Unioni i Gjyqtarëve pas videos së Fiks Fare: Vepër spekulantësh, duan të minojnë Drejtësinë

Postuar në 30 Nëntor, 2013 12:44

Unioni i Gjyqtarëve ka reaguar pas videos së transmetuar në emisionin investigativ ‘Fiks Fare’, ku shfaqet me zë dhe figurë korrupsioni në drejtësi që nga gjykatat e nivelit më të ulët e deri te gjykata e lartë, duke e cilësuar këtë video si improvizim spekulantësh që kërkojnë të minojnë sistemin e drejtësisë. Përmes një deklarate për mediat unioni thekson se ‘përfshirja e emrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, të nderuarit Xhezair Zaganjori, në një skenë të improvizuar nga disa spekulantë të rëndomtë, përbën apel për një hetim të shpejtë e profesional, për të treguar se këto raste nuk mund të shërbejnë si burim frymëzimi për një fushatë populiste kundër gjyqësorit dhe gjyqtarëve’.

“Duke marrë shkas nga raportimet më të fundit mediatike, Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin të vlerësojë dhe inkurajojë përpjekjet e gazetarisë investigative për të informuar opinionin publik, sa i takon dyshimeve për korrupsion në sistemin e drejtësisë. Nga ana tjetër, prirja për ta shndërruar ndonjë rast të caktuar në një qasje përgjithësuese, që i atribuohet sistemit gjyqësor në tërësi dhe çdo gjyqtari në veçanti, e kompromenton këtë mision, si dhe mohon punën serioze e profesionale të pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe aspiratën e shoqërisë për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia.

Për fat të keq, sot në vend ka gjetur përhapje të gjerë kultura e spekulimit që ngrihet mbi dobësinë e anës emocionale të njerëzve, të cilët, për një arsye, ose për një tjetër, jeta i përball me sistemin e drejtësisë. Përfshirja e emrit të Kryetarit të Gjykatës së Lartë, të nderuarit Xhezair Zaganjori, gjyqtar me integritet të lartë moral e profesional, në një skenë të improvizuar nga disa spekulantë të rëndomtë, përbën apel për një hetim të shpejtë e profesional, për të treguar se këto raste nuk mund të shërbejnë si burim frymëzimi për një fushatë populiste kundër gjyqësorit dhe gjyqtarëve.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë gjen rastin që të apelojë edhe njëherë se, më shumë se fjalët e retorika armiqësore ndaj gjyqësorit e gjyqtarëve pa dallim, identifikimi jopërgjithsues i përgjegjësive dhe promovimi i vlerave bazuar në merita përbëjnë rrugën e vetme të besueshme për një gjyqësor të pavarur e përgjegjshëm”, thuhet në deklaratën e Unionit ët Gjyqtarëve.

Shqip

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.