TAP, do të shpronësohen 83 kilometra katror tokë

Të parët përfitues nga projekti TAP do të jenë pronarët e tokës ku do të instalohet tubacioni. Brezi i tokës do të jetë 400 metra i gjerë dhe 208 kilometra i gjatë. Vlerat e kompensimit do të jenë sipas çmimeve zyrtare të tokës në Shqipëri
Shqipëria e mori komunikimin zyrtar për ndërtimin e gazsjellësit TAP dje, gjatë një takimi që kryeministri Sali Berisha zhvilloi në orët e para të ditës me delegacionin e projektit, ku ishte i pranishëm ndër të tjerë edhe këshilltari i presidentit të kompanisë azere të gazit e naftës SOCAR, Murad Heydarov. Por pas lajmit të gëzueshëm ekspertët kanë nisur të bëjnë kalkulimet e para për përfitimet në detaje që do të ketë ekonomia e vendit tonë. Deri në fund të dekadës, projekti TAP llogaritet më i madhi për Europën, me synimin për të përfituar gaz me çmim më të lirë. Por Shqipëria do të përfitojë më shumë se kaq.
Përfitimi i parë, shpronësimet
Fitimet e para pritet të jenë për të zotët e tokës nga do të kalojë tubacioni. Zbatuesit e projektit TAP kanë përcaktuar gjithçka në detaje për mënyrën se si do të shpronësohet toka dhe si do të përdoret ajo. Në Shqipëri, tubacioni nis në zonën e Mirasit të Korçës dhe përfundon në grykëderdhjen e Semanit, në Fier. Në projektin që investitorët e TAP kanë dorëzuar në Entin Rregullator të Energjisë thuhet se toka do të merret për strukturat e përhershme të projektit, e cila më pas do të përdoret për mirëmbajtjen. Një kriter madhor të cilin e kanë patur parasysh investitorët është se gjatë hartimit të projektit është vlerësuar që toka ku do të kalojë tubacioni të mos ketë patur objekte dhe infrastruktura të përhershme me ndonjë vlerë të veçantë ekologjike ose kulturore. “Kur kjo nuk ka qenë e mundur, janë bërë përsëri përpjekje për të shmangur tokën në të cilën ka banesa ose infrastrukturë publike, ose e cila ka vlerë të lartë si habitat apo për bujqësi”, sqarohet në projekt. Brezi i tokës do të jetë një zonë sigurie, ku ndërtimi i strukturave të reja të palëve të treta përgjatë gazsjellësit do të kufizohet në një gjerësi prej 40 m (20 metra nga secila anë e vijës së mesit). Po investitorët thonë se do të jetë e mundur që në këtë zonë të rindërtohen sera pas ndërtimit të gazsjellësit. Ndërtimi i grupeve të shtëpive nuk do të lejohet në një brez prej 200 metrash nga secila ane e gazsjellësit brez 400 metra. Në projekt cilësohet se, para fillimit të punimeve apo çdo pune ndërtimi, do të behën regjistrime topografike dhe fotografike të kushteve ekzistuese të gjurmës së gazsjellësit. Pengesat si muret, gardhet dhe shtigjet do të preken në nivelin minimal të nevojshëm për siguri në punë. Të dhënat për objektet nëntokësore si vendndodhjet e tubacioneve të kullimit dhe të ujitjes do të përgatiten dhe verifikohen me pronarin e tokës për të parandaluar dëmtime aksidentale gjatë ndërtimit të gazsjellësit.
Çmimet
Shpronësimi për pronarët e tokës ku kalon gazsjellësi do të bëhet me çmimet zyrtare të pronave në Shqipëri. Pak kohë më parë qeveria ka miratuar një hartë të re çmimesh për kompensimin e pronave, vlera këto mjaft të ulëta në krahasim me të mëparshmet. Mirëpo procedurat dhe mënyra e kompensimit janë në dorë të investitorëve, të cilët nuk e kanë zbardhur tërësisht këtë pjesë.
TAP, një “bingo” për ekonominë e Shqipërisë
Oxford Economics, një prej kompanive lider në parashikimet dhe analizat ekonomike, ka bërë një studim të detajuar mbi përfitimet e Shqipërisë nga projekti i gazsjellësit Trans Adriatik. Ndërtimi i TAP do të bëhet nga 2015-18. Impakti direkt do të ketë kulmin e vet në vitin 2017. Në këtë pikë, aktiviteti pritet të prodhojë 57 mln euro për GDP-në e Shqipërisë dhe të krijojë 4200 vende pune me kohë të plotë dhe të pjesshme. Në total, faza e ndërtimit të projektit parashikohet të prodhojë 157 mln euro për GDP dhe të krijojë 2900 vende pune në vit. Po në vitin 2017 do të jetë kulmi i të ardhurave indirekte që do të sjellin për GDP, afro 39 mln euro dhe do të krijojnë rreth 4400 vende pune. Në total, në 4 vitet e fazës së ndërtimit pritet që të përfitohen në mënyrë jo të drejtpërdrejtë 110 mln euro për GDP dhe 3100 vende pune në vit. Për më tepër, përfitime të tjera do të vijnë nga shpenzimet që do të kenë punonjësit e TAP. Nga këto shpenzime, 40 mln euro do të kontribuojnë për GDP në 2017-ën dhe pritet të krijojnë 5800 vende pune. Për të gjithë periudhën e ndërtimit parashikohet që këto vlerësime të rriten në 106 mln euro kontribut për GDP dhe 3900 vende pune çdo vit. TAP pritet të jetë funksional në vitin 2019. Në krahasim me fazën e ndërtimit, impakti vjetor në ekonominë shqiptare pritet të jetë më i vogël. Raporti vlerëson se që në vitin e parë të punës, në GDP-në e Shqipërisë do të vijnë 7.6 mln euro dhe do të krijohen 190 vende pune. 2.1 mln euro të tjera dhe 260 vende punë do të vijnë si efekt i impaktit jo të drejtpërdrejtë. Këto efekte pritet të zgjasin deri në 50 vjet, duke sjellë rritje të vazhdueshme të ekonomisë shqiptare. Në total vlerësohet se impakti i drejtpërdrejtë i projektit operacional do të sjellë plot 500 mln euro për GDP-në e Shqipërisë. 243 mln të tjera dhe 260 vende pune do të vijnë si pasojë e efektit indirekt të TAP. Ky projekt do të investojë rreth 60 mln euro në infrastrukturën rrugore të Shqipërisë. Raporti i Oxford Economisc vlerëson se përfitimi nga ky investim do të jetë në rënie nga 237 milionë në 1.1 milion euro në 20 vitet që do të pasojnë.
