Taulant Balla: Tani është koha që politikanët të shkojnë në pranga

Deputeti i PS bën bilancin e 100 ditëve të para të qeverisjes së Ramës dhe vlerëson Sajmir Tahirin, si ministrin më të mirë të kabinetit. Komenton si profesionale padinë ndaj ish-ministrit Arben Imami dhe pohon se tani është ora për ndëshkim!
Po i afrohemi 100-ditëshit të parë të qeverisë ‘Rama’. Cila është nota që i vini ju performancës së ekzekutivit?
Qeveria e re është në rrugë të mbarë dhe në disa sektorë të rëndësishëm, performanca është tejet e shkëlqyer, madje përtej pritshmërive. Sigurisht, në krye të këtyre rezultateve pozitive mund të renditen përpjekjet e qeverisë, të ministrit të Brendshëm, Tahiri, për rivendosjen e rendit publik, kontrollin e plotë mbi territorin, luftën kundër korrupsionit. Dua gjithashtu të komplimentoj ministrat përgjegjës për marrjen e masave të menjëhershme për furnizimin e spitaleve me ilaçe dhe për përpjekjet për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura të pensioneve, sepse ka qenë me të vërtetë një situatë emergjente. Nuk ka dyshim që rivendosja e rendit publik kërkon kohë dhe 80 ditë janë të pamjaftueshme, por rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit duhen përshëndetur. Në luftën kundër korrupsionit është evidente se ka një qasje krejtësisht të re dhe rezultative, ndërsa të gjitha veprimet antikorrupsion të ndërmarra për periudhën shtator-nëntor kanë marrë vlerësimet më të larta të Komisionit Europian. Në këto pak javë janë hapur një seri hetimesh në sektorë delikatë si policia, arsimi, shëndetësia, autoritetet lokale, sektori i taksave dhe doganave. Janë 13 hetime proaktive për korrupsion, ndërsa 9 raste i janë referuar Prokurorisë për hetim të aseteve në çështje korruptive të nivelit të lartë. Duhet të pranojmë se Shqipëria vazhdon të vuajë pasojat e keqqeverisjes së 8 viteve të shkuara, prej të cilave u trashëgua vetëm korrupsion dhe fatura të papaguara. Indeksi i perceptimit të publikut mbi korrupsionin në sektorin publik, në 177 vende të botës për vitin 2013, i publikuar nga organizata e njohur Transparency International, na radhit në vendin e 116-të, së bashku me Nepalin dhe Vietnamin. Humbësit e 23 qershorit e kthyen plotësisht Shqipërinë aty ku e gjetën më 2005-ën, por duke i humbur asaj 8 vite dhe duke kaluar nga korrupsioni tek kapja e shtetit. Por përpjekjet e qeverisë ‘Rama’ për ta çliruar Shqipërinë nga prangat e korrupsionit po shkojnë në rrugën e duhur, vullneti politik është i qartë. I siguroj shqiptarët se korrupsioni do të goditet në çdo nivel dhe se nuk do të mund t’i shpëtojë ndëshkimit askush, qofshin këta ofiqarë të niveleve të larta.
Në rezultante të të gjitha veprimeve të qeverisë, disa analistë thonë se puna e saj s’është as e mirë, as e keqe, duke pasur parasysh se nuk ka nisje reformash; në ekonomi, drejtësi, shëndetësi, arsim dhe së fundi në fushën e sigurisë…Cili është komenti juaj?
Unë nuk komentoj analistët. Përsa i përket reformave, duhet të kuptojmë se Shqipëria u gjet në një situatë emergjence në çdo sektor. Ekonomia u gjet në një humnerë më të thellë sesa mendohej. Situata e ekonomisë shqiptare është shumë më keq se edhe në vitin 1997. Të ardhurat në tatime dhe në dogana i gjetëm në nivelin më të ulët historik, shtuar këtu edhe rrjedhjet e tmerrshme në skema mafioze korruptive në tatime, ku duket se janë të përfshirë edhe njerëz shumë të afërt të Sali Berishës. Por ndryshimi ishte i menjëhershëm dhe tërësisht i dukshëm në vlerë brenda muajit të parë, qoftë në Tatime, edhe në Dogana. Po ashtu, vlerësimi real i borxhit që shteti i detyrohet sipërmarrjes dhe përpjekja për shlyerjen e tij, janë elementë të rëndësishëm të një reforme urgjente në financat e vendit. E kemi gjetur Shqipërinë në një situatë të falimentuar, po t’i referohemi nivelit të lartë të borxhit. Por qeveria po negocion një program financimi me FMN, institucion të cilin Sali Berisha e kishte përzënë nga Shqipëria, me qëllimin abuziv për të patur duar të lira në shpërdorimin e buxhetit dhe zhytjen e Shqipërisë në borxhe pafund. Shëndetësia u gjet në kushtet e një vendi të sapodalë nga lufta. Në spitale nuk kishte asnjë ilaç, ndërkohë që vetëm QSUT mbante në kurriz një borxh prej 30 milionë dollarësh ilaçe të paguara, por që nuk mbërritën kurrë në spitale. Ministri i Shëndetësisë, edhe pse pa buxhet, sepse paraardhësi e kish shteruar tërësisht, gjeti mjetet e nevojshme të financimit për furnizimin e spitaleve me ato ilaçe që përbëjnë protokollin bazë të domosdoshëm. Kur qeveria bëri betimin, filloi edhe viti i ri shkollor. I gjetëm shkollat jo vetëm të politizuara, por shkollat më të militantizuara që ka pasur ndonjëherë Shqipëria, qysh nga viti 1991. Shkolla ku të gjitha oborret u kthyen në sheshe për shfaqjet e Sali Berishës, ku gjithë klasat u kthyen në trupa për t’u marrë zvarrë e për t’u nxjerrë në mitingjet e Partisë Demokratike dhe ku vendi i punës së mësuesit shitej si të ishte mall tregu dhe askush nuk arriti dot të marrë një vend të merituar. Ndërkohë që mijëra vajza dhe djem që kanë mbaruar për mësuesi, rrinë rrugëve të papunë, duke u lënë për vite të tëra hapur rrugën lloj-lloj injorantësh me diploma të ‘kristalta’ false. E gjetëm Shqipërinë në kushtet e një emergjence në fushën e sigurisë publike. Gjatë këtyre 2 muajve tё vitit 2013 janë evidentuar 18 vrasje, ndërkohë në vitin 2012, për tё njëjtin hark kohor janё evidentuar 23 vrasje. Po ashtu, rënie kanё pësuar dhe krime tё tjera kundër personit si: vrasje e mbetur nё tentativë, plagosje e rëndë etj. Ky vit shënoi 11 krime mё pak krahasuar me tё njëjtën periudhë tё njё viti mё parё. Sigurisht, reformat e nisura nuk mund të japin rezultatin e tyre të plotë në vetëm 80 ditë punë.
Nga selia e PS, ish-ministri Arben Imami është denoncuar për afera nga më të ndryshmet. Por padia që u dorëzua në Prokurori lidhet me një episod abuzimi me reklamat. Si e vlerësoni ju këtë kallëzim, kur shumë e shohin me dyshim dhe si një rast selektiv e të paracaktuar?
Kallëzimi ndaj ish-ministrit Imami vjen në serinë e disa kallëzimeve të tjera ndaj funksionarësh të lartë, të përfshirë në afera korruptive në disa ministri të ndryshme. Në fakt, siç jemi informuar nga mediat, sepse Ministria e Mbrojtjes ka treguar një nivel të lartë konfidencialiteti në këtë proces auditi dhe më pas hetimi, çështja për të cilën akuzohet Arben Imami është shpërdorimi me detyrën me pasojë dëmin ekonomik prej 1 miliard lekësh. Ndërkohë që për çështje të tjera abuzimesh si korrupsioni me armatimin, shitje-blerjet, tjetërsimi i pronave të ushtrisë etj., janë në proces auditimi dhe besoj se më pas, edhe ato do t’i referohen Prokurorisë. Ky standard i vendosur tashmë nga zonja Kodheli në krye të Ministrisë së Mbrojtjes duhet domosdoshmërisht të vazhdojë edhe në ministritë e tjera. Por në gjithë këtë proces transparence të sapofilluar, shqetësues është qëndrimi i Partisë Demokratike, e cila po mundohet ta sulmojë procesin. PD dhe vetë Imami duhet ta kenë të qartë se politika nuk mund të jetë më një mburojë ndaj korrupsionit dhe koha që edhe politikanët të shkojnë në pranga është tani. Shqiptarët nuk mund ta durojnë dot më paprekshmërinë e politikanëve të korruptuar. Korrupsioni është një krim i rëndë dhe do të dënohet si një krim i rëndë. Ora për të ndëshkuar është tani. Nëse vepra penale për të cilën akuzohet Imami parashikon 7 vjet burg, drejtësia duhet të bëjë detyrën.
