Tahiri: Arratisja nga burgu i Drenovës nuk ishte rastësore, por e organizuar mirë

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një deklaratë për mediat pas arrestimit të 4 prej të burgosurve të arratisur, theksoi krenarinë e tij për Policinë e Shtetit që bëri të mundur në më pak se 24 orë arrestimin kriminelëve të rrezikshëm.
“Po hetojmë për të zbardhur të gjithë skenarin e arratisjes dhe për arrestimin e të gjithë përgjegjësve, jo vetëm ata që janë arratisur, por edhe ata që i kanë ndihmuar nga jashtë. Kjo ishte një sprovë e madhe për Policinë e Shtetit. Kemi arritur një standart të lartë bashkëpunimi që po jep fryte. Ndjej krenari për këtë aksion dhe për ata punonjës policie, të cilët edhe pse të lënë pa mjete nga qeveria e mëparshme, bënë të mundur kapjen e katër të arratisurve brenda 24 orëve”, deklaroi Tahiri, i cili njoftoi se është arrestuar edhe Altin Lami, i cili kishte ndihmuar nga jashtë arratisjen.
“Rreth orës 22:00 të ditës së shtunë u kap i arratisuri i parë, ndërkohë që operacionet e kërkimit kanë vazhduar gjatë gjithë natës pavarësisht kushteve jo të mira atmosferike. Strukturat e policisë vazhdojnë të jenë në gatishmëri të plotë për arrestimin e 3 të arratisurve të tjerë”, shtoi Saimir Tahiri.
“Falenderoj drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ministrin e Drejtësisë, të gjithë punonjësit e policisë dhe të gjithë qytetarët që ndanë nformacionin me ne dhe na ndihmuan në këtë aksion”, deklaroi Tahiri para se të “thumbonte” opozitën.
“Falenderoj edhe Partinë Demokratike që megjithëse në një situatë të nderë, tha që shteti është shembur. Ne shtetin e gjetëm të shkatërruar dhe të inkriminuar, por garantoj që shteti është gjallë dhe policia është në këmbë për të siguruar rendin për të gjithë qytetarët”
“Arratisja nuk ishte rastësore, por e organizuar mirë. Shumë shpejt do të kemi arrestime të tjera”, mbylli deklaratën e tij ministri i Brendshëm Saimir Tahiri.
Shqip
Add new comment