Veliaj: Abuzimi me pagesat e invalidëve, krerët lokalë futën gra e fëmijë në lista

Postuar në 23 Tetor, 2013 12:10

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, ka ngritur sot shqetësimin e institucionit që drejton në lidhje me rritjen fiktive të numrit të personave me aftësi të kufizuara, sidomos gjatë 6 muajve të fundit.

Në një raport të paraqitur sot në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Ministria e Mirëqenies Sociale ka konstatuar se numri i përfituesve të pensioneve si persona me aftësi të kufizuara është rritur me 6 mijë gjatë 6-mujorit të parë të 2013-s, deri më 23 qershor.

“Sot sipas formularëve të ardhur nga Njësitë e Pushtetit Vendor rezulton që numri i Personave me Aftësi të Kufizuar dhe Invalidëve të Punës, për vitin 2013, është 165.089 përfitues.

Vetëm gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, deri me dt. 23 qershor,vihet re një rritje e madhe e numrit të PAK me rreth 6000 mijë persona. I krahasuar vetëm me vitin e 2012 rezulton që këtë vit kemi një rritje të paprecedentë me rreth 8 % të përfituesve të kësaj skeme.

Numri i personave që kanë përfituar nga Skema e Pagesave për Personat me Aftësi të Kufizuar në vitin 2005 ka qenë 99077 persona. Në tetë vitet e fundit, pra skema e përfituesve është rritur me rreth 65 përqind.

Kjo rritje do të përbënte lajm të mirë nëse nuk do të ishte tregues i një rritjeje abuzive të një skeme të dalë jashtë kontrollit », thuhet në raport.

Auditimi i kryer nga ekspertë të ministrisë ka konstatuar shkelje flagrante të ligjit, pasi pagesa e ndihmës ekonomike është bërë në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave dhe në mungesë të dokumentacionit të kërkuar.

“Nga të dhënat e auditit, në komuna të veçanta vihet re se të gjithë anëtarët e këshillit bashkiak si dhe kryetari i tij kanë të regjistruar të gjithë papërjashtim fëmijët ose bashkëshortet e tyre në skemën e PAK”, thuhet në raport.

Si rrjedhojë e këtij abuzimi, aipas raportit situata e buxhetit është e tillë.

« Për vitin 2013, Ministrisë i janë akorduar fonde në programin Mbrojtja Sociale, (Ndihmë Ekonomike dhe pagesat për PAK) vlera prej 17.4 miliard lekë.

Nga ky fond është gjetur e programuar detajimi i fondeve, si më poshtë:

Për pagesën e Ndihmës Ekonomike është programuar fondi në vlerën 4.2 miliardë lekë,

Për Personat me Aftësi të Kufizuar është programuar fondi në vlerën 13.2 miliard lekë.

Deri në muajin Qershor nga ky fond është shpenzuar 11 miliard leke. Nga kjo 9.4 miliard lekë kanë shkuar për PAK.

Ndërsa, për periudhën Janar – Qershor 2012, për pagesat në programin e Mbrojtjes Sociale (NE dhe PAK së bashku) janë disbursuar fonde në vlerën 8 miliard lekë.

Gjatë periudhës Qershor – Shtator 2013 është disbursuar shuma 3.7 miliard lekë. Nga kjo, 2.1 miliard është disbursuar për PAK.

Në Shtator 2013, në buxhetin e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë gjendej i padisbursuar fondi me vlerë vetëm 747 millionë lekë.

Sipas llogaritjeve të bëra rezulton se për plotësimin e të gjitha detyrimeve ndaj skemës së Mbrojtjes Shoqërore sipas numrit aktual të personave të regjistruar për vitin 2013 do të nevojitej një fond shtesë prej 5.2 miliard lekë. (52 milion dollarë)”, tha Veliaj.

Më tej, ai u shpreh se objektivi kryesor i institucionit që drejton mbetet pastrimi i menjëhershëm i skemës nga abuzimi si dhe riorientimi i Politikave për Personat me Aftësi të Kufizuar nëpërmjet dy strategjive : Rishikimi i sistemit të vlerësimit të skemës duke kaluar nga modeli mjekësor drejt modelit social mjekësor i vlerësimit të funksioneve të aftësisë së kufizuar dhe rishikimi i legjislacionit për të gjitha grupet e PAK për të vendosur në kushte të barabarta përfitimi, në përputhje me shkallëzimin e rëndesës së sëmundjeve dhe nevojave për shërbime, punësim dhe riintegrim.

Dita

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.