Një nga ‘kuajt e betejës’ elektorale të PS ishte edhe rivendosja e kontrollit të territorit. Por nisja e shembjeve me tritol i la shumë shpejt vendit kompensimit të pronarëve, siç është rasti i pallatit në Vlorë. E shihni të nxituar qeverinë edhe në këtë iniciativë, pasi siç ka thënë dhe avokat Ngjela, “territori fitohet me ligj dhe jo për 40 ditë”…?
Duhet të kuptoni që shembjet e ndërtimeve pa leje sapo kanë filluar. Por në këtë proces ne nuk duam që të dënojmë qytetarë fatkeq, të mashtruar nga ndërtues matrapazë, të cilët duke përfituar nga pushteti i para 23 qershorit, e kthenin detin në truall dhe truallin prej gurësh në pallat. Territori ka vite që në Shqipëri është në emergjencë, që prej vitit 1992. Ndërtime pa leje në çdo cep të Shqipërisë. Qeveria e re ka marrë angazhim para shqiptarëve dhe ne si mazhorancë i qëndrojmë angazhimit për të konkretizuar procesin e legalizimeve, sepse duam që çdo familje shqiptare ta gëzojë hipotekën e shtëpisë apo pronës së vet, të ngritur me mund e djersë. Por nga ana tjetër nuk mund të tolerojmë masakrën e bregdetit shqiptar, me betone të hedhura në det dhe në rërë. Nuk ka të ardhme turizmi shqiptar, pa e çliruar detin dhe rërën nga ndërtimet pa leje. Rasti i pallatit “Basha” në “Ujin e Ftohtë” në Vlorë është një rast tipik se si është shfrytëzuar pushteti i tetë viteve të shkuara për të masakruar territorin.
Pse nuk po bëhet sipas jush reforma apo ristrukturimi i administratës publike? Ka një zhgënjim të dukshëm të elektoratit të majtë që gjatë fushatës ka marrë premtime nga ju?
Reforma e administratës publikë është një proces shumë kompleks dhe i shtrirë në kohë, i cili kalon përtej mandateve politike. Administrata publike duhet konceptuar si një aset i rëndësishëm publik dhe se duhen krijuar mekanizmat përzgjedhës profesionalë dhe më pas mbrojtës për ta bërë administratën publike imune nga zëvendësimet politike. Duhet të pranojmë se qasja e qeverisë së tetë viteve të shkuara përkundrejt administratës publike ka qenë e kundërta me këtë filozofi. Administrata publike u konceptua si një tërësi repartesh ku rekrutohen militantët. Kjo sjellje iu bëri keq të dyja palëve; edhe administratës duke ulur ndjeshëm efektivitetin profesional, por edhe të rekrutuarve, të cilët nuk e kuptuan kurrë rolin dhe pozicionin që iu dha. Duhet ta pranojmë se administrata publike u keqpërdor nga politika në vitet e fundit, në dëm të profesionalizmit dhe paanshmërisë së saj. Po ashtu, shumë vendime gjykatash për lirim të padrejtë nuk janë zbatuar, duke i shkaktuar shtetit dëm të drejtpërdrejtë ekonomik. Politizimi i administratës dhe pandëshkueshmëria e zyrtarëve përgjegjës ka përkeqësuar nivelin e shërbimeve publike ndaj qytetarëve. Nga ana tjetër, Komisioni Europian ka kritikuar numrin e lartë të kontratave të përkohshme në administratë. Këto të fundit, shpesh janë përdorur si monedhë shpërblimi për Partinë Demokratike në pushtet. Indekset ndërkombëtarë të korrupsionit në Shqipëri janë në rritje. Objektivi ynë në 4 vitet që vijnë është rikthimi i dinjitetit në administratën publike, duke e çliruar nga politizimi dhe duke e profesionalizuar në të gjitha nivelet. Për të arritur këtë objektiv do të bëjmë të aplikueshëm Ligjin e Nëpunësit Civil, duke krijuar kuadrin real të aplikimit të tij dhe duke e zbatuar atë me rigorozitet nëpërmjet konkurseve të hapura e transparente për punësimin në shërbimin civil dhe procedurave transparente të ngritjes në karrierë. Qeveria është e angazhuar për të krijuar mekanizmat efikase të kontrollit në mënyrë që administrata të jetë realisht në shërbim të qytetarëve. Struktura e re e qeverisë e fokusoi administratën drejt rezultateve të matshme dhe një pune më efikase, me numër më të vogël punonjësish. Shtimi i numrit të shërbimeve publike online dhe rritja e përdorimit të tyre do të kontribuojnë në modernizimin, rritjen e efikasitetit dhe luftën kundër korrupsionit në administratë.