Kriza, investimet e huaja u ulën 7% më 2012
Kriza ekonomike ka ndikuar në rënien e investimeve të huaja direkte (FDI) në ekonomitë me tranzicion me 9 për qind në 87 miliardë USD në vitin 2012, zbulon Raporti Botëror i Investimeve. Raporti thotë se prurjet e FDI-ve në Evropën Juglindore pothuajse u përgjysmuan. Sipas tabelave të publikuara në raport, investimet e huaja direkte hyrëse për Shqipërinë ishin 957 milionë dollarë, me një tkurrje prej 7.6% me bazë vjetore, duke shënuar vitin e dytë radhazi me rënie. Stoku i FDI-ve që nga viti 1995 është rreth 4.8 miliardë dollarë, apo 39% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), duke rezultuar më i ulëti nga të gjitha vendet e tjera të rajonit për të njëjtën periudhë. Ky tregues për Bosnjën është 45%; për Bullgarinë, 98% dhe për gjithë Europën Juglindore, 56%. Në Evropën Juglindore, rënia e investimeve nga 7.2 miliardë USD në 4.2 miliardë USD u shkaktua kryesisht për shkak të uljes së investimeve nga vendet fqinje, të cilat janë investitorët kryesorë në këtë nënrajon. Në vendet e CIS, prurjet e FDI-ve pësuan rënie me 7 për qind, nga 88 miliardë USD në 82 miliardë USD. Kjo rënie e lehtë erdhi si rezultat i faktit se investitorët e huaj vazhduan të tërhiqen nga tregjet konsumatore në rritje të rajonit dhe nga burimet e mëdha natyrore. Investimet dalëse mbetën të përqendruara në disa ekonomi, me tri destinacione kryesore (Federata Ruse, Kazakistani dhe Ukraina) në masën 84 për qind të daljeve totale të këtij rajoni. Sipas raportit plogështia që karakterizoi FDI-të e ekonomive në tranzicion në 2012-ën u shkaktua nga një rënie e shitjeve të shkrirjeve dhe blerjeve ndërkufitare. FDI-të dalëse të ekonomive në tranzicion, gjithashtu shënuan rënie në vitin 2012. Federate Ruse vazhdoi të dominonte FDI-të dalëse të rajonit, në masën 92 për qind. Edhe pse TNC-të që operonin në fushën e burimeve natyrore vazhduan të zgjeroheshin përtej kufijve, blerjet më të mëdha ndodhën në industrinë financiare. Përpara krizës financiare dhe ekonomike, vendet e Evropës Juglindore kishin arritur një progres domethënës në tërheqjen e FDI-ve. Vala e FDI-ve në rajon, sidomos pas vitit 2006, u orientua drejt rimëkëmbjes ekonomike, një klime më të mirë investimesh, si dhe drejt fillimit të negociatave për asociimin (dhe anëtarësimin) me BE në vitin 2005.
TAP, gazi në Shqipëri, në janar të vitit 2019
Shqipëria do të përfitojë furnizim me gaz në janar të vitit 2019. Komisioneri për çështjet e gazit pranë Entit Rregullator të Energjisë, Shkëlqim Bozgo tha se në një periudhë 6-vjeçare vendi do të jetë i aftë të ndërtojë infrastrukturën ligjore dhe materiale për gazifikimin, pasi aktualisht një gjë e tillë nuk ekziston. Sipas tij, nevojat fillestare të vendit do të jenë nga 300 deri në 500 milionë metër kub gaz në vit, që do të përdoren kryesisht për industrinë e rëndë. Ndërsa nevoja totale e vendit duke përfshirë edhe konsumatorin final do të jetë rreth 1 miliard metër kub gaz në vit. Bozgo thotë gjithashtu se ndërtimi i këtij gazsjellësi do të sjellë edhe përfitime të tjera për vendin, pasi do të mundësojë jo vetëm transportin drejt Europës, por edhe anasjelltas. Duke e cilësuar si një vendim historik për të ardhmen ekonomike të vendit, kryeministri Berisha në mbledhjen e djeshme të qeverisë tha se impakti për Shqipërinë do të jetë shumëdimensional. Duke iu referuar faktit që në muajin shtator vendi do të drejtohet nga e majta që rezultoi fituese në zgjedhje, Kryeministri kërkoi nga administrata publike që të mos ulen ritmet e punës.
MAPO
Add new comment