Topi: E djathta shqiptare është e përçarë nga “Kali i Trojës”

Sali Berisha nuk është më kryetar i Partisë Demokratike. Megjithatë, ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk sheh arsye që FRD të bashkëpunojë me PD-në. Në një intervistë për gazetën “Mapo”, kryetari i FRD-së jep një prej arsyeve: “…Ekzistojnë mjaft episode që Sali Berisha ka shkelur, madje ka kaluar vijën e kuqe në marrëdhëniet personale dhe për këtë është koshient gjithë opinioni publik. Në politikë nuk merrem me peshën dhe rëndësinë që kanë padyshim marrëdhëniet kur cenohet jeta personale apo familjare. I gjithë argumenti është politik, se e konsideroj politikën mision publik. Në këtë këndvështrim, duhet kuptuar se klima, filozofia politike, metoda e aplikuar në jetën politike të Partisë Demokratike, është e njëjtë si më parë”. Përmes një analize të qartë, Topi vëren gjithashtu se misioni historik i së djathtës për konsolidimin e shtetit, e demokracisë, çështjen e pronës, të përndjekurve politikë, praktikisht konsiderohet i dështuar.
Z. Topi, po e nis intervistën nga zhvillimi i fundit politik që lidhet me vendimin e KQZ-së për çregjistrimin e kandidates së Frymës së Re Demokratike, Brikena Zeneli, me argumentin se nuk kishte respektuar detyrimet e ligjit zgjedhor për paraqitjen e firmave të mbështetësve, të shoqëruara me kopje të kartave të identitetit… FRD lajmëroi se do ta ankimojë vendimin në Kolegjin Zgjedhor. Shkurtimisht, mbi ç’bazë ligjore bazohet pretendimi juaj?
Vendimi i KQZ-së për të skualifikuar kandidaten e FRD-së për zgjedhjet e pjesshme lokale në Korçë, nuk duhet të konsiderohet kurrsesi si një akt episodik në një vendimmarrje të ashtuquajtur ligjore. Komisioni zonal i Korçës, e ka pranuar kandidaturën e zj. Zeneli, pasi dokumentacioni ligjor dhe verifikimet e kryera e kanë vlerësuar procedurën si tepër korrekte. Për një trajtim më të gjerë të këtij argumenti, mund të them se tashmë është vendosur diagnoza dhe kjo është certifikuar nga “klinikat” më të specializuara ndërkombëtare, se Shqipëria ka probleme madhore me kredibilitetin e institucioneve të saj. Padyshim, e akuzuara e madhe e kësaj situate është politika vendimmarrëse, e cila ka shkaktuar që Shqipëria edhe pas 20 vitesh të jetë një vend në tranzicion, ndoshta më i gjati në vendet që dolën nga domeni i familjes komuniste të lindjes. Pra sot, nëse flasim për institucionin “handikapat” të KQZ-së dhe vendimet politike të saj, unë besoj se kjo nuk është vepër vetëm e disa rekrutëve politikë të njeriut që në fund të trajektores politike të tij, mori një ndëshkim ekzemplar, por i klimës së rëndë të krijuar në politikë dhe institucione ku roli i këtij të fundit ka qenë domethënës.
Përfundimisht, akti i skualifikimit të znj. Zeneli nga gara në Korçë, shërben për të risjellë në vëmendjen e publikut të gjithë pamjet retrospektivë të sjelljes antidemokratike të Saliut dhe shpurës së tij ndaj FRD-së, qysh në momentin e themelimit të saj, para dhe gjatë zgjedhjeve dhe sikurse po shihet edhe tani kur kanë kaluar 4 muaj nga 23 qershori, që përbën fundin e një periudhe të sundimit të një njeriu mbushur me një psikozë primitivizmi në ndërtimin e marrëdhënieve njerëzore, të funksionimit të jetës politike dhe të denatyrimit me vullnet të plotë të misionit të Qeverisjes dhe Shtetit. Gjithsesi, ne do të ankimojmë vendimin e KQZ-së në Kolegjin Zgjedhor, me të drejtën që na jep ligji.
Duke iu bashkuar pyetjes së parë, me vendimin e marrë nga KQZ-ja, kemi sërish një konflikt mes FRD-së dhe PD-së për zgjedhjet lokale në Korçë. Pavarësisht vendimit që mund të marrë Kolegji Zgjedhor, a nuk ngjan pak përçarëse për të djathtën një kandidim edhe i PD-së dhe i FRD-së në një palë zgjedhje të pjesshme e pa ndonjë domethënie shumë të madhe?
Do të doja të theksoja me forcë faktin se FRD dhe PD janë parti të ndryshme politike në filozofinë dhe mënyrën e të bërit politikë, që do të thotë, që nuk ka asnjë arsye për të parë me atë këndvështrim që e shikoni ju. Reagimi nervoz i mashës politike të PD-së, është pikërisht refleks i mënyrës së sjelljes së kësaj force politike dhe sidomos i personit që iku duke qarë në kulmin e shfaqjes së hipokrizisë, që rikthehet sërish për t’u hakmarrë ndaj kundërshtarëve politikë, aq më shumë ndaj një zonje, e cila ka marrë miratimin e qytetarëve të saj për të kandiduar. Nuk është aq e rëndësishme pesha e zgjedhjeve në Korçë, por mënyra primitive e reagimit dhe kjo për ne është e rëndësishme në analizën politike.
Përtej fatit politik që rezervon ky Kod Zgjedhor partive të reja apo jo të mëdha, siç është Fryma e Re Demokratike, për këtë forcë politike është thënë jo pak se e kishte mundësinë që sot të ishte në Kuvend, (nisur edhe nga rezultati që morët më 23 qershor). Një nga variantet e diskutuara (para zgjedhjeve) ishte edhe krijimi i një fronti opozitar nën kryesinë e PS-së. A jeni penduar ndopak që nuk u bëtë pjesë e kësaj skeme duke parë se si rrodhën ngjarjet?
Ndonëse Fryma e Re Demokratike ka qenë e para që ka artikuluar domosdoshmërinë e rotacionit politikë në Shqipëri, kjo nuk nënkupton pozicionin tonë me një front me opozitën e djeshme, për arsyet e së cilës ne jemi shpjeguar qartë. Ne jo vetëm që nuk kemi arsye pendese, përkundrazi, kemi një rezultat që është i yni dhe padyshim kemi një aset politik dhe eksperiencë që do të na vlejë për sfidat e ardhshme politike dhe sidomos të strategjisë dhe taktikave që përballet një parti politike.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, në intervistën e fundit tha se FRD-së dhe zotit Topi i është ofruar një marrëveshje para zgjedhjeve të 23 qershorit, pak a shumë si ajo për aleatët e tjerë, por ju nuk e keni pranuar. Keni një koment për këtë deklaratë?
Nuk e kam ndjekur intervistën në fjalë, gjithsesi z. Basha ose është i keqinformuar, ose nuk ka patur përgjigje tjetër. Së pari, nuk ekziston asnjë komunikim zyrtar sikurse kërkon rregulli dhe etika e komunikimit. Së dyti, Fryma e Re Demokratike ka bërë publik vendimin e strukturave politike të saj dhe arsyet se përse, ne nuk mund të shkonim në aleancë me ata, të cilët i kemi denoncuar publikisht për situatën politiko-ekonomike e institucionale që kalonte vendi në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit. Në filozofinë tonë politike një vend në Parlament nuk është qëllimi final, ndonëse ligji elektoral nuk përktheu në mandate votat e FRD-së.
Politika shqiptare ka treguar prej viteve 2000, se nëse një krah politik nuk është i unifikuar, e ka të pamundur të vijë në pushtet. Në dritën e rezultateve të 23 qershorit dhe ngjarjeve që pasuan ato, a nuk ju duket më e udhës që të projektoni bashkëpunimin me Partinë Demokratike si forca kryesore e opozitës?
Besoj se eksperienca politike më lejon të shprehem se nuk ka iluzione përtej saj çka ndodh realisht në terrenin e politikës shqiptare që do të thotë se jo domosdoshmërisht në sfidat e ardhshme elektorale ne do të dalim të vetëm. Sigurisht, do të vlerësojmë situatën dhe konjukturat politike, por mbi të gjitha realizimin e pikave më të rëndësishme programore mbi të cilën u ngrit FRD. Nuk besoj se politika shqiptare ka nevojë të jetë statike. Ajo duhet të përfshihet nga dinamizmi. Kam bindjen se ato forca politike që shpërdoruan besimin e disa brezave janë në rrugën e vyshkjes dhe të daljes nga kompeticioni për të qenë sërish fitues.
Keni deklaruar se nuk do të bashkëpunoni me PD-në deri sa Berisha të jetë aty me influencën e vetë në vendimmarrje. Kjo është e drejta juaj, por nga ana tjetër, çfarë projektoni për fatin e FRD-së? Cili do të ishte projekti politik i saj në këto katër vite opozitë?
Është e vërtetë që jam shprehur në këtë mënyrë, për të ardhur në përgjigjen time më lejoni të bëj një parashtrim pak analitik. Më vijnë të freskëta imazhet televizive të ish – kreut të ekzekutivit shqiptar, i cili në një akt të thellë dëshpërimi, iku duke mos i mbajtur lotët, që një “burrë shteti” do të dinte t’i gëlltiste. Një miku im në të njëjtin profesion me ish – kryeministrin do të më thoshte që është shfaqje e një depresioni të thellë që i njëjti njeri në tribunën e pushtetit sillej me gjestikulacionet e një njeriu me simptoma diktatori, ndërsa i mundur, duke qarë. Sidoqoftë, çështje që nuk mund të më takojë mua për ta analizuar. Mua më shërben për të parë sa e thellë është hipokrizia te ky personazh.
Ai iku duke qarë, por ai është aty si arkitekti i gjithçkaje që ndodh në formacionin e tij politik për të cilin testamenti politik i ngjan atij familjar. A nuk ishte ai arkitekti i dhunimit tek të parat zgjedhje në parti pa atë në krye, në partinë ku kanë kontributin e tyre qindra e mijëra qytetarë dhe intelektualë, pa të cilët memoria do të ishte shumë e varfër?
Ai vërtetë iku duke qarë, por është prezent me frymën dhe me psikologjinë e sundimit të jetës së tjetrit, të vesit të tij kongjenital për të futur sherrin midis njerëzve, midis miqve të përbashkët, midis familjarëve etj. etj.
Ai iku duke qarë, por sot shfaqet me një gëzim të fshehur për gjëmën që i ka bërë ekonomisë kombëtare e financave të shtetit, si dhe ekonomive familjare të shqiptarëve. Përvoja në Parlament dhe në krye të Shtetit Shqiptar më dha mundësinë të njoh dhe të përballem jo vetëm me këtë marrëdhënie që nuk përbën kurrsesi një emocion personal por shqetësimin e madh se si është keqpërdorur një pushtet politik për ta vendosur në shërbim të interesave të familjes dhe të klanit të pushtetit duke abuzuar me besimin dhe djersën e brezave, duke abuzuar me politikat klienteliste dhe militante në çdo qelizë të administratës publike për të cilën çirret dhe bërtet sërish sot, duke vrarë e plagosur qytetarë në mes të kryeqytetit, duke anatemuar përfaqësuesit e shtetit dhe të vendeve që më së shumti kanë qenë këshilltarë të mirë të progresit të Shqipërisë.
E bëra këtë analizë, disi të gjatë, për të shpjeguar dhe për t’ju përgjigjur një pyetjeje që bëhet rëndom këto ditë, kur në krye të opozitës parlamentare është vendosur z. Basha, nëse FRD do të bashkëpunojë me PD-në, pas 23 qershorit. Mesa kam parë e kuptuar, shprehja ime se sa të jetë Sali Berisha, ne nuk mund të bashkëpunojmë me ta, ka vijuar me pyetjen tjetër që e bëni edhe ju sot, se tani që ai nuk është më kryetar, çfarë ju pengon?
Po ju përgjigjem, duke ju thënë se megjithëse ekzistojnë mjaft episode që Sali Berisha ka shkelur, madje ka kaluar vijën e kuqe në marrëdhëniet personale dhe për këtë është koshient gjithë opinioni publik, në politikë nuk merrem me peshën dhe rëndësinë që kanë padyshim marrëdhëniet kur cenohet jeta personale apo familjare. I gjithë argumenti është politik se e konsideroj politikën mision publik. Në këtë këndvështrim, duhet kuptuar se klima, filozofia politike, metoda e aplikuar në jetën politike të Partisë Demokratike, është e njëjtë si më parë. Fakti i sjelljes armiqësore ndaj znj. Zeneli, tregon qartë sjelljen e njëjtë të lidershipit të ri. Kjo mënyrë sjelljeje ndaj pluralizmit politik apo sulmet që organi zyrtar i asaj partie i bënë z. Tony Blair, lider botëror me kontribute konkrete për çështjen shqiptare, natyrisht nuk dëshiroj të besoj se janë vepër e z. Basha, por e psikologjisë së atij që ne e kemi etiketuar si komunisti i fundit në pushtetin që iku. Në këto kushte, FRD, jo vetëm që nuk shikon asnjë arsye të jetë disponibël për bashkëpunim, por vazhdojmë t’i qëndrojmë tezave të artikuluara në garën elektorale të zgjedhjeve politike se e djathta shqiptare është e përçarë nga “Kali i Trojës” dhe se misioni historik për konsolidimin e shtetit, e demokracisë, çështjen e pronës, të përndjekurve politikë, praktikisht konsiderohet i dështuar.