Deputeti Blushi në seancën për buxhetin faktik renditi shumë pyetje kritike për qeverinë, e cila, sipas tij duhet të fillonte të punonte për premtimet që kishte bërë dhe jo të justifikohej me keqqeverisjen e kaluar. A ndani edhe ju këtë këndvështrim të Blushit?
Unë nuk e kam dëgjuar fjalimin e kolegut në fjalë, por meqenëse ju po e citoni, po i referohem pyetjes sikurse ju e shtroni. E thashë dhe më sipër dhe po e ripërsëris. Pothuajse në çdo sektor, Shqipërinë e gjetëm më keq sesa të dhënat që qeveria e kaluar referonte. Buxheti faktik i diskutuar në Kuvendin e Shqipërisë javën e shkuar ishte buxheti i vitit 2012. Të dhënat një vit më pas konfirmojnë se gjithçka ne kemi thënë, kur ne ishim në opozitë, kanë qenë të vërteta dhe se qeveria e Sali Berishës, megjithë paralajmërimet tona, vazhdonte të sillej me papërgjegjshmëri me financat dhe ekonominë e vendit. Edhe pse sot janë në opozitë, Sali Berisha dhe ministrat e tij janë në Parlament, kështu që përpara se ata të kritikojnë hapat e qeverisë së re, duhet të pranojnë përgjegjësinë ku e zhytën dhe lanë Shqipërinë.
Diçka edhe për ngjarjen që ka shënjuar këtë periudhë të parë të qeverisjes, atë të armëve kimike. Ishte pothuaj në kufijtë e një filmi mënyra sesi qeveria dhe kryeministri u gjendën brenda pak ditësh përballë presionit qytetar dhe të opozitës…Krejt ndryshe mund të ishte gjendja nëse kryeministri do të kishte bërë kohë më parë një konsultë të përbashkët me kreun e opozitës, ambasadorin e SHBA dhe Presidentin…Cili është komenti juaj për menaxhimin e kësaj ngjarjeje?
Kryeministri Edi Rama e menaxhoi këtë situatë si një burrë shteti, si një kryeministër i denjë për një vend anëtar të NATO-s, si një udhëheqës që dëgjon popullin e vet. Sa për konsultën me kreun e opozitës, të gjithë e dimë që kreu, de jure, i opozitës ishte i konsultuar dhe i informuar për gjithçka. Por kreu de facto i opozitës e mori për veshi dhe e nxori në shesh, për t’iu vjedhur qytetarëve protestën. Aty e patë si dolën. I përzunë dhe i tallën, siç edhe e meritonin.
Zoti Balla, lidhur me ndarjen e pushtetit mes PS e LSI në qarqe. Në fakt ka opinione që vlerësojnë se LSI ka marrë pushtet po aq sa dhe PS në këto qarqe. Si qëndron e vërteta?
Partia Socialiste është forca më e madhe në qeverisje dhe kjo duket qartë edhe në konfigurimin e qeverisë. Por duhet ta themi qartë se LSI ka një kontribut të rëndësishëm në triumfin e koalicionit për një Shqipëri Europiane në zgjedhjet e 23 qershorit. Dua të konfirmoj gjithashtu se bashkëpunimi ndërmjet dy partive tona është i qëndrueshëm, duke garantuar sukses edhe në përballjet e ardhshme zgjedhore.
Mapo
Add new comment