverisë solli një ulje të interesave të borxhit të ri në gati 60 për qind, duke sjellë një kursim vetëm këtë vit në buxhetin e shtetit në më shumë se 100 milionë euro nga pagesa e interesit.

Kredi nuk ka

Arsye themelore se pse bankat po kërkojnë mënyra të reja investimi është edhe mungesa e kreditimit të ekonomisë, e cila ka pësuar një rënie të fortë gjatë këtij viti duke shënuar vlera negative rritjeje në krahasim me vitin që shkoi. Faktorët janë të njëjtë si këto të tri viteve të fundit. As bankat nuk duan ta japin dhe as klientët nuk e kërkojnë. Për bankat, arsye e fortë mbetet rrita e kredisë së pakthyer, ndërsa për klientët mbetet mungesa e konsumit në vend dhe me këtë rast panevojshmëria për të kryer investime të reja. Të dhënat e fundit nga Banka e Shqipërisë tregojnë se portofoli i huasë u tkurr me pesë miliardë lekë gjatë muajit tetor, duke thelluar më tej shqetësimet për një plogështim të theksuar të kreditimit. Në fund të tetorit, rritja vjetore e portofolit të kredisë ishte vetëm 4%, rritja më e ulët prej të paktën tetë vitesh. Kredia për biznesin, që gjatë viteve të fundit ka qenë shtysa kryesore për rritjen e kreditimit në ekonomi, në muajin tetor ra me 6.5 miliardë lekë. Rënia e kredisë në këto nivele është bërë shkak për rritjen e ekonomisë në norma të ulëta.

 

 

 

MAPO

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.