Bashkë me përgjegjësinë, për çështjet e mësipërme dhe të tjera që lidhen me prosperitetin ekonomik dhe shërbimet sociale, FRD do të vazhdojë të demonstrojë karakter e moral të fortë në politikë, duke zgjedhur dialogun e vazhdueshëm me qytetarët, të cilët, kemi bindjen se tashmë kanë parë jo vetëm hipokrizinë e premtimeve 20 vjeçare, por edhe mungesën e moralit politik, të inkompetencës politike e profesionale për të përmbushur aspiratat e mbështetësve. Kështu, si është konfiguruar e ashtuquajtura e djathtë, me probleme të shumta të besimit reciprok midis tyre, dështimin në sfidat e radhës është i sigurt. Kësaj mënyrë të sjellurit në politike sot nuk ia gjen më identikitin, në asnjë vend tjetër, së paku në Evropë, në vendet që aspirojnë të integrohen.
Thuhet se për të gjykuar mbi punën e një qeverie, duhet të kalojnë të paktën 100 ditët e para të qeverisjes. Kuptohet që jemi ende herët, por deri më tash kemi disa shenja dhe emërime që janë në stilin e kryeministrit Rama. Si i komentoni vendimet e para të qeverisjes dhe emërimet e drejtorëve të përgjithshëm, që janë edhe menaxherët nga të cilët varet edhe shëndeti i arkës së shtetit?
Natyrisht që pozicionimi në spektrin politik shqiptar e bëri të dallueshëm diferencën midis FRD-së dhe mazhorancës së sotme. Ne jemi shqiptarë, patriotë dhe përfaqësues të një formacioni politik liberal që shikon se koha e prevalencës së ideologjisë në politikë ka përfunduar. Sot, një politikan apo forcë politike ka se çfarë ndan me subjektet e tjera kur bëhet fjalë për çështje që i takojnë shtetit, institucioneve, drejtësisë, ekonomisë, rolit të Shqipërisë në rajon, etj. Unë i uroj qeverisë së re suksese në mision e vështirë, që sikurse po e shohim ditë pas dite, i ka lënë pushteti abuziv i paraardhësit të saj. Ajo që kërkojnë shumë njerëz, që unë kontaktoj është nevoja për transparencë institucionale e juridike e gjithçkaje që ka ndodhur. Sot Qeveria dhe mazhoranca e re duhet të kuptojnë sipas meje, që fushata elektorale ka përfunduar. Metoda dhe terminologjia sot, duhet të jenë tjetër gjë. Procesi i transparencës duhet të bëhet me shpejtësi, korrektësi, pa mllef politik dhe sidomos me profesionalizëm. Militantizmi dhe klientelizmi politik e kanë dëmtuar shumë klimën e besimit dhe standardet në institucione.
Krahas drejtimit të partisë, dy vjet më parë Lulëzim Basha mori administrimin e Bashkisë së Tiranës. Një periudhë kjo deri diku e mjaftueshme për të krijuar një perceptim mbi punën e deritanishme të tij në krye të Bashkisë. Sa efektiv ju është dukur Basha në menaxhimin e punëve të qytetit?
Tirana është jo vetëm kryeqyteti i Shqipërisë, por edhe mjedisi ku indikatori i politikës vjen më i theksuar. Ka përpjekje, por janë të limituara. Uroj që projekti i ri për Bulevardin të mos shkojë në dëm të pronarëve të vjetër të Tiranës dhe ky projekt të mos politizohet. Ndonëse nuk përmendet asnjë herë për fondet e akorduara, kam edhe unë kontributin si ish – President, por z. Basha nuk ka dashur ta citojë. Në misionin publik asgjë nuk mund të personalizohet aq më shumë të privatizohet, duhet më shumë xhenerozitet. Për ta mbyllur, nuk arrij të kuptoj se çfarë po ndodh me Këshillin Bashkiak, ku një manekin i pushtetit të djeshëm vazhdon të mos kuptojë që gjërat kanë ndryshuar edhe për të.
Shqip
Add new comment