Tension në Kuvend, Ruçi: Nuk ka asnjë vendim. Berisha: Rama ja mbathi, të vijë urgjent të japë llogari

Seanca e sotme plenare është karakterizuar nga tone të larta tensioni pasi deputetët e opozitës kanë kërkuar praninë e kryeministrit Rama, i cili sipas kreut të parlamentit, ndodhet në një vizitë zyrtare jashtë vendit, për t’u thënë të vërtetën shqiptarëve lidhur me armët kimike siriane.
Halimi: Të anulohet seanca, Rama duhet të jetë këtu për të treguar të vërtetën
Në nisje të seancës plenare, deputeti i PD, Eduart Halimi ka kërkuar që seanca e sotme të mos zhvillohet, në respekt të çështjes që sipas tij shqetëson sot të gjithë shqiptarët, armët kimike të Sirisë.
Por kreu i Parlamentit, Ilir Meta i ka siguruar edhe deputetët e opozitës, ashtu si edhe qytetarët që po protestonin se asnjë vendim nuk mund të merret pa pyetur parlamentin dhe qytetarët.
“Askush nuk mund të vendos asgjë pa pyetur parlamentin dhe shqiptarët. Unë i sigurova shqiptarët se çdo vendim do të merret duke marrë parasysh interesin e tyre”, tha Meta.
Berisha: Rama të kthehet urgjent të japë llogari, mashtroi shqiptarët
Ndërkohë, ish-kryeministri i vendit Sali Berisha ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të kryeministrit Rama për të dhënë llogari përpara parlamentit dhe para shqiptarëve për çështjen e armëve kimike në Shqipëri.
Ai e ka cilësuar si një turp të madh faktin se si një vend i vogël si Shqipëria, që nuk ka infrastrukturën e nevojshme të marrë përsipër një veprimtari të tillë komplekse, të cilën shumë vende të tjera shumë më të zhvilluara se ne nuk e pranuan.
“Kryeministri ka bërë megamashtrimin më të madh në histori. Rama premtoi në New York vullnetarisht me pasion në tre takime të veçanta se Shqipëria mund të marrë përsipër këtë akt, të cilin e refuzoi Rusia, SHBA, Norvegjia, Britania dhe shumë shtete të tjera. I mbeti Shqipërisë së vogël ky proces, që nuk ka asnjë kusht të vetëm të shkatërrimit të armëve kimike”, u shpreh Berisha.
Doda: Përfaqësoj zërin e protestuesve në Kuvend, nuk do lejojmë armë kimike në Shqipëri
Deputetja e opozitës, Mesaila Doda e cila që prej fillimit të protestave kundër ardhjes së armëve kimike në vendin tonë, duke folur nga foltorja e kuvendit u ka bërë thirrje të gjitha grave deputete të PD të shkonin pranë saj, për të protestuar kundër atij që ajo e cilësoi një rrezik shumë të madh për vendin tonë.
‘Kam qenë që prej 5 ditësh pranë protestuesve dhe sot këtu jam zëri i tyre. Ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë që ato armë kimike të vijnë në vendin tonë”, tha Doda.
Kreu i parlamentit ka kërkuar nga ana e deputetëve të opozitës të mos politizojnë një çështje që sipas tij nuk ka kurrfarë lidhjeje me opozitën, ndërkohë që në kushtet e një anarkie të krijuar në sallën e kuvendit, me deputetet e PD në këmbë pranë foltores, ai ka kërkuar ndërprerjen e përkohshme të seancës.
Ruçi: Protesta e shqiptarëve është një gjë që na bën krenarë, Berisha njollosi emancipimin qytetar
Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi ka deklaruar se protesta që qytetarët shqiptarë kanë bërë në mbrojtje të një kauze është një gjë që i bën krenarë të gjithë, por ai ka akuzuar opozitën dhe ish-kreun e saj, Sali Berisha, kryetari hije, siç e cilësoi Ruçi, se me politizimin e kësaj çështjeje njollosi emancipimin shqiptar.
“Ju garantoj se deri më tani nuk ka asnjë vendim dhe se nuk do të ketë asnjë lloj vendimi që të jetë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve, por as të integrimit të vendit në BE apo në strukturat euroatlantike”, tha Ruçi.
Berisha: Rama ja mbathi kur populli është ngritur në të gjithë Shqipërinë. Do e presim 24 orë në Kuvend
Fjalimi i Ruçit tregoi se vendimi është marrë dhe se është dhënë urdhër nga Rama që të bëhet gati uzina e mjekësit që është vetëm 5 km nga qyteti i Elbasanit për të çmontuar armët kimike siriane. Kështu u shpreh deputeti i PD, Sali Berisha në vazhdim të fjalës së kreut të grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruçi.
“Pse iku? Ikën kryeministri kur populli është në shesh në të gjitha qytetet e vendit? të vijë urgjent dhe të japë llogari përpara popullit. Ne do presim këtu 24 orë. Ky është vetëm fillimi i veprimit opozitar”, tha Berisha.
Meta-opozitës: Nuk keni hallin e popullit. Ish të përndjekurit u dogjën në shesh dhe askush nuk e ndërpreu seancën
Kreu i Parlamentit, Ilir Meta ka kërkuar që të vijohet me rendin e ditës, por deputetët e mazhorancës janë ngritur në këmbë dhe kanë vijuar të bërtasin e të kërkojnë praninë e kryeministrit dhe anulimin e rendit të ditës përballë çështjes së armëve kimike.
“Ish të përndjekurit u dogjën në shesh dhe asnjëri nuk e ndërpreu kuvendin dhe kryeministri ishte në zyrë, nuk kishte shkuar asnjëkundi. Ju keni për qëllim vetëm të prishni punimet e kuvendit, nuk ju bëhet vonë për popullin”, tha Meta.
Meta kërkoi nga deputetët demokratë që të bëjnë kërkesë për interpelancë urgjente, që sipas rregullores parashikon paraqitjen e Ramës në sallën e Kuvendit brenda javës.
“Kryeministri nuk mund të ndërpresë një vizitë zyrtare me këtë kërkesë që keni bërë juve deri më tani. Le të mos krijojmë precedentë për këtë situatë dhe ju kërkoj të zbatojmë rregulloren”, tha Meta.
SHQIP
Add new comment