Trafikimi i qenieve njerëzore, Rama: Aksion i menjëhershëm

Kryeministri Edi Rama deklaroi të shtunën se shteti shqiptar ka qenë i paaftë për të integruar viktimat e trafikimit në shoqëri. “DASH e ka renditur Shqipërinë në listën e vendeve nën vëzhgim për mungesën e plotësimeve të standardeve. Edhe raporti i Komisionit Europian konstaton probleme.
Nëse sot në ditën europiane kundër trafikimit të personave jemi mbledhur këtu për t’i dhënë një shtysë të re dhe për të folur për në qasje ndryshe për luftën kundër trafikimit. Shqipëria paraqet sot një tablo të dhimbshme, revoltuese ku dallohet sofistifikimi i veprimtarisë kriminale dhe burimi i trafikimit dhe nga ana tjetër një shtet krejt të paaftë për të përballur me këtë fenomen”, u shpreh Rama në konferencën “Stop Trafikimit! Së Bashku Mund të Bëjmë më Shumë!”,
Kryeministri u shpreh se duhet një qasje e re dhe një vizion i ri në luftën kundër trafikimit të personave duke shtuar nënvizuar domosdoshmërinë e një aksioni të menjëhershëm kundër këtij fenomeni.
“Si në të gjitha fushat, shpërdorimi i fondeve të dhëna nga ndërkombëtarët dhe presioni politik konstant deri në asfiksim tregon se sot është gjendja shumë e dobët për të qenë aktive në parandalimin e trafikut e kanë bërë më të dobët shtetin në parandalimin e këtij trafiku dhe sensibilizimin sa i takon këtij problem dhe vetë personat vulnerabël që janë viktima të këtij trafiku. Duke qenë thellësisht të vetëdijshëm, që kjo sfidë sado komplekse dhe e vështirë është në të njëjtën kohë një emergjencë shoqërore dhe që lidhet me domosdoshmërinë për të mos lejuar që Shqipëria të hyjë në kutinë e zezë të vendeve që konsiderohen sot si të pashpresa”,- tha Rama.
Ndërsa ministri i Brendshëm Saimir Tahiri theksoi se është i domosdoshëm bashkërendimi i punës mes mistrisë, agjencive përgjegjëse, shoqërisë civile, për të luftuar trafikun e qenieve njerëzore.
“Ministria e Brendshme e qeveria e konsiderojnë dhe e njohin si problem alarmant, kjo është pikënisja. Sot i shpallim luftë trafikimit të qenieve njerëzore dhe asetit kriminal që sot e gëzojnë skllavopronarët. Luftën kundër trafikut e shpallim si sipërmarrje të përbashkët të qeverisë e çdo dikasteri që ka rol në këtë luftë së bashku me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë”, u shpreh Tahiri. Ndërkohë dy ambasadorët, ai i BE-së Ettore Sequi, dhe i OSBE-së në Shqipëri, Florian Raunig si dhe Zv. Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Henry V. Jardin shprehën mbështetjen për qeverinë shqiptare në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore.
Ambasadori Sequi theksoi se duhet të bëhet më shumë progres në luftën kundër këtij fenomeni. “Trafikimi i njerëzve mbetet një problem dhe duhet të bëhet progres në luftën kundër tij. Në sfidën e luftës së trafikimit të njerëzve, Shqipëria nuk është vetëm pasi ne jemi këtu për ta ndihmuar. BE-ja do ta ndihmojmë qeverinë shqiptare përmes ekspertëve të saj në nismat e saj kundër këtij fenomeni. Lufta kundër krimit të organizuar nuk mund të realizohet e vetme, kjo çështje kërkon përkushtimin e madh të të gjithëve ne”, deklaroi Sequi.
Ndërsa ambasadori i OSBE-së kërkoi përmirësim të kuadrit ligjor në mënyrë që trafikantët të marrin dënimet më të rënda. “Ne jemi të bindur që trafiku i qenieve njerëzore nuk mund të luftohet nga një shtet pa pasur përkrahje. Trafikimi është një krim global mjaft kompleks që rrezikon shtetin, është një problem që shkakton edhe një vepër penale tjetër që është falsifikimi i dokumenteve. Është detyrimi jonë që të krijojmë një shoqëri që mishëron tolerancë dhe nuk e lejon trafikimin. Shqipëria ka bërë arritje në luftën kundër trafikimit njerëzor, por ka ende shumë për të bërë. Sfidë për Shqipërinë është të forcohet prokuroria dhe dënimi i këtyre kriminelëve. Duhet të jepen dënimet më të rënda për trafikantët. Niveli i dënimit në lidhje me këtë krim është ende i ulët”, tha ambasadori i OSBE-së.
Ndërsa zëvendës/ambasadori amerikan u shpreh opprimist që Shqipëria mund të bëjë hapa përpara në këtë drejtim. “Ka ende shumë për të bërë në luftën kundër trafikimit të personave. Ne duhet ti mbrojmë viktimat dhe të përndjekin kriminelët. Ne e mbështesim qeverinë në përpjekjet e saj. Ne mirëpresim vendimin e qeverisë për të rritur numrin e policëve të specializuar për këtë çështje. Dua të shpreh vlerësimin për të gjithë ata që kanë bërë një punë të palodhur në luftën kundër trafikimit. Dua që të gjithë të mendojnë për arritjet që duhet të bëhen që Shqipëria të bëjë përpara në këtë drejtim”,- tha Zv.ambasadori amerikan.
19 tetor 2013 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment